Kërko

Nga audienca e përgjithshme e Papës Françesku Nga audienca e përgjithshme e Papës Françesku 

Françesku: të bashkojmë zërat e t'i lutemi Zotit edhe të premten, në orën 18

Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa rinovoi thirrjen e tij për gjithë të krishterët në botë që të mblidhen në lutje dhe t’i kërkojnë Zotit fundin e pandemisë. Pas takimit të sotëm në mesditë, Ati i Shenjtë kujtoi takimin e së premtes, 27 mars, kur ai vetë do të kryesojë një çast lutjeje në Sheshin e Bazilikës së Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

Të bashkuar “shpirtërisht” për t’iu përgjëruar Zotit, me atë lutje, që Ai vetë na ka mësuar, “Ati ynë”. Ati i Shenjtë e pati njoftuar të dielën e shkuar, gjatë Engjëllit të Tënzot, duke i ftuar sot në mesditë, të gjithë krerët e Kishave dhe të bashkësive të krishtera, si edhe besimtarët e të gjitha traditave të lusin bashkë me të Zotin e Tejetlartë për fundin e pandemisë së koronavirusit. E kështu ndodhi.

“Në mesditë – tha Papa Françesku në fund të audiencës së përgjithshme – ne barinjtë e bashkësive të ndryshme të krishtera, bashkohemi shpirtërisht për t’iu lutur Zotit, duke thënë Atynën. Bashkojmë zërat tanë, duke iu përgjëruar Zotit në këto ditë vuajtjeje, ndërsa bota sprovohet rëndë nga pandemia. Dashtë Ati qiellor, i mirë e i mëshirshëm, ta pranojë lutjen e përbashkët të bijve të vet, të cilët, me shpresë plot besim, i drejtohen gjithpushtetit të Tij”.

Të bashkuar me Papën përmes internetit

Ashtu si audienca e përgjithshme, edhe kjo lutje e Atynës u transmetua drejtpërdrejt në internet, në faqen tonë “vaticannews,va”, e ndjekur nga Rruzarja dhe Engjëlli i Tënzot, kremtuar nga kardinali Angelo Comastri, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Së bashku me Papën, ishin të lidhur në streaming edhe Patriarkati i Kostandinopojës; kryeipeshkvi i Kanterburit, Justin Welby, kreu i Bashkësisë Anglikane; Konferenca e Kishave Evropiane (KEK), shoqata ekumenike e Kishave të krishtera të Evropës. Pak para orës 12.00,  ranë kambanat e kishave të gjithë botës.

Lutja e së premtes

Papa Françesku rikujtoi, gjatë audiencës së përgjithshme, edhe takimin e së premtes, 27 mars, kur do të dalë për një çast lutjeje në tremen e Bazilikës së Vatikanit, pavarësisht se me Sheshin e Shën Pjetrit bosh, sepse pandemisë së koronavirusit - pati thënë Ati i Shenjtë të dielën e kaluar – duhet t’i përgjigjemi me universalitetin e lutjes, të dhembshurisë, të ëmbëlsisë, duke qëndruar të bashkuar, pranë njerëzve të vetmuar e të sprovuar. Sot, i nxiti edhe një herë besimtarët të marrin pjesë në lutjen e së premtes.

“U përsëris të gjithëve ftesën për të marrë pjesë shpirtërisht, përmes mjeteve të komunikimit, në çastin e lutjes, që do të kryesoj pasnesër, të premten, në orën 18.00, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe adhurimi i të Shenjtnueshmit Sakrament do të ndiqet nga Bekimi Urbi et Orbi, me mundësinë për ndjesën e plotë”.

25 mars 2020, 11:08