Kërko

Vatican News
 Papa Françesku dhe gratë Papa Françesku dhe gratë  (Vatican Media)

Papa Françesku: gruaja është ajo, që e bën të bukur botën!

Me rastin e 8 Marsit, Ditë ndërkombëtare e gruas, po kujtojmë disa nga shprehjet e Papës për figurën femërore. Françesku e quan gruan të aftë për të rilindur njerëzimin, për t’i dhënë shpresë botës e për të qenë themel i Kishës.

R. SH. - Vatikan

“Në radhë, me lot në sy, për t’i parë bijtë e burrat e mbyllur në burg. Të poshtëruara nga ata, që i shikojnë e i gjykojnë. Të detyruara të durojnë  fyerjet e atyre, që nuk e dinë se vihen në lëvizje nga dashuria”. Françesku, në intervistën dhënë gazetares Valentina Alazraki, tregon shpirtin e grave “fantastike e luftëtare”. Janë vetëm dy, nga epitetet e shumta, që përdor Papa, kur flet për gruan. Aq më tepër, në ditën që i kushtohet: 8 mars!

Përshkrim, sipas figurës së Marisë

Duke i përshkruar gratë sipas shembullit të Marisë, Papa i quan “gurrë e jetës” e “rilindëse të njerëzimit” dhe e ngre fort zërin kundër atyre, që i keqtrajtojnë, i dhunojnë, u shkaktojnë dhimbje të papëshkruara, duke i  detyruar të shiten buzë rrugëve tona…

Çdo dhunë që i shkatohet gruas, është fyerje bërë vetë Zotit

Përdor një mori epitetesh të merituara për gruan, Françesku, duke pohuar me forcë se gratë janë burim jete. Çdo dhunë mbi gruan është dhunim i Zotit, lindur nga gruaja. Nga korpi i gruas erdhi shëlbimi për mbarë njerëzimin; nga mënyra si e trajtojmë korpin e gruas, kuptojmë edhe nivelin e natyrës sonë njerëzore:

“Sa herë - thekson Papa - trupi i gruas flijohet në altaret profane të publicitetit, të fitimit, të pornografisë; sa herë shfrytëzohet si sipërfaqe për t’u përdorur. Gruaja duhet çliruar nga konsumizmi, duhet respektuar e nderuar: ësht, korpi më i fisëm në botë, që e zuri dhe e nxori në dritë Dashurinë, e cila na shpëtoi”.

I lindur nga gruaja

Gruaja arrin në kulmin e krijimit, si përmbledhje e gjithësisë: - kujtoi Papa në homelinë mbajtur në solemnitetin e Marisë, Nënë e Zotit, më 1 janar 2020 -  E lind dhe e ruan jetën, kujdeset për gjithçka!  

E gjithçka e ruan: gëzimin e lindjes së Jezusit e trishtimin e mikpritjes së mohuar në Betlehem; dashurinë e Jozefit e mahnitjen e barinjve; premtimet e paqartësitë për ardhmërinë. Ruan gjithçka në zemër, duke ia besuar Zotit. Ajo shikon me zemër, e kush shikon me zemër, shikon mirë, sepse “shikon brenda shpirtit e shikon Zotin në gjithçka”.

Himn për gruan

Papa i thur një himn të vërtetë gruas:

“Nga gruaja - kujton - lindi Princi i Paqes! Gruaja është dhuruese dhe ndërmjetësuese e paqes. Kur gratë mund t’i transmetojnë dhuratat e tyre, bota është më e bashkuar, më paqësore. Prandaj çdo fitore e gruas, është fitore për mbarë njerëzimin”.

Jezusi lindi nga gruaja

Mos të harrojmë kurrë - porosit Papa - “Jezusi i sapolindur u pasqyrua së pari në sytë e një gruaje, në fytyrën e nënës. Ajo e ledhatoi e para, ajo e pa e para buzëqeshjen e Tij. Me të e realizoi revolucionin e dashurisë. Revolucion që gratë janë të thirrura ta vijojnë me guxim”.

07 mars 2020, 17:04