Kërko

Vatican News

Papa: O Nëna Shenjte e Zotit, mbrojtjen tënde kërkojmë

Papa Françesku ia beson Romën, Italinë, Botën mbarë, mbrojtjes të Nënës së Zotit, si shenjë shpëtimi e shprese në këto ditë ankthi, që ka mbërthyer mbarë njerëzimin, përmes një videomesazhi, me rastin e Meshës kremtuar me 11 mars 2020, në orën 19.00, nga kardinali mëkëmbës Angelo De Donatis, pranë Shenjtërores romake të Zojës së Dashurisë Hyjnore.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku ia beson Romën, Italinë, Botën mbarë, mbrojtjes të Nënës së Zotit, si shenjë shpëtimi e shprese në këto ditë ankthi, që ka mbërthyer mbarë njerëzimin, përmes një videomesazhi, me rastin e Meshës  kremtuar   në orën 19.00, nga kardinali Angelo De Donatis, në Shenjtëroren romake të Zojës së Dashurisë Hyjnore. Mesha, së bashku me lutjen papnore u transmetua drejtpërdrejt nga TV2000 si dhe në streaming, në faqen Facebook, duke krijuar, kështu, mundësinë për të shmangur rrezikun e infektimit nga Coronavirusi. Me këtë rrugë u transmetua edhe videomesazhi, me lutjen e Papës, drejtuar Zojës së Dashurisë Hyjnore:

O Mari,

Ti shndrit gjithnjë në udhët tona,

si shenjë shëlbimi e shprese!

Besojmë në ty, Shëndeti i të sëmurëve.

Në ty, që dhimbjen e Krishtit,

shoqërove me fe të patundur!

Ti, Shpëtimi i popullit romak,

 i  njeh mirë nevojët tona!

 Jemi, prandaj, të sigurt

 se, ashtu si në Kanë të Galilesë,

do  të na e  shndërrosh përsëri

këtë kohë të hidhur prove

në çaste gëzimi e feste!

Ndihmona, o Nënë e Dashurisë Hyjnore,

të ecim në udhën e Atit,

e të bëjmë çka do Krishti,

që mori mbi vete vuajtjet tona,

e u ngarkua me dhimbjet tona,

për të na prirë, me Kryqin në krah,

kah gëzimi i ringjalljes!

Nën mbrojtjen tënde strehë kërkojmë,

o Nëna Shenjte e Zotit!

Mos e përbuz lutjen tonë!  

Lutje e njerëzve në provë!

Çlirona nga çdo rrezik,

O Virgjër e lumnueshme, e bekuar!

11 mars 2020, 20:28