Kërko

Vatican News

Papa në Engjëllin e Tënzot: dëshmojeni dritën e Krishtit në jetën tuaj

Drita e fesë na çliron nga mëkati dhe e djeg të keqen, që kemi në zemër. Në të Dielën IV të Kreshmëve, në kohën e emergjencës nga koronavirusi, Papa Françesku i ftoi besimtarët ta imitojnë të verbërin e Ungjillit e pasi të fitojnë shikimim, ta shndrisin jetën e tyre dhe të të tjerëve.

R.SH. - Vatikan

Sërish nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në Vatikan, në transmetim të drejtpërdrejtë streaming për të respektuar normat e diktuara nga emergjenca shëndetësore, Papa, sot gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, reflektoi mbi temën e dritës, që përshkon pjesën e Ungjillit të Dielës së 4-të kohës së Kreshmëve nga Gjoni, ku tregohet për të verbrin e lindur, i cili e fiton shikimin pas ndërhyrjes së Jezusit, “Dritës së botës”. E ky shikim i ri, kjo “shndritje”, siç e quajti Françesku, nuk është vetëm fizik, nuk ka të bëjë vetëm me sytë, por është edhe shpirtëror e na çon drejt besimit në Birin e njeriut, përmes një rruge shndërrimi të brendshëm. Kështu ndodh për të gjitha mrekullitë, që bën Jezusi, të cilat nuk synojnë të japin shfaqje para njerëzve, por t’ua ndryshojnë atyre zemrat.  

Drita e fesë

Vetëm kështu, me fe të përtërirë, i verbëri arrin t’i çudisë farisenjtë, të cilët nuk besonin në mrekullinë e Jezusit. Vërtet, u përgjigjet akuzave e pretendimeve të tyre të rënda me realitetin e fakteve, ndërsa zbulon dhe kupton identitetin e vërtetë të Mesisë.

“E përjetofshim edhe ne këtë përvojë! Me dritën e fesë, ai që ishte i verbër, zbuloi identitetin e tij të ri. Ai është tashmë ‘krijesë e re’, në gjendje të shohë një dritë të re në jetën e vet dhe në botën, që e rrethon, sepse hyri në bashkim me Krishtin, hyri në një përmasë tjetër. Nuk është më lypës i mënjanuar nga bashkësia; nuk është më skllav i verbërisë së paragjykimit. Udha e tij e shndritjes është metaforë e udhës së çlirimit nga mëkati, drejt së cilës jemi të gjithë të thirrur”.

Falja e Zotit shpon errësirën

 E në këtë kalim nga errësira në dritë, Papa nguli sërish këmbë në domethënien e thellë të kohës së Kreshmëve, që, edhe në izolim të detyruar, na bën të zbulojmë e të provojmë mëshirën e Atit Qiellor.

 “Mëkati është si një vel i errët, që na e mbulon fytyrën e na pengon të shohim qartë vetveten dhe botën; falja e Zotit na e heq këtë perde të hijes dhe të errësirës, që na jep dritë të re. Kreshmët që po jetojmë, le të jenë kohë e përshtatshme dhe e çmuar për t’iu afruar Zotit, duke i kërkuar mëshirë, në format e ndryshme, që na propozon Kisha Nënë”.

Bëhuni dritë për të tjerët

Ftesa e Papës, përveç leximit të kapitullit 9 të Ungjillit sipas Gjonit, është të imitojmë të verbërin, që tashmë sheh si me sytë e trupit, ashtu edhe me ato të shpirtit, për të shndritur e shkëlqyer, duke pasqyruar dritën e Krishtit, si në misterin e lashtë të hënës, që bëhet e dukshme në qiell, sepse pasqyron dritën e diellit.

“Por nuk mjafton ta fitojmë dritën, duhet të bëhemi dritë. Secili prej nesh është i thirrur ta pranojë dritën hyjnore, për ta dëshmuar me gjithë jetën e vet… Na e kujton shën Pali: ‘Silluni si bij të dritës; fryti i dritës është çdo mirësi, drejtësi dhe e vërtetë’. Fara e jetës së re vendosur brenda nesh me Pagëzimin, është si shkëndija e zjarrit, që, para së gjithash, na pastron, duke e djegur të keqen që kemi në zemër e, na jep mundësinë të shkëlqejmë e të shndrisim”

22 mars 2020, 12:49