Kërko

Vatican News
Një klasë me fëmijë afrikanë Një klasë me fëmijë afrikanë 

Pakti Edukativ Global: shtyhet për tetor, takimi i dëshiruar nga Papa

Takimi botëror me temë “Të rishikojmë Paktin Edukativ Global”, planifikuar për 14 majin e ardhshëm, në të cilin Papa pati thirrur të gjithë veprimtarët dhe përgjegjësit e fushës së arsimit dhe të kërkimit shkencor, do të mbahet ndërmjet datave 11 dhe 18 tetor 2020 e jo më në maj. Shtyrja ka të bëjë me përhapjen e koronavirusit dhe si rrjedhojë, me pasigurinë e gjendjes në shkallë botërore.

R.SH. - Vatikan

“Global Compact on Education” (Pakti Global për Edukimin), takimi i promovuar nga Papa Françesku për përtëritjen e impenjimit në favor të brezave të rinj e të arsimimit të tyre është shtyrë. Në vend që të mbahet në maj, sipas parashikimit, ai do të zhvillohet në periudhën 11-18 tetor 2020. Vetë Pakti do të nënshkruhet më 15 tetor. Njoftimi jepet nga Kongregata e Vatikanit për Edukimin Katolik, që po merret me organizimin e ngjarjes. Arsyeja është pasiguria e shkaktuar në gjithë botën nga koronavirusi. Siç dihet, ky Takim për një Pakt të ri Global mbi Arsimin dhe Edukimin do të mbahej më 14 maj, por do të plotësohej edhe me takime të tjera ndërmjet 10 dhe 17 majit, siç ishte, për shembull, “Fshati i Edukimit”, ku vetë të rinjtë nga e gjithë bota do të paraqisnin përvojat më të mira arsimore ndërkombëtare.

         Natyrisht, pas përhapjes së koronavirusit Covid-19, edhe Kongregata e Selisë së Shenjtë nuk mund të mos marrë parasysh direktivat e autoriteteve shëndetësore botërore. Vërtet, në këtë Takim, nuk do të merrnin pjesë vetëm përfaqësues nga institucione shkollore dhe akademike, por – me bindjen se impenjimi për brezat e rinj duhet t’i përfshijë të gjithë – edhe eskponentë të feve të ndryshme, përgjegjës të organizmave ndërkombëtare, të institucioneve të ndryshme humanitare, si edhe eskpertë të botës akademike, ekonomike, politike e kulturore. Do të krijohej kështu rasti për një grumbullim me përmasa të mëdha, që mund të lehtësonte përhapjen e virusit, nëse në maj do të ekzistonte akoma ky problem.

         Kongregata për Edukimin Katolik vazhdon të punojë për këtë Takim themelor, sipas ndjetit të shprehur qartë nga Ati i Shenjtë, në Mesazhin e tij: “Të përpiqemi së bashku të gjejmë zgjidhje, të fillojmë pa frikë procese transformimi dhe ta shikojmë të ardhmen me shpresë. E ftoj secilin të jetë protagonist i kësaj aleance, duke marrë përsipër impenjime personale dhe komunitare për të kultivuar së bashku ëndrrën e një humanizmi solidar, që i përgjigjet pritshmërisë së njeriut dhe planit të Zotit”.

03 mars 2020, 13:36