Kërko

Vatican News
2020.02.02 Angelus 2020.02.02 Angelus  (Vatican Media)

Papa: i krishteri i vërtetë është dinamik e nuk lodhet së ecuri udhёs sё Zotit

Në festën e Paraqitjes së Zotit në tempull, Papa, në lutjen mariane, kujtoi se bota ka nevojë për të krishterë që ecin rrugëve tё jetës, duke u sjellë të gjithëve Fjalën ngushëlluese të Jezusit. Pastaj, në Ditën e Jetёs sё Kushtuar, Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi burrat dhe gratё që punojnë me "kaq përkushtim", madje, shpesh nё heshtje "fshehurazi".

R.SH. - Vatikan

“Të ecim pas” mësimeve tё Jezusit, i cili ёshtё "dhuratë e Zotit për ne", në mënyrë që të lëvizim në shërbim të vëllezërve, sipas vokacionit tonë qё kemi në "misionin ungjillëzues" të kumtimit të Krishtit. Kjo thirrja e Papës gjatë lutjes sё Engjёllit Tёnzot, kremtuar sot nё mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan, në ditën e festës së Paraqitjes së Krishtit në Tempull, në të cilёn - kujtoi - bie edhe Dita e jetës sё kushtuar, Dita e jetës rregulltare, që na kujton "thesarin e madh" në Kishë tё atyre që e ndjekin Zotin "nga afër", duke mishëruar dhe dëshmuar "këshillat ungjillore”

Ungjilli i kёsaj feste nga Luka thotë se, dyzet ditë pas lindjes, prindërit e Jezusit e çuan Fëmijën nё Jerusalem pёr t’ia kushtuar Hyjit, siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ – dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin hebraik; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash’. Dhe ndërkohë që përshkruan ritualin e traditës, ky episod  na sjell para vëmendjes sonë shembullin e disa personazheve, pikёrisht nё momentin kur ata takohen me Zotin, nё vendin nё tё cilin Ai bёhet i pranishëm dhe afër njeriut. Është fjala pёr Marinë e Jozefin, Simeonin dhe Anën, të cilët përfaqësojnë modelet e pranimit e tё dhurimit të jetës.

Ta udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt

Nё Tempull ishin tё pranishëm njerëz tё ndryshëm, vërejti Papa, por “tё gjithё e kërkonin Zotin dhe ecnin udhës sё tij”. Luka ungjilltar na përshkruan qëndrimin e tyre në lëvizje e plot mahnitje. Maria e Jozefi ecnin drejt Jerusalemit; Simeoni, "i nxitur nga Shpirti", shkon në tempull, Ana i shërben Zotit "ditë e natë pa pushim".

Ata na tregojnë, shpjegoi Papa Françesku, se jeta e krishterë kërkon "dinamizëm" dhe "gatishmëri" për të ecur udhёve tё jetёs, pikërisht "duke lënë veten të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt".

Palëvizshmëria nuk përshtatet e nuk përkon me dëshminë e krishterë dhe misionin e Kishës. Bota ka nevojë për të krishterë që vihen nё lëvizje, që nuk lodhen së ecuri rrugёve tё jetës, për t’u sjellë të gjithëve fjalën ngushëlluese të Jezusit. Çdo person i pagëzuar ka marrë thirrjen apo vokacionin  e kumtimit – pёr kumtuar diçka, për të shpallur Jezusin-,  thirrjen për misionin ungjillëzues, do tё thotё: për të kumtuar Jezusin! Famullitë dhe komunitetet e ndryshme kishtare janё tё thirrura për të nxitur angazhimin e të rinjve, familjeve dhe të moshuarve, në mënyrë që tё gjithё ta përjetojnë e tё kenë një eksperiencë të krishterë, duke e jetuar si protagonistë jetën dhe misionin e Kishës.

Aftësia për t’u mahnitur

Maria e Jozefi , vazhdoi Papa, mahniten nga gjёrat që njerёzit thoshin për Jezusin. Mahnitja është një "reagim i qartë" qё karakterizon edhe Simeonin e moshuar, "i cili në Jezusin Fёmijё e sheh me sytë e tij shёlbimin qё e bёri gati Hyji në favor të popullit të vet", atë shёlbim, shtoi Ati i Shenjtë Bergoglio, qё e "kishte pritur me vite". E njëjta gjë vlen edhe për Anën, sepse edhe ajo fillon të lëvdojë Zotin. Papa Françesku e quan atë "shenjtore qё s’i pushon goja", në kuptimin që "fliste për gjëra të mira", jo për "gjëra të këqija", pra, e "kumtonte" Jezusin.

Këto figura besimtarësh u pushtuan nga mahnitja, sepse qenë pushtuar e përfshirë nga ngjarjet qё ndodhnin para syve tё tyre. Aftësia për t'u mahnitur nga gjërat që na rrethojnë, favorizojnë përvojën fetare dhe e bëjnë tё frytshëm takimin me Zotin. Përkundrazi, paaftësia për t’u mahnitur na bën indiferent dhe zgjeron distancën ndërmjet udhës së fesë dhe jetës së përditshme. Vëllezër e motra, duhet tё jemi gjithmonë nё lëvizje e të hapur ndaj mahnitjes!

Lutja pёr tё pёrkushtuarit dhe rregulltarёt

Papa ia drejtoi lutjen Virgjrës Mari që tё na ndihmojë të kundrojmë çdo ditë në Jezusin, "Dhuratën e Zotit për ne", dhe që “të përfshihemi në lëvizjen e dhuratës", me mahnitje tё "gëzueshme", në mënyrë që e gjithë jeta jonë të bëhet lavd i Zotit “në shërbim të vëllezërve tanë". Pastaj pas recitimit të lutjes sё Engjëllit Tёnzot, Papa Françesku kujton Ditën e sotme të jetës së kushtuar, e kërkoi njё lutje dhe duartrokitje për të gjithë të rregulltarё e rregulltaret.

Do të doja qё të gjithë ne në Shesh të luteshim për burrat dhe gratë pёrkushtuar që bëjnë kaq shumë punë e madje shumë herë e bёjnё nё heshtje e fshehurazi.

Dita e Jetës së Kushtuar

Siç e kujtoi edhe Papa, sot nё ditёn e kremtimit tё festes së Paraqitjes së Jezusit në tempull, mё 2 shkurt, bie edhe Dita e Jetës së Kushtuar. Kisha ka dashur ta bëjë të përputhen këto ngjarje, duke kujtuar se kjo ditë e jetёs rregulltare, ka për qëllim ta ndihmojë tërë Kishën që ta vlerësojë gjithnjë e më tepër dëshminë e personave që kanë zgjedhur të ndjekin Krishtin më për së afërmi përmes këshillave ungjillor dhe njëkohësisht dëshiron të jetë për njerëzit e kushtuar rast i volitshëm që të ripërtrijnë premtimet dhe të rigjallërojnë ndjenjat e karizmat që duhet ta frymëzojne dhurimin e tyre, që ia kanë bërë Zotit. Kjo ditë realisht, në të cilën rregulltarёt e rregulltaret ripërtërijnë edhe kushtimin e tyre Zotit, dëshiron dhe duhet të jetë një moment lutjeje, pushimi dhe reflektimi shpirtëror, pёr të shikuar përpara me besim, duke besuar në besnikërinë e Hyjit dhe nё fuqinë e hirit të Tij, i cili është i aftë të veprojë gjithmonë gjëra të mrekullueshme!

Në fund tё lutjes sё Engjёllit Tёnzot Papa përshëndeti shtegtarët e pranishёm nё Sheshin e Shёn Pjetrit, ardhur nga Italia dhe vendet e ndryshme tё botёs, ndёr ta Papa përshëndeti shtegtarët polakë e japonezë.

02 shkurt 2020, 16:37