Kërko

Vatican News
Papa Françesku, në seminarin me ekonomistët në Vatikan (pranë Papës, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombetar, Kristalina Georgieva; ministri argjentinas i ekonomise, Martin Guzman dhe Sekretarja Ekzekutive e Komisionit Ekonomik të OKB-së për Amerikën Latine dhe Karaibet, Alicia Barcena Ibarra) Papa Françesku, në seminarin me ekonomistët në Vatikan (pranë Papës, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombetar, Kristalina Georgieva; ministri argjentinas i ekonomise, Martin Guzman dhe Sekretarja Ekzekutive e Komisionit Ekonomik të OKB-së për Amerikën Latine dhe Karaibet, Alicia Barcena Ibarra) 

Papa Françesku takohet me ekonomistët në Vatikan: pakt global kundër pabarazive

Papa Françesku mori pjesë sot në seminarin e organizuar në Casina Pio IV, në Vatikan, ku janë mbledhur ekonomistë, ministra financash, bankierë, me synimin për të dhënë propozime mbi shpërndarjen më të mirë të pasurive botërore. Gjatë 30 viteve të fundit, është vënë re se janë rregullat, pra, struktura e marrëdhënieve ekonomike, që shkakton pabarazi.

R.SH. - Vatikan

Filloi me një sërë shifrash, ndërhyrja e Papës Françesku në seminarin, që po mbahet në Vatikan, me titull “Forma të reja vëllazërimi solidar, gjithëpërfshirjeje, integrimi dhe risimi”. Ati i Shenjtë vuri në dukje para ekonomistëve, financierëve, bankierëve dhe ekspertëve të nivelit të lartë, mbledhur nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore në Shtëpinë Piu IV, se 50 veta në botë kanë një pasuri të tillë, që mund të financojë asistencën mjekësore dhe arsimimin e çdo fëmije të varfër të globit. Këta 50 njerëz, të vetëm, mund të shpëtojnë miliona jetë, çdo vit.

Të zgjedhim çfarë dhe kujt t’i jepet përparësi

Papa shkoi pasdite në takimin e ekonomistëve, që synojnë të japin propozime të vlefshme për ndryshimin e paradigmës ekonomike botërore e për shpërndarjen më të drejtë të pasurive globale. Vërtet, sipas OKB-së, 1% e popullsisë së 18 vendeve, ndër të cilat SHBA-të, Rusia, India dhe Brazili, zotëron më se 20% të pasurisë botërore.

“Një botë e pasur dhe një ekonomi e gjallë – theksoi Papa Françesku - mund dhe duhet t’i japin fund varfërisë. Mund të lindin e të promovohen dinamika të afta për të përfshirë, ushqyer, kujdesur dhe veshur të fundmit e shoqërisë, në vend që të përjashtohen ata. Duhet të zgjedhim çfarë dhe kujt t’i jepet përparësi: nëse duhet të favorizojmë mekanizma shoqëroro-ekonomike humanizuese për tërë shoqërinë ose, përkundrazi, të nxisim një sistem, që, në fund të fundit, i justifikon disa praktika, të cilat s’bëjnë tjetër, veçse rrisin nivelin e padrejtësisë dhe të dhunës shoqërore. Niveli i pasurisë dhe i teknikës së arritur nga njerëzimi, si edhe rëndësia e vlera që kanë fituar të drejtat e njeriut, nuk lejojnë më justifikime. Duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjithë kemi përgjegjësi”.

Të ndryshohen rregullat e ekonomisë

Sipas ekonomistëve të mbledhur në Vatikan me dëshirën e Atit të Shenjtë, nevojitet një pakt global për të ndryshuar rregullat e ekonomisë, sidomos në nivelin ndërkombëtar. Nuk mjafton të korrigjohen pabarazitë me ndërhyrje të tipit asistencialist, pa ndryshuar bazën, që i shkakton ato. Kjo lloj politike, u nënvizua në seminar, mund të kishte rezultat deri pak vite më parë, kur pabarazitë ishin nën kontroll, por, gjatë 30 viteve të fundit, është vërejtur qartë se janë pikërisht rregullat, pra, strukturat e marrëdhënieve ekonomike, ato që krijojnë pabarazi, pavarësisht nga vullneti i njerëzve. Ekonomistët, mbledhur në Vatikan bashkë me Papën Françesku, e konsiderojnë sukses të madh edhe vetë faktin që bota ta kuptojë këtë problematikë, pasi shumë mendojnë se ata, që aktualisht ndodhen në fund të shkallës shoqërore, nuk kanë aftësi të majftueshme, ose nuk impenjohen sa duhet. Kjo është e vërtetë vetëm pjesërisht e jo për të gjithë, u tha në takim. Sot, denoncojnë pjesëmarrësit në seminar, pabarazitë shkaktohen nga mënyra e funksionimit të financës spekulluese ndërkombëtare.

05 shkurt 2020, 16:35