Kërko

Vatican News
Papa, në audiencën e përgjithshme Papa, në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Shtatë ditë me Françeskun

Le të përshkojmë, së bashku me Papën Françesku, shtatë ditët e javës së kaluar, në pjesën e dytë të së cilës, Ati i Shenjtë ishte pak i pamundur. Vërtet, në ato raste, që e mori fjalën, dukej qartë se ishte i ftohur.

R.SH. - Vatikan

Të enjten e kaluar, më 27 shkurt, nuk shkoi në Bazilikën e shën Gjonit në Lateran, ku u kremtua liturgjia pendestare me klerin e Romës, në fillim të Kreshmëve. Gjithashtu, anuloi një sërë audiencash, në ditët në vijim, por mori pjesë në veprimtaritë kryesore, më të rëndësishme.

Françesku: shpirti i botës nuk është udha e Krishtit

Më 25 shkurt, në homelinë e meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa kujtoi se “nuk mund ta jetojmë Ungjillin, duke bërë kompromise me shpirtin e kësaj bote, por duhet të zgjedhim rrugën e shërbimit për të tjerët e atë të përvujtërisë”.

Fillimi i Kreshmëve: ta mirëpresim dashurinë e Zotit

Më 26 shkurt, e Mërkura e Përhime, me të cilën filluan Kreshmët, Papa mbajti audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. I ftoi të gjithë të heqin dorë nga televizioni e nga celularët. “Kur isha fëmijë – tregoi Françesku – nuk kishte televizor, por e kishim zakon të dëgjonim radion. Kreshmët janë shkretëtirë, vend shkëputjeje nga rrëmuja, që na rrethon. Kreshmët janë kohë për ‘t’u lidhur me Ungjillin’, për të hequr dorë nga fjalët e kota, nga thashethemet, nga pallavrat, nga dokrrat, nga gjepurat e për t’iu drejtuar Zotit me ‘ti’”. Ati i Shenjtë foli për një “ekologji të shëndetshme të zemrës”.

Procesioni i së Mërkurës së Përhime

Një mendim, që e përsëriti edhe pasdite, në meshën e së Mërkurës së Përhime, kremtuar, si çdo vit, në kodrën e Aventinit, në bazilikën e Shën Sabinës. Aty, Papa kërkoi të shohim brenda zemrës dhe ta fshijmë pluhurin, që e ndyen, që e mbyt “zjarrin e Zotit” me “hirin e hipokrizisë”. Zoti, kujtoi Bergoglio, nuk na kërkon vetëm të bëjmë bamirësi, të lutemi e të agjërojmë, por edhe të mos shtiremi e të mos mburremi me këto vepra. “Sa herë – nënvizoi Ati i Shenjtë – bëjmë diçka vetëm që të na shohin të tjerët, për t’u dukur, për egoizmin tonë”.

Në Mesazhin për këto Kreshmë, Papa Françesku pohon: “Pavarësisht nga prania e së keqes në jetën tonë, ashtu si në atë të Kishës e të botës, kjo kohë, që na jepet për të ndryshuar rrugë, shpreh vullnetin e paepur të Zotit për të mos e ndërprerë dialogun e shpëtimit me ne”.

Papa, klerit: kapërcejeni trishtimin për të sjellë shpresën

Siç e thamë, të enjten, më 27 shkurt, Salla e Shtypit e Vatikanit njoftoi se Papa ishte i pamundur e vërtet, nuk shkoi në liturgjinë pendestare me klerin e Romës, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Fjalën e tij e lexoi kardinali vikar Angelo De Donatis. Në qendër të vëmendjes së Atit të Shenjtë, hidhërimet e trishtimet, që mund të hasë meshtari në jetën e tij, si përsa u përket marrëdhënieve të tij personale me fenë, ashtu edhe për lidhjet me ipeshkvin dhe me sivëllezërit e tij priftërinj. Papa i ftoi meshtarët t’i luten Zotit ta kuptojnë arsyen e hidhërimeve të tyre e ta lejojnë Shpirtin Shenjt t’i shndërrojë, për t’u bërë njerëz të pajtuar, që pajtojnë edhe të tjerët, duke u dhënë atyre shpresë. “Populli i Zotit – përfundon teksti i Papës - di të lutet edhe për hidhërimet e meshtarëve, të cilëve u kërkon të jenë mësues shpirtërorë, të aftë t’i tregojnë puset e ujit në mesin e shkretëtirës”.

01 mars 2020, 09:06