Kërko

Vatican News

Papa: gjatë Kreshmëve të shkëputemi nga tv-ja e celularët e ta ndjekim kudo Krishtin

Sot, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në atmosferën pendestare të së Mërkurës së Përhime, Françesku i nxiti besimtarët të lidhen ngushtë me Ungjillin, t’i drejtohen me “ti” Zotit e ta vënë në krye të vendit! Në përfundim, thirrja për punonjësit e Air Italy.

R. SH. - Vatikan

Sot, e Mërkura e Përhime, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa i nxiti besimtarët të lidhen ngushtë me Ungjillin. U kujtoi se është koha për t’iu drejtuar Zotit me “ti” e për ta vënë në kryet e vendit. E akoma, kohë për t’iu kushtuar ekologjisë së zemrës, sepse jetojmë në një ambient të ndotur nga dhuna e tepërt verbale, që rrjeti e shumëfishon. Kohë e përshtatshme për ta vënë në qendër të vëmendjes Fjalën e Zotit. Kohë për të mbyllur televizorin e për të  hapur Biblën. Kohë për t’u shkëputur nga celulari  e për t’u lidhur me Ungjillin. Kohë për të ndjekur Jezusin drejt një mori shkretëtirash, që na rrethojnë. E është edhe udhë bamirësie, për t’i përqafuar të varfërit, të moshuarit, të flakurit jashtë radhëve. Kjo, ftesa e Papës drejtuar rreth 12 mijë besimtarëve, që e ndoqën sot audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, pas kremtimeve të  fazës dimërore, në Sallën e Palit VI.

Rropama, që na rrethon

Duke reflektuar mbi Ungjillin e Lukës dhe hyrjen e Jezusit, përplot me Shpirtin Shenjt në shkretëtirë, ku ravgon për 40 ditë “i tunduar nga djalli”, Françesku shpjegoi domethënien e udhës kreshmore, 40 ditë drejt Pashkëve. E quajti “zemër e vitit liturgjik e zemër e fesë” dhe u ndalua tek kuptimi shpirtëror i shkretëtirës që, edhe për kë jeton “në qytetet e mëdha”, është vend i heshtjes së madhe:

“Shkretëtira është vend i shkëputjes nga rropama, që na rrethon.Vend ku heqim dorë nga fjalët, për t’i hapur udhën Fjalës, Fjalës së Zotit, që ashtu si vesa e lehtë, na e freskon zemrën. Shkretëtira është vendi i Fjalës, me shkronjë të madhe”.

Ta hapim e ta shfletojmë Biblën

Sipas Biblës - vijoi Papa - Zoti “dëshiron” të flasë në shkretëtirë, i dorëzon -  kujtoi - Moisiut dhjetë urdhërimet e i flet “zemrës” së popullit. Aty dëgjohet Fjala e Zotit, që është si tingull i lehtë - kujtoi Françesku - e në vijim citoi Librin e Mbretërve, ku fjala e Zotit krahasohet me një fill heshtjeje tingëlluese. Pikërisht në shkretëtirë njeriu e ndjen veten më shumë se kurrë pranë Zotit, e ndjen më shumë se kurrë dashurinë e Tij. Jezusi, që dëshironte të tërhiqej e të lutej në vise të shkreta, na mësoi si duhet ta kërkojmë Atin, që flet në heshtje. Edhe pse nuk është e lehtë, Zoti na fton  të kërkojmë “heshtjen në zemër”. Sepse Kreshmët janë kohë e përshtatshme për t’ia lëshuar kryet e vendit Fjalës së Zotit:

“Është koha për të mbyllur televizorin e për të hapur Biblën. Koha për t’u shkëputur nga celulari e për t’u lidhur me Ungjillin. Kur isha fëmijë – kujtoi Ati i Shenjtë duke folur lirisht - nuk kishte televizorë, por kishte radio. E ishte zakon të mbyllej. Kreshmët janë shkretëtirë, kohë për të hequr dorë nga fjalët e tepërta, të panevojshme! Nga thashethemet! Nga përgojimet. Kohë për t’iu drejtuar Zotit me “ti”. Kohë për të bërë pastrimin e zemrës”.

Rrejti e shumëfishon dhunën verbale

Jetojmë - vërejti në vijim Papa - në një ambient “tepër të ndotur nga dhuna verbale”. Fliten shumë fjalë fyese e të helmatisura, që rrjeti i shumëfishon:

“Sot fyerja përdoret si të ishte thjesht një mirëmëngjes. Zhytemi çdo ditë në fjalë boshe, publicitete, mesazhe mashtruese. E jemi mësuar edhe të dëgjojmë gjithçka, për gjithkënd, duke u rrezikuar, kështu, të shkasim në mendësinë e botës, që ta than zemrën e s’ka bypass që e shëron këtë, përveç heshtjes. E kemi të vështirë ta dëgjojmë zërin e Zotit, që na flet, zërin e ndërgjegjes, zërin e së mirës! Jezusi, duke na thirrur në shkretëtirë, na fton t’ia vëmë veshin gjërave që vlejnë, që janë të rëndësishme, që janë themelore”.

Shkretëtira, vend jete

Ashtu si buka, e edhe më tepër - pohoi Papa, duke vijuar të kujtojë Fjalët e Jezusit - na duhet Fjala e Zotit. Duhet për t’u lutur:

“Vetëm para Zotit dalin në dritë prirjet e zemrës e sjelljet me dy faqe. Prej këndej, shkretëtira është vend jete, jo vdekjeje, sepse dialogu në heshtje me Zotin, të rijep jetë”.

Të rizbulojmë atë, që vlen me të vërtetë

Shkretëtira - pohoi akoma Françesku - është vendi i themelores. Ja pse na nxit t’i shqyrtojmë mirë jetët tona:

“Sa gjëra të kota na rrethojnë! Shkojmë pas gjërave, që na duken të nevojshme, po që në të vërtetë nuk vlejnë fare. Sa mirë do të bënim të liroheshim nga shumë gjëra të tepërta, për të zbuluar atë, që vlen me të vërtetë. Edhe për këtë Jezusi na jep shembullin e vet, duke agjëruar! Të agjërosh, do të thotë të heqësh dorë nga sendet e kota, të tepërta, për të shkuar tek themelorja. Agjërimi nuk bëhet vetëm për t’u dobësuar. Bëhet kryesisht për të kërkuar bukurinë e një jete më të thjeshtë”.

Udha e mëshirës

Duke e shikuar shkretëtirën si vend vetmie, shikimi i Papës u përqendrua mbi atë, që  na rrethon:

“Edhe sot pranë nesh ka një mori shkretëtirash. Ka shumë njerëz të vetmuar. Njerëz që jetojnë vetëm. Të braktisur. Sa të varfër e të moshuar kemi pranë, që jetojnë në heshtje, pa potere, të përjashtuar, të harruar! T’u flasësh atyre nuk përbën lajm. Po shkretëtira na çon pikërisht tek ata, drejt atyre që, të detyruar të heshtin, kërkojnë pa zë ndihmën tonë. Sy të panumërt na shikojnë, për të kërkuar ndihmë. Udha e shkretëtirës është pikërisht shteg kreshmor, udhë dashurie të krishterë, drejt njeriut të ligësht”.

Sythe e bimë

Udha në shkretëtirën kreshmore - përfundoi Papa - është udhë e lutjes, e agjërimit, e veprave të mëshirës”,  udhë që na çon nga vdekja në jetë:

“Të hyjmë në shkretërirë me Jezusin, e do të dalim duke shijuar Pashkët, pushtetin e dashurisë së Zotit që  e rinon jetën. Do të na ndodhë edhe ne  ashtu si u ndodh shkretëtirave, që lulëzojnë në pranvetrë, ku papritur mbijnë nga asgjëja sythe, bimë e lule. Guxim, pra, të hyjmë në shkretëtirën e Kreshmëve, ta ndjekim Jezusin në shkretëtirë; me Të, edhe shkretëtirat tona do të lulëzojnë!”.

26 shkurt 2020, 13:37