Kërko

Vatican News

Një vit më parë, nënshkrimi i Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor

Më 4 shkurt 2019, Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit nënshkruan Deklaratën e Abu Dabit, ftesë e fuqishme për të rizbuluar se njerëzit janë të gjithë vëllezër e motra, se duhet promovuar drejtësia e paqja, duke garantuar të drejtat e njeriut dhe lirinë fetare.

R.SH. - Vatikan

Kaloi një vit nga nënshkrimi i “Dokumentit për vëllazërimin njerëzor, paqen dhe bashkëjetesën botërore”. Më 4 shkurt 2019, në Abu Dabi, Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayib, vendosën një gur kilomentrik në marrëdhëniet ndërmjet krishterimit dhe islamit, duke dëshmuar se kultura e dialogut, bashkëpunimi dhe njohja e ndërsjellë mund t’i shërbejnë si busull gjithë njerëzimit. Dokumenti është thirrje për t’u dhënë fund luftrave dhe për të dënuar terrorizmin e dhunën, veçanërisht atë, që vishet me arsye fetare. “Feja - lexohet në parathënie - e bën besimtarin të shohë tek tjetri vëllain për t’u përkrahur e për t’u dashur”.

Të promovohet toleranca dhe drejtësia

 Dokumenti u kërkon të gjithëve të impenjohen “për të përhapur kulturën e tolerancës, bashkëjetesës dhe paqes”, duke u dhënë fund konflikteve, shkatërrimit të ambientit dhe degradimit kulturor e moral. Kërkon edhe “shpërndarjen e barabartë të pasurive natyrore, nga e cila përfiton vetëm një pakicë e pasur, në dëm të shumicës së popujve të tokës”.

Të mbrohet familja dhe jeta

 Të dy krerët kujtojnë “sa thelbësore është familja” dhe respekti për jetën: “Ne dënojmë të gjitha praktikat e kërcënimit të jetës si gjenocidet, aktet terroriste, shpërnguljet e detyruara, trafikimin e organeve njerëzore, abortin dhe eutanazinë, si edhe politikat që i mbështesin”, shkruhet në Dokument.

Të mos përdoret emri i Zotit për vrasje

Përveç kësaj, Papa dhe Imami i Madh i Al-Azharit deklarojnë “se fetë nuk nxisin kurrë luftë dhe ndjenja urrejtjeje, armiqësie, ekstremizmi, as ftojnë për dhunë e gjakderdhje. Këto krime janë rezultat i devijimit nga mësimet e fesë, vijnë nga përdorimi politik i feve dhe nga interpretimet e grupeve të ndryshme fetare”. Prandaj, u kërkohet të gjithëve “të mos e përdorin emrin e Zotit për të justifikuar aktet e vrasjes, mërgimin, terrorizmin dhe shtypjen”. Papa dhe Imami i Madh kujtojnë se “Zoti, i Plotfuqishmi, nuk ka nevojë të mbrohet nga askush dhe nuk dëshiron që emri i Tij të përdoret për të tmerruar njerëzit”.

Liria fetare

Deklarata kujton se “liria është e drejtë e çdo njeriu: secili gëzon lirinë e besimit, të mendimit, të shprehjes dhe të veprimit. Pluralizmi dhe larmia e feve, e ngjyrave, e seksit, e racës dhe e gjuhës vijnë nga vullneti i urtë hyjnor”. Prandaj, Dokumenti dënon “detyrimin e njerëzve për t’iu përmbajtur një feje, ose një kulture të caktuar, si edhe imponimin e një stili qytetërimi, që të tjerët nuk e pranojnë”.

Të mos diskriminohen pakicat

Dokumenti nënvizon se “duhet të përpiqemi të pranohet e të zbatohet koncepti i qytetarisë së plotë në shoqëritë tona, duke hequr dorë nga përdorimi diskriminues i termit ‘pakicë’, i cili mbart farën e izolimit dhe të inferioritetit”.

Të njihen të drejtat e grave

Gjithashtu, thekson “nevojën e domosdoshme për t’u njohur grave të drejtën për arsim, për punë, për ushtrimin e të drejtave të tyre politike”. Gruaja duhet “liruar nga presionet historike dhe shoqërore, në kundërshtim me parimet e fesë dhe të dinjitetit të saj. Gjithashtu, ajo duhet mbrojtur nga shfrytëzimi... Për këtë arsye, duhet të ndalen të gjitha praktikat çnjerëzore dhe zakonet vulgare, që e poshtërojnë dinjitetin e grave dhe duhet punuar për të ndryshuar ligjet, që i pengojnë gratë të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre”.

Edukimi në shkolla dhe universitete

Së fundi, kërkohet që “ky Dokument të bëhet objekt shqyrtimi dhe reflektimi në të gjitha shkollat, universitetet dhe institutet arsimore e formuese” dhe “simbol i përqafimit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet Veriut dhe Jugut”.

Fetë janë ura ndërmjet popujve

Deklarata për Vëllazërimin Njerëzor u nënshkrua në fund të Takimit Ndërfetar në Founder’s Memorial të Abu Dabit, etapë e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 3 deri më 5 shkurt 2019. Gjatë takimit, Papa tha: “Nuk ka alternativë: ose do ta ndërtojmë të ardhmen së bashku, ose nuk do të kemi të ardhme. Veçanërisht fetë nuk mund të heqin dorë nga detyra urgjente e ndërtimit të urave ndërmjet popujve dhe kulturave. Ka ardhur koha që fetë të impenjohen më aktivisht, me guxim dhe largpamësi, pa u shtirur, për ta ndihmuar familjen njerëzore të formojë aftësi për pajtim, për vizione shprese dhe për shtigje konkrete të paqes”.

03 shkurt 2020, 12:52