Kërko

Vatican News
Udha e Kryqit Udha e Kryqit  (Vatican Media)

Papa, venedikasve: bashkë kundër virusit. Meditimet e Udhës së Kryqit, nga të burgosurit e Padovës

Françesku: “Vuajtja dhe vdekja që, ashtu si në anët e tjera të Italisë, po përjetoni për shkak të virusit është për mua arsye për lutje dhe afërsi njerëzore”. Famullia e burgut të Padovës do të frymëzojë Udhën e Kryqit në Koloseum.

R.SH. - Vatikan

Duke kërkuar falje për gjestin “aspak zyrtar”, Papa Françesku i shkruan gazetës “Il Mattino” (Mëngjesi) të Padovës, në Itali, për t’i inkurajuar padovanët të qëndrojnë me fe në luftën e nisur kundër koronavirusit, me shpresën se Zoti nuk e harron grigjën e vet. Ati i Shenjtë i shkruan drejtorit të gazetës, Paolo Possamai. Ja letra e plotë e Papës:

         I nderuar drejtor Paolo Possamai,

         pikë së pari, me falni për gjestin tim jo formal. Përmes gazetës suaj, me botën e saj të lexuesve, dua të arrij tek shoqëria civile e qytetit të Padovës e tek të gjitha bashkësitë e krishtera, me meshtarët e ipeshkvin e tyre. Jam në dijeni se ky është viti i “Padovës Kryeqytet Evropian i Vullnetariatit 2020”.

Lutje dhe afërsi njerëzore

         Prandaj po ju shkruaj juve, për t’u shkruar simbolikisht të gjithëve. Vuajtja dhe vdekja që, ashtu si në anët e tjera të Italisë, po përjetoni, për shkak të virusit, është për mua arsye për lutje dhe afërsi njerëzore. Është edhe arsye për shpresë të krishterë: edhe në këto çaste, Zoti na flet. I takon njeriut të shohë, në këtë zë, udhëheqjen për të vazhduar të ndërtojë, këtu poshtë në tokë, një pjesë sado të vogël të Mbretërisë së Hyjit.

         Por, kjo gjendje rreziku është edhe rast që të kuptojmë për çfarë janë të aftë burrat dhe gratë me vullnet të mirë. Mendoj për ata, që këtyre ditëve, po impenjohen përtej detyrës: para së gjithash, për personelin mjekësor dhe paramjekësor. Vullneti i mirë, i bashkuar gjithnjë me një ndjenjë të fuqishme përgjegjësie e bashkëpunimi me autoritetet përkatëse kompetente, bëhet vlerë e shtuar për të cilën bota ka jashtëzakonisht nevojë.

Padova, qytet i vullnetarëve

         Vullnet është një term, që të kujton vullnetariatin: një temë, që gjatë gjithë këtij viti, përkon me Padovën. Për qytetin tuaj, ky është rast i mrekullueshëm për t’i treguar botës se ADN-ja juaj përbëhet nga bujaria në përdorimin e kohës dhe nga ndarja e talenteve personale me të tjerët. E njoh zemrën e mirë të venedikasve: të jeni krenarë për historinë tuaj e përgjegjës për gjithçka të mirë kanë mbjellë paraardhësit tuaj. Nëse e imagjinojmë bamirësinë në formën e një romani, atëherë ka kapituj shumë të bukur, shkruar pikërisht në Padovë e, pastaj, vënë në dispozicion të të gjithëve.

         “Ta riqepim së bashku Italinë” është motoja, që keni zgjedhur si fill i kuq për gjithë këtë vit. Riqepja është fjalë, që kujton qepjen dhe arnimin, veprime, që janë edhe më të domosdoshme pas një grisjeje, pas një plage.

         Sot, i nënshtrohemi tundimit për të hedhur, në vend që të riparojmë, për të shkatërruar, në vend që të ndreqim: është fati që u rezervojmë jo vetëm objekteve, por edhe njerëzve, veçanërisht atyre më të pambrojtur. Por, historitë personale të burrave dhe grave janë trashëgimia më e rëndësishme që kemi: asnjërës prej tyre nuk duhet t’i refuzohet një vështrim i dashur e plot vëmendje dhe një gjest mirësie. Gjeste, që tregojnë sa i rëndësishëm është tjetri e sa duhet ai, pavarësisht nga situata e jetës në të cilën ndodhet.

Të burgosurit e Padovës shkruajnë meditimet e Udhës se Kryqit në Koloseum

         Në këtë çast – gëzimi, për vlerësimin evropian e lodhjeje, për shkak të gjendjes së rrezikshme – dëshiroj edhe unë të bashkohem me ju, duke ndarë së bashku një faqe të bukur dashurie. Çdo vit, mbrëmjen e së Premtes së Madhe, kremtoj Udhën e Kryqit në Koloseum: në atë rast, shumë të dashur për popullin e krishterë, shoqërojmë Krishtin në udhën e Kryqit. Është udhë, që çdo vit ka një temë të caktuar, sepse Hyji është Zoti, që flet përmes historisë, përmes fytyrave, duke përdorur biografitë tona.

         Këtë vit, dëshiroj që të jetë famullia juaj e burgut “Due Palazzi” (Dy Pallatet) ajo, që do t’i propozojë botës 14 ndalesat. Zgjodha burgun, në tërësinë e tij, në mënyrë që, edhe kësaj radhe, të jenë të fundmit ata, që na e caktojnë hapin. Së bashku me don Marco Pozza-n, që ju e njihni mirë, i kemi menduar meditimet si një vepër korale, që bashkon fytyrat e ndryshme të botës së burgut: viktimën, personin e burgosur, agjentin e Policisë së Burgut, vullnetarin, familjen e të burgosurit, gjykatësin mbikqyrës, funksionarin pedagogjik, Kishën, njeriun e pafajshëm, që nganjëherë, akuzohet padrejtësisht.

         Burgu është një kaleidoskop gjendjesh, ku është gjithnjë i madh rreziku për të treguar një detaj, në dëm të së tërës. Ringjallja e njeriut nuk është kurrë vepër e një personi të vetëm, por e një bashkësie, që punon në aleancë.

Zoti e bekoftë zemrën e mirë të atyre, që e sfidojnë indiferencën

         Kur lexova meditimet e shkruara, u mallëngjeva: u ndieva tejet pjesëmarrës në këtë histori, u ndieva vëlla me ata, që kanë gabuar e me ata, që pranojnë t’u rrinë afër për t’i ndihmuar të rifillojnë ngjitjen. Jam i vetëdijshëm se nuk është e lehtë të harmonizohet drejtësia dhe mëshira: por, aty ku kjo arrihet, fitimi është në favor të gjithë shoqërisë. Falenderoj famullinë e burgut e, së bashku me të, falenderoj gjithë njerëzit, që veprojnë në favor të kësaj bote të ngushtë: Zoti e bekoftë zemrën e mirë të atyre, që e sfidojnë indiferencën me dhembshuri.

         Zgjodha ta jap njoftimin përmes faqeve të gazetës suaj, sepse do të më pëlqente që ky vendim i imi të jetë një përkëdhelje për vuajtjet e këtyre ditëve. Përkëdhelje simbolike, që, nga “Padova Kryeqytet Evropian i Vullnetariatit 2020”, të shtrihet mbi të gjitha qytetet, të cilat përjetojnë këtë çast të vështirë e, njëkohësisht, po i japin botës dëshminë e vullnetit të mirë. Historia e madhe përbëhet nga shumë histori të vogla, lokale, të veçanta, që kanë bukurinë e vet.

         Juve, gjithë redaksisë së gazetës suaj dhe gjithë lexuesve, le t’ju mbërrijnë urimet dhe afërsia ime. Së bashku me bekimin tim, që e shtrij, në mënyrë të veçantë, mbi njerëzit, që po derdhin lot për të dashurit e vdekur, si edhe mbi të moshuarit, të sëmurët e të burgosurit, të cilët, për shkak të emergjencës, nuk u jepet mundësia as për një vizitë ngushëlluese.

Françesku

10 mars 2020, 14:58