Kërko

Vatican News
Papa takohet me delegacionin panortodoks Papa takohet me delegacionin panortodoks  (Vatican Media)

Papa, priftërinjve ortodoksë: ju jeni “vëllezër mes vëllezërish”

Papa shpreson që të gjithë ortodoksët ta kenë ndierë veten “vëllezër mes vëllezërish” në Romë dhe uron që prania e tyre të kthehet në “një farë të frytshme, e cila bën të mbijë bashkimi i dukshëm ndërmjet të krishterëve, ai unitet i plotë, që e dëshiron me zjarr Jezusi”. sot paradite, 21 priftërinj të rinj ortodoksë u takuan me Françeskun, në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Vinin nga Egjipti, Armenia, Libani, Siria, India e Etiopia, 21 priftërinjtë e rinj ortodoksë, që sot paradite, u takuan me Papën Françesku, në Vatikan. Për herë të parë, me ftesën e Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, një delegacion i tillë panortodoks, me anëtarë nga Kisha të ndryshme Ortodokse të Lindjes, merr pjesë në një vizitë studimore, që synon thellimin e njohurive të tyre për Kishën Katolike. Nga data 15 deri më 22 shkurt, priftërinjtë ortodoksë po vizitojnë vendet kishtare të Romës, dikasteret e Kuries Romake, universitetet dhe kolegjet papnore, bashkësitë e kuvendet rregulltare. Sot, takimi me Papën.

Vizita e ortodoksëve, shkëmbim dhuratash

         Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë u tha se e konsideron vizitën e priftërinjve ortodoksë një shkëmbim dhuratash, ashtu siç ndodhi edhe me Marinë e Elizabetën, kur Zoja shkoi për vizitë tek kushërira, e cila u përshëndet prej saj, u mbush me Shpirtin Shenjt dhe i dhuroi bekimin e vet. Kështu, theksoi Papa, kur të krishterët e Kishave të ndryshme i bëjnë vizitë njëri-tjetrit, është njëlloj sikur të shkëmbenin dhurata.

         “Mund ta pranojmë gjithçka ka dikuar Shpirti Shenjt tek tjetri, si dhuratë për ne. Në këtë kuptim, vizita juaj – u tha Papa anëtarëve të delegacionit panortodoks – nuk është vetëm rast për të thelluar njohuritë mbi Kishën Katolike, por është edhe për ne katolikët, mundësi për ta pranuar dhuratën e Shpirtit Shenjt, që është në ju. Prania juaj na lejon t’i shkëmbejmë këto dhurata dhe është arsye gëzimi”.

Faleminderit Zotit për dëshminë e Kishave ortodokse

         Papa Françesku i priti priftërinjtë e rinj me fjalët e shën Palit apostull e vijoi të reflektonte me to. Ashtu siç u tha apostulli korintasve, edhe Bergoglio nënvizoi se falenderon Zotin për hirin, që i ka dhënë secilit prej ortodoksëve. Kjo është mënyra e pritjes së vëllait, duke e falenderuar Hyjin për të, na mëson Apostulli i Popujve.

         “Prandaj, - vuri në dukje Ati i Shenjtë – jam mirënjohës për ju, për hirin që e keni pranuar në jetën e traditat tuaja, për meshtarinë e për jetën tuaj murgare, për dëshminë e Kishave Ortodokse Lindore, që e kanë vulosur me gjak besimin e tyre në Krishtin e që vazhdojnë të jenë fara feje e shprese, edhe në rajone, ku fatkeqësisht, ka dhunë e luftë”.

         Papa shpresoi që të gjithë ortodoksët ta kenë ndierë veten “vëllezër mes vëllezërish” në Romë dhe uroi që prania e tyre të kthehet në “një farë të frytshme, e cila bën të mbijë bashkimi i dukshëm ndërmjet të krishterëve, ai unitet i plotë, që e dëshiron me zjarr Jezusi”. Së fundi, pasi ua besoi priftërinjtë ortodoksë Nënës së Zotit, Papa Françesku tha bashkë me ta lutjen “Ati ynë”.

21 shkurt 2020, 12:39