Kërko

Santa Messa per i Consacrati 2020.02.01 Santa Messa per i Consacrati 2020.02.01  

Papa: Jeta e kushtuar është të lësh gjithçka të rrëmbyer nga vështrimi i Jezusit

Gjatë Meshës së Ditës XXIV botërore të Jetës rregulltare, që u kremtua sot, më 1 shkurt, Papa theksoi: “T’i kërkojmë Zotit sy të rinj, që dinë ta shikojnë hirin, të kërkojnë të afërmin, të shpresojnë. Atëhere sytë tanë do të shohin shëlbimin!”.

R.SH. - Vatikan

Në homelinë e mbajtur gjatë kremtimit të mbrëmësores, me rastin e Ditës XXIV Botërore të Jetës së Kushtuar, Papa Françesku  u nis nga fjalët e Ungjillit të Lukës (Lk 2, 22-40), shqiptuar nga plaku Simeon i cili, duke marrë në krahë Krishtin Fëmijë, pa hirin, që vlen më shumë se jeta. Pa shëlbimin. Prej këndej,  iu drejtua rregulltarëve me fjalët:

"Tё dashur vëllezër dhe motra,  jeni burra e gra të thjeshtë! Edhe ju patë thesarin, që vlen më shumë se të gjitha pasjet e botës. Për të latë gjëra më të rëndësishme: pasuritë,  krijimin e familjes suaj. E pse e bëtë këtë? Sepse u dashuruat me Krishtin, patë gjithçka në Të, latë gjithçka patët, për Të.Jetë e kushtuar ёshtë ky vizion". Kёshtu tha, mes tjerash, Papa Françesku nё homelinё e Meshës kremtuar  sot pasdite nё Bazilikёn e Shёn Pjetrit, nё Vatikan, pёr Ditёn XXIV Botërore tё Jetёs sё Kushtuar – Jetёs Rregulltare.

Tiparet e jetës rregulltare

E në vijim, Papa shtoi: “Jeta rregulltare është ky vizion: të shikosh çka vlen më shumë! Ta mirëpresësh me krahë hapur dhuratën e Zotit, ashtu siç bëri Simeoni. Ja çka shikojnë sytë e njerëzve, që i kushtohen Zotit”.

Portreti i të shuguruarit - i së shuguruarës

E këtu Papa u ndalua për të përshkruar portretin e të shuguruarit: “I shuguruar është ai, që çdo ditë shikon vetveten e thotë: ‘Gjithçka  është hir, gjithçka është dhuratë, që e marrim nga dora e Zotit’”.

Ati i Shenjtë e vijoi homelinë, duke kujtuar  fjalët që përsëriten çdo pasmbrëmësore, kur shqiptojmë lutjen e fundit të ditës: “O Zot, shpëtimi im vjen nga Ti, duart e mia nuk janë bosh, por plot e përplot me hirin tënd”.

Me sytë gjithnjë të ngulur tek Zoti

E të dish të shikosh hirin, është pikënisja - kujtoi -  sepse  tunduesi, djalli, ngul këmbë pikërisht në mjerimet tona, në  duart tona të zbrazura. E na bën ta humbasim busullën, dhuratë e Zotit, që na do edhe në mjerimet tona: “Kur i mbajmë sytë e ngulur në Të,  pranojmë faljen, që na përtërin e përfocohemi në besnikërinë e tij”.

E sot - theksoi në vijim Françesku - mund të pyesim: “Unë,  kah i drejtoj sytë? Drejt Zotit apo drejt vetvetes? Kush di të shikojë  para së gjithash hirin e Hyjit, zbulon ilaçin që shëron mosbesimin dhe aftësinë për t’i shikuar sendet me sytë e botës”.

Shikimi me sytë e botës

Në vijim të homelisë, Papa u ndalua pikërisht tek shikimi me sytë e botës, që nuk e vlerëson hirin e Zotit si protagonist të jetës e shkon në kërkim të ndonjë surrugati. E atëhere e dimë mirëfilli çfarë ndodh: kërkohen hapësirat e të drejtat vetjake,  nisin përgojimet e ligësitë, zemrimi për hiç gjë e litanitë e ankimit; ankimet për vëllezërit, për motrat, për bashkësinë, për Kishën, për shoqërinë: “Nuk shihet më Zoti në çdo gjë,  por bota e zhvillimet e saj. E zemra bëhet gur. E ti bëhesh pragmatik, ndërsa në shpirt të shtohen trishtimi e mosbesimi, që degjenerojnë në nënshtrim. Ja ç’sjell me vete shikimi i gjërave me syrin e botës”.

Shikimi, që të të ndihmon të shikosh hirin e Zotit

Më pas, Ati i Shenjtë u ndalua tek shikimi i drejtë, që të ndihmon të shikosh hirin e Zotit për ne, ashtu si e ndihmoi Simeonin, që kishte familjaritet me Shpirtin Shenjt, me dashurinë e Zotit.

Tiparet e jetës rregulltare

E këtu Papa  kujtoi tiparet kryesore dalluese të jetës rregulltare: “Jeta rregulltare, nëse vijon të jetë e fortë në dashuri, shikon bukurinë Shikon se varfëria nuk është përpjekje titanike, por liria më e lartë, që na e dhurojnë Zoti e të tjerët, parë si pasuri e vërtetë. Shikon se pastria nuk është shterpësi, por rrugë për të dashur, pa zotëruar. Shikon se bindja nuk është disiplinë, por fitore mbi anarkinë tonë, në stilin e Jezusit”.

Sytë e mi panë shëlbimin Tënd - citoi Papa fjalët e Simeonit – i cili shikon Jezusin, të përvujtin, që erdhi për të shërbyer e jo për t’u shërbyer e, prej këndej, e quan veten “shërbëtor”. Si Simeoni, edhe rregulltari nuk pret që ta nisin të tjerët shërbimin, por mëson nga Jezusi të jetojë për të shërbyer. Dhe lyp hirin, që të mund ta kërkojë Jezusin në vëllezërit e motrat. Ndërsa nis ta vërë në jetë dashurinë e krishterë në vendin ku jeton, duke i pranuar vëllezërit e motrat me varfërinë e tyre, ashtu si Simeoni e pranoi Jezusin  e thjeshtë e të varfër:

“Sot shumëkush shikon në të tjerët vetëm  pengesa e ndërlikime… Ndërsa rregulltarët e rregulltaret, burra e gra që jetojnë për t’i përngjarë Krishtit, janë të thirrur ta shikojnë botën me sytë e Tij, sy plot me mëshirë, sy që shikojnë të largtit, që nuk dënojnë, por inkurajojnë, çlirojnë, ngushëllojnë”.

Sytë që shpresojnë, shohin Shëlbimin

Sytë e Simeonit e shikojnë shëlbimin, sepse e prisnin - nënvizoi Papa -  Ishin sy, që prisnin, shpresonin, kërkonin dritën! Dhe e panë dritën! Ishin sy të plakur, por përplot me dritën e shpresës. E sytë e të kushtuarve nuk mund të jenë tjetër, veçse sy të mbushur plot me dritë, sy, që nuk e humbasin kurrë shpresën. Sytë e Simeonit e të Anës, që shpresojnë gjithnjë, sepse nuk e humb kurrë shpresën kush është gjithnjë pranë Zotit, ditë natë me lutje e agjërim.

Sekreti i jetës rregulltare

Prej këndej, Papa u ndal kryesisht tek sekreti i jetës rregulltare: “Mos u largoni kurrë nga Zoti. Gurrë shprese. Verbohemi, nëse nuk e  shikojmë Zotin çdo ditë, në se nuk e adhurojmë çdo ditë!”.

E, në përfundim të homelisë, i ftoi vëllezërit e motrat ta falënderojnë Zotin  për dhuratën e jetës së kushtuar e t’i kërkojnë sy të rinj, që dinë ta shikojnë hirin, të kërkojnë të afërmin, të shpresojnë. Atëhere - theksoi me forcë -  sytë tanë do të shohin shëlbimin!   

01 shkurt 2020, 15:45