Kërko

Papa Françesku, në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku, në Shtëpinë e Shën Martës 

Shtatë ditë me Papën Françesku

Të mërkurën, lutja e Atynës dhe të premten, lutja, bekimi “Urbi et Orbi” (Romës dhe botës), si edhe dhënia e Ndjesës së plotë; pastaj, meshët e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës e transmetuar drejtpërdrejt nga Vatican News, me ndjete të veçanta: këto, impenjimet e Papës Françesku, javën e kaluar.

R.SH. - Vatikan

E veçantë, java e kaluar me Papën Françesku. Të mërkurën, lutja e Atynës dhe të premten, lutja, bekimi “Urbi et Orbi” (Romës dhe botës), si edhe dhënia e Ndjesës së plotë, shënuan një impenjim të veçantë të gjithë të krishterëve të botës, të cilët, pavarësisht nga tradita e tyre fetare, u bashkuan me Atin e Shenjtë për t’iu përgjëruar Zotit t’i japë fund pandemisë së koronavirusit, e cila vijon të përhapet e të mbjellë vdekje në gjithë botën.  

Por, siç tha Papa të premten, në këtë kohë Kreshmësh, e ndiejmë se besojmë në Zot, kur e kuptojmë se kemi nevojë të shpëtohemi. Françesku kërkoi t’i drejtohemi Hyjit, t’ia dorëzojmë Atij të Lumit frikën tonë, ta ftojmë Jezu Krishtin në barkën e jetës sonë e, ashtu si dishepujt, nuk do të mbytemi. “Sepse kjo është forca e Zotit – ngriti zërin Françesku – të nxjerrë të mirën nga gjithçka na ndodh, edhe nga e keqja. Ai i heshton stuhitë tona, sepse me Zotin, jeta nuk vdes kurrë… E kemi një spirancë: nëpër kryqin e Tij jemi shëlbuar. E kemi një timon: nëpër kryqin e Tij jemi shpërblyer. E kemi një shpresë: nëpër kryqin e tij jemi shëruar e përqafuar, që askush e asgjë të mos na ndajë nga dashuria e Tij shëlbuese. …Ai u ngjall e jeton krah nesh”.

Edhe gjatë meshëve të mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës e transmetuar drejtpërdrejt nga Vatican News, Papa Françesku nuk e reshti lutjen për të gjithë ata, që po ndihmojnë të kapërcehen vështirësitë e krijuara nga pandemia, për mjekët, infermierët, meshtarët e murgeshat, për viktimat e familjarët e tyre.

Të hënën, Ati i Shenjtë u lut për të gjithë ata, që po vuajnë nga kriza ekonomike, shkaktuar prej pandemisë së koronavirusit, e cila ka bllokuar shumë veprimtari.

          “Të lutemi sot për njerëzit, të cilët, për shkak të pandemisë, po fillojnë t’i ndiejnë problemet ekonomike, sepse nuk mund të punojnë e kjo ndikon mbi familjen. Të lutemi për njerëzit, që kanë këtë problem”.

Të martën, Papa përmendi viktimat, që humbën jetën, duke u shërbyer të sëmurëve. “Kam lajme – pohoi Françesku - se në këto ditë disa mjekë, priftërinj, nuk e di nëse edhe ndonjë infermier, por ka të infektuar, që e morën të keqen sepse ishin në shërbim të të sëmurëve. Le të lutemi për ta, për familjet e tyre, dhe falënderoj Zotin për shembullin e heroizmit që na japin në kujdesin dhe kurimin për të sëmurët”.

Të mërkurën, Ati i Shenjtë Bergoglio u lut për murgeshat vinçenciane, që në Vatikan administrojnë një depo për shpërndarjen e ushqimeve e të ilaçeve për të varfërit. U lut edhe për të gjitha murgeshat, që kujdesen për të sëmurët, sidomos në këtë periudhë pandemie nga koronavirusi. 

 “Sot, festa e Mishërimit të Zotit – tha Papa Françesku – motrat Bija të dashurisë së Shën Vinçenc de Paolit, që drejtojnë dispanserinë e Shën Martës e shërbejnë në të që prej 98 vitesh, janë këtu në meshë, përtërijnë kushtet së bashku me të gjitha simotrat në çdo anë të botës. Dua ta ofroj sot meshën për to, për Kongregatën që punon gjithmonë me të sëmurët, me të varfërit, ashtu si këtu që prej 98 vitesh, si edhe për të gjitha murgeshat, që po shërbejnë në këtë çast, duke u kujdesur për të sëmurët, pavarësisht se rrezikojnë e japin jetën”.

Të enjten, Papa Bergoglio u lut që Zoti të na ndihmojë të fitojmë mbi frikën e kësaj kohe të vështirë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në fillim të kremtimit eukaristik, Ati i Shenjtë tha:

         “Në këto ditë vuajtjeje të madhe, ka shumë frikë. Frika e të moshuarve, që janë vetëm, në shtëpitë për pleq, në spitale, ose në shtëpinë e tyre, pa e ditur se ç’mund të ndodhë. Frika e punëtorëve pa punë fikse, që mendojnë ç’do t’u japin për të ngrënë fëmijëve dhe shohin urinë në horizont. Frika e shumë punonjësve socialë, që në këtë çast, e ndihmojnë shoqërinë të funksionojë e mund të infektohen me sëmundjen Covid-19. E, edhe frika – frikërat – e secilit prej nesh: secili e di cila është e vetja. T’i lutemi Zotit që të na ndihmojë të kemi besim, të tolerojmë e të fitojmë mbi frikën”.

Të premten, Papa shprehu mirënjohje për të gjithë njerëzit, që mendojnë për të tjerët, në këtë periudhë të vështirë, karakterizuar nga pandemia e koronavirusit. “Këto ditë - tha ai - mbërrijnë lajme për sa e sa njerëz, që fillojnë të shqetësohen për të tjerët e mendojnë për familjet, që nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë, për të moshuarit e vetmuar, për të sëmurët nëpër spitale dhe luten e përpiqen të ndihmojnë në një farë mënyre… Ky është sinjal i mirë. Falenderojmë Zotin që zgjon këto ndjenja në zemrat e besimtarëve të vet”.

29 mars 2020, 09:38