Kërko

Vatican News
 Hapja e Vitit të 91-të Gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit Hapja e Vitit të 91-të Gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit  (Vatican Media)

Françesku: reformat ligjore vatikanase janë pjesë e misionit të Kishës

Besim të plotë në veprimtarinë e organeve gjyqësore dhe të hetuesisë së Shtetit të Qytetit të Vatikanit si dhe në veprimtaritë e vlefshme e të efektshme kundër krimit. E shprehu Papa, me rastin e hapjes së Vitit të 91-të gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, duke nënvizuar edhe vlerën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit. Shkandujt financiarë “janë të papajtueshëm me natyrën dhe pikësynimet e Kishës” - theksoi.

R. SH. - Vatikan

Papa përuroi sot Vitin e 91-të Gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, me besim të plotë në progresin e bërë nga Reformat e nisura nga Selia e Shenjtë në fushën ligjore, në respekt të plotë me angazhimet ndërkombëtare. Pasoja: një drejtësi vatikanase, që merret me kodet, pa  harruar kurrë ligjin e Ungjillit. Prej këndej, reformat e reja u inseruan plotësisht me misionin e Kishës, duke u bërë pjesë e pandarë e veprimtarisë së saj ministeriale.

Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Papa vuri theksin mbi angazhimin  për t’iu kundërvënë ilegalitetit në sektorin e financës, në nivel ndërkombëtar, gjë që nuk përkon me natyrën dhe pikësynimet e Kishës e që - shpjegoi - krijuan çorientime e shqetësime edhe në gjirin e bashkësisë së besimtarëve. Papa shprehu besimin e tij të plotë në organet gjyqësore dhe investigative vatikanase. Me rëndësi - nënvizoi - fakti se krimet e pandehura u sinjalizuan nga vetë Autoritetet e brendshme të Vatikanit, duke treguar kështu aftësinë për t’iu kundërvënë, siç kërkohet nga standardet ndërkombëtare.

Të vendosim drejtësinë brenda nesh

Punë e çmuar e plot përgjegjësi ajo, që për Papën e zhvillojnë njerëzit e angazhuar në fushën e drejtësisë vatikanase. Atyre u kërkoi  të vijojnë, me bindje gjithnjë më të plotë, rrugën e drejtësisë. Një drejtësi e tillë e bën të mundur vëllazërimin e vërtetë, që i mbron të gjithë, posaçërisht më të ligshtit. Françesku i nxiti gjykatësit ta shikojnë njeriun me sytë e Ungjillit, sytë e drejtësisë së propozuar nga Jezusi.

Mëshira, përkryerje e drejtësisë

Duhet thënë - kujtoi akoma Papa - se drejtësia nuk mjafton. Ka nevojë të shoqërohet edhe me virtyte të tjera: me maturinë, burrërinë, vetëpërmbajtjen. Urtinë, për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra; burrërinë, për të qenë gjithnjë të ekulibruar; vetëpërmbajtjen, për të kapërcyer vështirësitë, duke fituar mbi presionet e pasionet. Është e nevojshme që gjykatësi të mos harrojë se ka përpara njerëz që vuajnë, që kapërthehen nga ankthi e nga dëshpërimi ekzistencial e, prej këndej, duhen kuptuar shkaqet që i shtynë të bien në gabim e edhe brishtësitë e atyre, që shkelën ligjin:

“Mëshira nuk është ndërprerje e drejtësisë, por përsosje e saj, sepse e ngre gjithçka në një rend më të lartë, në të cilin edhe të dënuarit me dënimet më të rënda nuk e humbasin shpresën. Është detyrë, kjo, e gjykimit, që kërkon jo vetëm përgatitje dhe ekulibër, por edhe pasion për drejtësinë si dhe vetëdijen e përgjegjësive të mëdha e të detyrueshme, që lidhen me të”.

Papa bëri thirrje për një bashkëjetesë të drejtë e të ndershme si dhe për   kundërvënien ndaj situatave të paligjshme që duhen sinjalizuar brenda Vatikanit si dhe për vijimin e rrugës së nisur.

Njerëzit e drejtë dhe drejtësia hyjnore

Duke e përfunduar  fjalimin e tij, Françesku kujtoi se përtej sistemeve dhe rregullave, na duhen njerëz të drejtë e të ndershëm. Prej këndej, ftesa  për ta vënë në jetë drejtësinë në dobi të promovimit të dinjitetit njerëzor, të lirisë, të paqes:

“Ungjilli na kujton se pëpjekjet tona për drejtësi tokësore  kanë gjithnjë  si horizont të fundit drejtësinë hyjnore, atë të Zotit, që na pret. Këto fjalë nuk duhet të na frikësojnë, por vetëm të na nxisin ta kryejmë detyrën tonë me seriozitet e përvujtëri”.

15 shkurt 2020, 15:30