Kërko

Vatican News
Plenaria Pontificio Consiglio per i Testi Legislativi   2020.02.21 Plenaria Pontificio Consiglio per i Testi Legislativi 2020.02.21   (Vatican Media)

Papa: “Diktaturat lindin e rriten pa drejtësi, por në Kishë nuk mund të ndodhë kjo!”.

Papa Françesku, gjatë takimit me Këshillin e teksteve ligjore, pohoi me forcë se diktaturat lindin pa drejtësi, por në Kishë nuk mund të ndodhë kjo!

R. SH. - Vatikan

“Duhet rifituar e thelluar kuptimi i vërtetë i së drejtës në Kishë, korp mistik i Krishtit, ku vendin e parë e zënë  Sakramentet, ndërsa norma juridike luan një rol të nevojshëm, por gjithnjë në vartësi të shërbimit e të bashkimit”. Këtë theksoi sot Papa, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e plenares së Këshillit Papnor të teksteve ligjore,  detyra e të cilit - shpjegoi  -  është të favorizojë  “formimin e vërtetë juridik në Kishë, që  ta bëjë të kuptueshme baritorinë e së drejtës kanonike dhe nevojën e saj për të nderuar virtytin e drejtësisë, i cili duhet pohuar dhe garantuar gjithnjë”.

Në këtë perspektivë, Françesku kujtoi ftesën, më aktuale se kurrë, të Benediktit XVI, drejtuar seminaristëve, me vlerë për të gjithë besimtarët: “Mësohuni ta kuptoni e edhe ta doni të drejtën kanonike, nevojën e saj e edhe zbatimin e saj praktik: një shoqëri pa drejtësi, do të ishte shoqëri pa të drejta!”. Njohja dhe zbatimi i ligjeve të Kishës nuk është pengesë për “pseudoefikasitetin” baritor të atyre, që duan  t’i zgjidhin problemet pa të drejtë - saktësoi Papa - përkundrazi, është garanci  për kërkimin e rrugëzgjidhjeve jo arbitrare, por me të vërtetë të drejta e, prej këndej, edhe me të vërtetë baritore. “Duke i shmangur  zgjidhjet  arbitrare,  e drejta bëhet kështjellë me vlerë në mbrojtje të të fundmëve e të të varfërve, mburojë për ata, që rrezikohen të bien viktimë e njerëzve të pushtetshëm të turnit”. 

Këtë theksoi Papa, duke kujtuar më pas: “Ne shikojmë sot se në këtë kontekst të luftës botërore copa-copa, mungon gjithnjë drejtësia. Diktaturat lindin e rriten pa drejtësi. Po në Kishë kjo nuk mund të ndodhë”. Edhe ligji penal është mjet baritor e si i tillë duhet parë e duhet pranuar – porositi Françesku. - Sipas tij, ipeshkvi duhet të jetë  gjithnjë i vetëdijshëm  se në Kishën e tij, ku është caktuar si bari e udhëheqës, është edhe gjykatës  për besimtarët, që iu besuan.

E duhet të ketë gjithnjë parasysh se dënimi penal është ilaçi i fundit e duhet përdorur vetëm atëhere, kur të gjitha udhët e mundshme  për  të  arritur në zbatimin  e ligjit,  qenë  pa fryt: “Në kundërshtim me atë, që parashikohet nga legjislatori shtetëror, dënimi kanonik ka gjithnjë kuptim baritor. Pra, jo vetëm funksionin e respektimit të ligjit, por edhe të korrigjimin e, posaçërisht, të mirën e vetë fajtorit. Synon që fajtori të rikthehet, përsa është e mundur, në gjendjen para  shkeljes së ligjit. Çdo krim i intereson mbarë Kishës, bashkimi i së cilës dhunohet nga ata, që  sillën  në kundërshtrim me të”.

Më pas porosia: “Të azhurnohet normativa penale, për ta bërë më organike e më në përkim me situatat dhe problematikat e kontekstit aktual shoqëroro-kulturor e, njëherësh, të ofrohen mjetet e përshtatshme për ta lehtësuar zbatimin e saj”. E kjo ishte edhe porosia përfundimtare e Papës gjatë këtij takimi.    

21 shkurt 2020, 13:35