Kërko

Vatican News

Papa: Kisha t’i zhdukë shpifjet e hipokrizitë!

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa e drejtoi vështrimin nga Siria, ku duket se lufta nuk do të mbarojë kurrë dhe kujtoi përsëri plagën e trafikut dhe u drejtoi gjigantëve të internetit thirrjen të mos kërkojnë gjithnjë duartrokitjet.

R. SH. - Vatikan

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi përsëri thelbin e jetës së të krishterit dhe të Kishës, duke kërkuar të zhduken “shpifjet e hipokrizitë” e të mos kërkohen vetëm “duartrokitjet”.

Françesku foli për një Kishë, që nuk duhet “të mbyllet në vetvete”, përballë padrejtësive të botës. Duhet të flasë. Duhet t’i mbrojë  të drejtët, përballë të padrejtëve!

Gjatë lutjes mariane, Ati i Shenjtë i bëri thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare t’i japë fund konfliktit në “Sirinë e dashur e të martirizuar”. U kërkoi, më pas, gjigandëve të internetit dhe drejtuesve të  rrjeteve shoqërore të marrin të gjitha kundërmasat për t’i vënë pritë përhapjes së rrjeteve kriminale, që i skllavërojnë gratë e fëmijët.

Kisha dhe të krishterët duhet të mësohen ta jetojnë fenë larg skutave, të japin ndihmesën për t’i zhdukur paragjykimet e shpifjet, të përpiqen të hyjë drita e së vërtetës në situatat e prishura nga hipokrizia e nga gënjeshtra - theksoi Papa.

Në Engjëllin e Tënzot, edhe Dita kundër trafikut të njerëzve

Në Engjëllin e Tënzot, edhe Dita kundër trafikut të njerëzve. Për ta shëruar këtë plagë, sepse është plagë e vërtetë, që shfrytëzon të ligshtit, duhet të angazhohen të gjithë: institucione, shoqata e agjenci edukative. Papa u bëri thirrje për përgjegjësi edhe drejtuesve të gjigandëve  të internetit dhe të  rrjeteve shoqërore:

“Në fushën e parandalimit, duke pasur parasysh të dhënat e shumta, duhet sinjalizuar se organizatat kriminale i përdorin gjithnjë më shumë mjetet moderne të komunikimit për t’i joshur viktimat me gjithfarë gënjeshtrash. Prandaj është e nevojshme që, nga njëra anë, të edukohen të rinjtë për përdorimin e mjeteve teknologjike, ndërsa nga ana tjetër, të vigjilohet  e t’u bëhet thirrje për përgjegjësi furnizuesve të shërbimeve të tilla telematike” - nënvizoi Papa.

Një vështrim mbi Sirinë, ku duket se lufta nuk ka fund  

Së fundi Papa e drejtoi vështrimin nga Siria, ku duket se lufta nuk do të mbarojë kurrë:   

“Vijojnë të vijnë lajme të dhimbshme nga veri-perëndimi i Sirisë, posaçërisht lidhur me kushtet në të cilat jetojnë shumë gra e fëmijë, njerëz që detyrohen të ikin nga shkaku i shkallëzimit të veprimeve ushtarake. I përsëris thirrjen bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë aktorëve  në konflikt - përfundoi Papa Françesku -  t’i mbështesin  mjetet diplomatike, dialogun dhe bisedimet, duke respektuar të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare për të shpëtuar jetën dhe fatet e civilëve”.

10 shkurt 2020, 12:07