Papa Françesku: pas pandemisë, shpresa për të rilindur të bashkuar!
R. SH. - Vatikan
Guri mbi varr ishte tepër i rëndë. Gratë, që shkuan në agun e Pashkëve tek Varri, nuk do të kishin mundur kurrë ta zhvendosnin. Po kjo nuk i ndaloi. Edhe në mes të errësirës e humbjes së çdo shprese, ata kishin me vete enët e parfumit, për të lyer trupin e vdekur të Mësuesit. E pastaj, e papritura, që i mbushi me një gëzim të pashoq, të paprovuar kurrë nga zemra njerëzore: “Papritur Jezusi doli për t’i takuar e i përshëndeti me fjalët ‘Gëzohuni!’”.
Fjala e fundit
Do të ishte një shaka e pakëndshme t’i ftosh njerëzit të gëzohen, përballë pasojave të Covid -19. Papa është i vetëdijshëm se ndokujt mund t’i duket “injorancë” e mungesë përgjegjësie ftesa për t’u gëzuar, në hyrje të intervistës së tij. Po megjithatë, e bën këtë ftesë!
Gjenia e bekuar femërore
E bën, sepse pikërisht në këtë kumtim të Ungjillit: “Nuk është këtu! U ngjall!” - Françesku shikon “bazën e Planit për ringjalljen”, për të cilin flet në Vita Nueva. Njerëzimi është ai, që ishte atë ditë. Me njerëz të trembur. Me apostuj të shpërndarë andej e këndej. E me gratë, që shkuan se shkuan tek Varri, me guximin tipik, të pazëvendëueshëm e të bekuar të gjenisë femërore. Edhe në botën e fshikulluar nga kamxhiku i koronavirusit - vëren Papa - pamë shumëkënd duke mjekuar të tjerët e duke rrezikuar edhe vetë jetën për njerëzit e sëmurë e të vuajtur!
Kurrë të dorëzuar!
Mundëm të zbulojmë - kujton - sa e sa njerëz që, në kushte tejet të rënda, vijojnë të luftojnë, të bashkëpunojnë, ta mbështesin njëri-tjetrin; pamë ngushëllimin që dhanë e po japin mjekët, infermierët, pastruesit, personeli i supermarketeve, punonjësit e pastrimit, transportuesit, forcat e sigurimit, vullnetarët, meshtarët, motrat, gjyshërit, edukatorët e të tjerë akoma. Të gjithë nuk kanë pushuar së bëri, çka duhej bërë e të jepnin çka duhej dhënë!
Kohë e përshtatshme
Lajmi “që ta mbush zemrën me gëzimin e së papriturës së jashtëzakonshme” arrin nga gratë, pikërisht në një situatë të tillë, ndërsa përpiqeshin të bënin çka duhej bërë! Ndaj gjesti i tyre i dhimbshëm, shndërrohet në gjest gëzimi! Vdekja shndërrohet në jetë! E kjo - kujton Françesku - është shpresa jonë, që hap një plasë, për të ta parë realitetin e ngarkuar me vuajtje, me një sy të ri. “Zoti - pohon - nuk e braktis kurrë popullin e vet, posaçërisht kur dhimbja bëhet tepër e pranishme”.
Të rishkruhet mirë historia
Mbi emergjencat si COVID-19 mund të fitohet, para së gjithash, me antikorpet e solidaritetit - kujton Papa - duke përdorur këtu shprehjen, që lexohet në dokumentin “Pandemia dhe vëllazërimi universal”, botuar nga Akademia për Jetën, më 30 marsin e kaluar. “Një leksion - vijon - që i jep fund fatalizmit ku ishim zhytur e na krijon kushtet ta ndjejmë përsëri veten arkitektë e protagonistë të një historie të përbashkët. Nuk mund ta shkruajmë historinë e sotme e të ardhme duke i kthyer shpinën vuajtjeve të shumë njerëzve!”.
Përgjigjet e drejta
Papa është i sigurt: “Nëse do të sillemi si një popull i vetëm edhe përballë epidemive, që trondisin njerëzimin, mund të kemi ndikim të vërtetë”. Është një sërë pyetjesh, nga përgjigjja e të cilave varet rilindja e Planetit: “A do të mund të veprojmë me përgjegjësi përballë urisë së shumicës që vuan, duke e ditur se ka ushqim për të gjithë? Do të vijojmë të shikojmë në anën tjetër, me bashkëfajësi të heshtur, përballë luftërave të ushqyera nga dëshira për sundim e pushtet? Do të mund ta ndryshojmë stilin e jetës, me një jetë më të thjeshtë, që krijon mundësinë për shpërndarjen e drejtë të burimeve? Si bashkësi ndërkombëtare, a do të mund t’i marrim masat e duhura për ta ndaluar rrënimin e ambientit? A do të vijojë globalizimi i indiferencës ta kërcënojë udhën tonë? Do t’i gjejmë antikorpet e nevojshme të drejtësisë, të bamirësisë e të solidaritetit?”.
“Nuk kemi frikë - pëfundon Papa - ta jetojmë alternativën e qytetërimit të dashurisë, qytetërimit të shpresave, kundër ankthit e frikës, trishtimit e shkurajimit, pasivitetit e lodhjes! Qytetërimi i dashurisë ndërtohet ditë për ditë, pambarimisht! Kërkon impenjimin e të gjithëve. Kërkon një bashkësi të angazhuar vëllezërish!”.