Kërko

Vatican News
 Siutuatë e rëndë në Spitalin e Teheranit Siutuatë e rëndë në Spitalin e Teheranit 

Letra e Ajatollahut iranian drejtuar Papës: të bashkuar, në shërbim!

“Një bashkësi fesh, që vihen në shërbim të njerëzimit”: këtë propozon Papa në një letër, për të cilën flasin agjencia Fides dhe Rektori i Universitetit ndërkombëtar Al Mustafa të Qom, në emër të Seminarit të Iranit, që drejton dhe të bashkësisë së shumënumërt akademike shiite. Përmes këtij teksti njihemi edhe me realitetin në Iran, në kohën e pandemisë, si dhe me angazhimin e njëzëshëm të qeverisë dhe të prijësve fetarë.

R. SH. - Vatikan

Shkruan në emër të një bashkësie të shumënumërt akademike shiite, Ajatollahu iranian Alirezá Arafi, rektor i Universitetit të Qom, për ta falënderuar Papën për kujdesin që po tregon lidhur me nevojat e kohës  së emergjencës shëndetësore botërore dhe për propozimin që të “thellohet bashkëpunimi e shkëmbimi i përvojës me institucionet katolike, që të mund “të krijohet një bashkësi besimesh qiellore, në shërbim të njerëzimit”.

Letra - marrë nga Fides - vë sërisht në dukje përhapjen e koronavirusit dhe vuajtjet e përgjithshme në botë, që po i shqetësojnë seriozisht si studiuesit, ashtu edhe liderët fetarë, të cilët vijojnë, në Qom e në mbarë Iranin, të kërkojnë mëshirën e Zotit për shpirtin e të vdekurve e për shërimin e të sëmurëve.

Fatkeqësitë, lidhja shoqërore dhe empatia

Sipas logjikës së feve monoteiste - lexohet në tekstin e rimarrë nga Fides - “fatkeqësitë natyrore janë fenomene alarmi, që e vënë në provë të rëndë njerëzimin e na bëjnë thirrje  për t’u thelluar në njohjen e ‘zanafillës sonë’ dhe të mundësisë për t’u ringjallur, në të cilën  mund të spikasë edhe një frymë frytdhënëse empatie e përkushtimi. “Përmes një përpjekjeje korrekte - shpjegon Ajatollahu iranian - duhet zhdukur kundërvënia e rreme ndërmjet shkencës e fesë e duhet ngjallur, edhe në institucionet drejtuese, dëshira për ta favorizuar lidhjen ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore”.

Roli i krerëve fetarë dhe i teologëve në rrethana të tilla  - nënvizon akoma kreu shiit - është, ndërmjet tjerash, të fuqizojnë themelet e fesë së vet -  të mbrojnë shoqërinë e të nxisin lutjen në praninë e Zotit, për t’u bërë ballë së bashku emergjencave të tjera bashkëkohore, ndërmjet të cilave “masat ndëshkimore çnjerëzore, krizat ambientale, luftërat, terrorizmi dhe prodhimi i mjeteve të shkatërrimit në masë”.

Më shumë bashkëpunim e mbështetje ndërfetare

Së fundi, në një vend nga më të goditurit nga pandemia, me numrin më të madh të të vdekurve, Ajatollahu Alirezá Arafi kujtoi manifestimet e solidaritetit e të vullnetariatit nga ana institucioneve qeveritare, së bashku me grupet fetare, duke treguar edhe sa të impenjuar janë infermierët, doktorët, studentët, akademikët më të shquar e shumë e shumë të rinj, “të kryesuar nga prijësit më të lartë të Revolucionit islamik”.

Fjala e mbrame, së fundi, i takon gatishmërisë akademike për shkëmbimin  shkencor, kulturor dhe përvojës të mbështetjes së përbashkët, duke hapur një kapitull të ri bashkëpunimi, në mënyrë të posaçme me institucionet katolike, që të mund formohet “një bashkësi e feve monoiste – lexohet në tekst -  në shërbim të mbarë njerëzimit”.

06 prill 2020, 13:37