Kërko

Vatican News

Papa trupit diplomatik pranë Vatikanit, për krizën Iran-SHBA: të shmanget konflikti

Thirrja e Papës Françesku për të shmangur shkallëzimin e konfliktit Iran-SHBA, në qendër të fjalimit të tij para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. Për refugjatët nevojiten “zgjidhje të qëndrueshme”, Mesdheu është kthyer në “varrezë”; krizat në Jemen dhe Libi janë “terren” për “plagën” e trafikimit të njerëzve; duhet të “mbështesim procesin e paqes në Tokën Shenjte”; përkushtimi i të rinjve për të “ ndërgjegjësuar botën mbi ndryshimin e klimës”; BE-ja mbetet garanci për zhvillim, por “mos e humbni ndjenjën e solidaritetit dhe të dashurisë së krishterë”: në fjalën e tij, Ati i Shenjtë e hedh vështrimin me shpresë edhe në tragjeditë, që përshkojnë botën.

R.SH. - Vatikan

Megjithëse viti i ri hapet me tensione dhe dhunë, para së gjithash, të mos e harrojmë kurrë shpresën. Me “realizëm”, por duhet të shpresojmë gjithmonë. E pas këtyre fjalëve inkurajimi “universal”, Papa Françesku bën thirrje për dialog, vetëkontroll dhe ligjshmëri ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve, duke kërkuar impenjim për të shmangur një konflikt më të gjerë, i cili mund të shpërthejë si rezultat i krizës ndërmjet dy vendeve, që po luhet në Irak. Rasti është fjalimi tradicional para Trupit Diplomatik në Selinë e Shenjtë, për shkëmbimin e urimeve në fillim të vitit. Papa Françesku i takoi diplomatët sot paradite, në një audiencë të shumëpritur, pasi e gjithë bota dëshironte të dinte qëndrimin e Papës dhe të Vatikanit për krizat aktuale.

Ky është takimi vjetor, në të cilin Papa hedh vështrimin mbi problemet dhe tensionet e botës, në një fjalim, që më pas, kthehet në mjet për deshifrimin e gjeopolitikës së Vatikanit. Për gati 40 minuta, i duartrokitur ngrohtë nga të pranishmit, Ipeshkvi i Romës reflektoi mbi çështje të ndryshme, të ndjeshme dhe delikate, që kanë të bëjnë me krejt planetin. Për refugjatët, kërkoi “zgjidhje të qëndrueshme”, duke denoncuar se Mesdheu është kthyer në “varrezë”. Për krizat në Jemen dhe Libi nënvizoi se janë “terren” për “plagën” e trafikimit të njerëzve. Përsëriti nevojën për të “mbështetur procesin e paqes në Tokën Shenjte”.

Papa Françesku shprehu vlerësim për aktivizmin e të rinjve në ndërgjegjësimin e botës për “ndryshimin e klimës”. Për Bergoglio-n, BE-ja mbetet garanci zhvillimi, por nuk duhet të humbasë “ndjenjën e solidaritetit dhe të dashurisë së krishterë”. Ati i Shenjtë foli ashpër kundër gjuhës së urrejtjes në internet dhe në media. Vuri në dukje se kundër abuzimit seksual nga ana e disa anëtarëve të klerit, është përcaktuar tashmë udha e bashkëpunimit të Kishës me autoritetet civile. E së fundi, i uroi Italisë të përjetojë një “Rilindje” të re.

Përshëndetja e dekanit të Trupit Diplomatik
Përshëndetja e dekanit të Trupit Diplomatik

Ta fillojmë vitin e ri me shpresë

 Janë 183 shtetet, që aktualisht kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë. Atyre u shtohen Bashkimi Evropian (BE) dhe Urdhri Sovran ushtarak i Maltës. Në Romë, i kanë ambasadat 89 vende, përfshirë Shqipërinë, e ngarkuara me punë e së cilës, znj. Majlinda Dodaj, mori sot pjesë në takimin me Papën.

Hapet një vit i ri “para nesh – e nisi fjalën Françesku – e si vaji i një fëmije të porsalindur, na fton të gëzohemi e të shpresojmë”. Papa deshi që kjo fjalë - shpresa – “që për të krishterët është virtyt themelor, të gjallërojë vështrimin me të cilin hyjmë në kohën që na pret”. Sigurisht, “shpresa kërkon realizëm - është i vetëdijshëm Françesku - kërkon ndërgjegjësim për shumë çështje të epokës sonë, me sfidat e saj në horizont. Kërkon që problemet të thirren me emrin e tyre e që ne t’i përballojmë me guxim”.

Viti 2020 “nuk duket i yjëzuar nga shenja inkurajuese, por më së shumti, nga shkallëzimi i tensioneve dhe i dhunës”. Gjithsesi, për Papën, “pikërisht në dritën e këtyre rrethanave, nuk mund të reshtim së shpresuari. E shpresa kërkon guxim. Kërkon vetëdijen se e keqja, vuajtja dhe vdekja nuk do të mbizotërojnë dhe që, edhe pyetjet më të ndërlikuara mund dhe duhet të përballohen e të zgjidhen”. Shpresa “është virtyti që na vë për udhë, na jep krahë për të ecur përpara, edhe kur pengesat duken të pakapërcyeshme”.

Gjatë fjalimit të Papës
Gjatë fjalimit të Papës

Çështja e abuzimeve

 Ati i Shenjtë vijoi me udhëtimet apostolike, që bëri gjatë vitit 2019, duke i përshkuar të gjitha në fjalimin e tij, për të nxjerrë në dritë problematikat. Duke folur për Panamanë, ku shkoi me rastin e Ditës së 34-të Botërore të Rinisë, Papa vuri në dukje se “takoi të rinj nga pesë kontinentet, plot ëndrra dhe shpresa, mbledhur për t’u lutur dhe për ta gjallëruar dëshirën e impenjimin për një botë më njerëzore”. Për Françeskun, të rinjtë  janë e ardhmja dhe shpresa e shoqërisë, por, vërejti, “siç dihet fatkeqësisht, jo pak të rritur, përfshirë disa anëtarë të klerit, janë përgjegjës për krime të rënda kundër dinjitetit të të rinjve, fëmijëve dhe adoleshentëve, duke u dhunuar pafajësinë dhe intimitetin”. Këto janë krime “që fyejnë Zotin, shkaktojnë dëme fizike, psikologjike dhe shpirtërore tek viktimat dhe dëmtojnë jetën e bashkësive të tëra”. Pas Takimit me episkopatet e gjithë botës, në Vatikan, shkurtin e kaluar, “Selia e Shenjtë rinovoi angazhimin e saj për të hedhur dritë mbi abuzimet e bëra dhe për të siguruar mbrojtjen e të miturve, përmes një spektri të gjerë normash, që lejojnë të përballohen këto raste në kuadrin e së drejtës kanonike dhe përmes bashkëpunimit me autoritetet civile, në nivel lokal dhe ndërkombëtar”.

Pakti edukativ

Përballë “plagëve kaq të rënda është edhe më urgjente që të rriturit të mos heqin dorë nga detyra e tyre edukative”, madje, vijoi Papa, “ta marrin këtë angazhim me zell më të madh për t’i çuar të rinjtë drejt pjekurisë shpirtërore, njerëzore dhe shoqërore”. Françesku kujtoi se pikërisht për këtë arsye, më 14 maj, ai vetë promovon “një ngjarje botërore, që do të ketë si temë: Rilidhjen e paktit arsimor global”. Edukimi, vazhdoi ai, “kërkon një dialog të besueshëm me të rinjtë. Mbi të gjitha, janë ata, që na kujtojnë urgjencën e atij solidariteti ndërmjet brezave, i cili, për fat të keq, ka munguar vitet e fundit”. Ati i Shenjtë vërejti: “Në fakt, në shumë anë të botës, ka prirje për t’u mbyllur në vetvete, për të mbrojtur të drejtat dhe privilegjet e fituara, për ta konceptuar botën brenda një horizonti të kufizuar, që i trajton të moshuarit me indiferentizëm e, sidomos, nuk i jep më hapësirë ​​jetës së porsalindur”. Plakja e përgjithshme “e një pjese të popullsisë botërore, veçanërisht në Perëndim, është përfaqësim i trishtuar dhe emblematik i kësaj”.

Salla Regia
Salla Regia

Të rinjtë dhe kthesa ekologjike e gjithanshme

Papa Françesku kërkoi t’u jepet hapësirë të rinjve e shpresës së tyre, sepse kur ata impenjohen, ndryshojnë botën. Shembull për këtë është “mënyra me të cilën shumë të rinj po punojnë për të ndërgjegjësuar liderët politikë mbi çështjen e ndryshimit të klimës”. Kujdesi “për shtëpinë tonë të përbashkët duhet të jetë shqetësim i të gjithëve e jo objekt kundërvënieje ideologjike ndërmjet botëkuptimeve të ndryshme mbi realitetin, e as ndërmjet brezave, pasi, në kontakt me natyrën - siç kujtoi Benedikti XVI – njeriu gjen përmasën e drejtë, rizbulon se është krijesë e Zotit, e vogël, por njëkohësisht unike”. Ruajtja “e vendit, që Krijuesi na dha për të jetuar, nuk mund të lihet pas dore, ose të reduktohet në një problem elitar”. Pikërisht të rinjtë, nënvizoi Papa, “na kujtojnë nevojën urgjente për kthesë ekologjike”. Ati i Shenjtë përmendi dështimet e politikës ndërkombëtare në këtë fushë, duke përfshirë edhe konferencën e fundit mbi klimën në Madrid, Cop25. “Fenomeni i ngrohjes globale – theksoi – kërkon përgjigje kolektive”, që e bën të mirën e përbashkët të mbizotërojë mbi interesat e veçanta.

Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor

Në udhëtimin e tij të dytë gjatë vitit 2019, në Emiratet e Bashkuara Arabe, “vizita e parë e një pasardhësi të Pjetrit në Gadishullin Arabik”, Papa nënshkroi në Abu Dabi, së bashku me imamin e madh të Al-Azhar-it, Ahmad al-Tayib, “Dokumentin për vëllazërimin njerëzor, për paqen dhe për bashkëjetesën botërore”. Është fjala për një tekst të rëndësishëm, që synon të promovojë mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, si edhe bashkëjetesën në shoqëritë gjithnjë më shumëetnike dhe shumëkulturore, pasi, duke dënuar me forcë përdorimin e emrit të Zotit për të justifikuar aktet e vrasjes, të mërgimit, të terrorizmit e të shtypjes”, kujton rëndësinë e konceptit të qytetarisë, i cili “bazohet në barazinë e të drejtave dhe të detyrave”. Papa nënvizoi: “Kjo kërkon respekt për lirinë fetare dhe përpjekje për të hequr dorë nga përdorimi diskriminues i termit ‘pakicë’, i cili sjell me vete farat e izolimit dhe të inferioritetit, si edhe përgatit terrenin për armiqësi e mosmarrëveshje, duke i diskriminuar qytetarët mbi bazën e përkatësisë fetare”. Prandaj, “është veçanërisht e rëndësishme të formohen brezat e ardhshëm për dialogun ndërfetar, si udha kryesore për t’u njohur, për t’u kuptuar dje për ta mbështetur njëri-tjetrin, edhe pse anëtarë të feve të ndryshme”.

Toka Shenjte

 Paqja dhe shpresa ishin në qendër edhe të vizitës në Marok. Mendimi i Papës “nuk mund të mos shtrihet në krejt Tokën Shenjte për të kujtuar urgjencën që e gjithë bashkësia ndërkombëtare, me guxim e sinqeritet dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, të rikonfirmojë angazhimin e saj për të mbështetur procesin e paqes izraelito-palestineze”. Për Papën, bashkësia ndërkombëtare duhet të impenjohet më shumë në zonën e Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme. Përmendi luftën në Siri, mbuluar me heshtje, por që kërkon përgjigje largpamëse. Selia e Shenjtë, theksoi Françesku, “mirëpret çdo nismë, që synon hedhjen e bazave për zgjidhjen e konfliktit dhe shpreh sërish mirënjohjen e saj për Jordaninë dhe Libanin, që kanë mirëpritur dhe marrë përsipër, me shumë sakrifica, mijëra refugjatë sirianë . Fatkeqësisht – nënvizoi Ati i Shenjtë - përveç mundimeve të shkaktuara nga mikpritja, faktorë të tjerë pasigurie ekonomike dhe politike, në Liban dhe në shtetet e tjera, po shkaktojnë tensione ndërmjet popullatës, duke rrezikuar më tej qëndrueshmërinë e brishtë të Lindjes së Mesme”.

Përshëndetja e ambasadorëve me Papën
Përshëndetja e ambasadorëve me Papën

Konflikti Iran-SHBA

E ja edhe pjesa e fjalimit, që iu referua konfliktit, i cili shpërtheu me vitin e ri: “Veçanërisht shqetësuese janë sinjalet që vijnë nga i gjithë rajoni, pas rritjes së tensionit ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, sinjale që ka rrezik ta sprovojnë procesin e ngadaltë të rindërtimit të Irakut, si edhe të krijojnë bazat për një konflikt në shkallë më të gjerë, të cilin të gjithë do të donim të shmangej”. Ati i Shenjtë bëri sërish thirrje “që të gjitha palët e interesuara të mos lejojnë shkallëzimin e konfliktit dhe ta mbajnë të ndezur flakën e dialogut dhe vetëkontrollit, duke respektuar plotësisht ligjshmërinë ndërkombëtare”, e këtu Bergoglio përsëriti thirrjen e së dielës, 5 janar, në Engjëllin e Tënzot.

Papa përmendi edhe Jemenin, “i cili po përjeton një nga krizat më serioze humanitare të kohëve të fundit”, por edhe Libinë, “e cila që prej shumë vitesh po përjeton një gjendje konfliktuale, rënduar nga sulmet e grupeve ekstremiste dhe nga ashpërsimi i mëtejshëm i dhunës edhe gjatë këtyre ditëve”. Ky kuadër, denoncoi Françesku, është “terren pjellor për plagën e shfrytëzimit dhe të trafikimit të qenieve njerëzore, ushqyer nga njerëz të paskrupull, të cilët shfrytëzojnë varfërinë dhe vuajtjet e atyre, që largohen nga konfliktet, ose nga varfëria e skajshme”. Ndër ta, “shumë përfundojnë pre e mafieve të vërteta, që i mbajnë në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese dhe i bëjnë objekt torturash, dhune seksuale e grabitjeje”.

Çështja e migracionit

Në përgjithësi, ngriti zërin Ati i Shenjtë, duhet të “theksojmë se ka disa mijëra njerëz në botë, me kërkesa të ligjshme për azil dhe nevoja të verifikueshme humanitare dhe mbrojtëse, që nuk identifikohen si duhet”. Shumë rrezikojnë jetën “në udhëtime të pasigurta përmes tokës e, sidomos, përmes detit. Me dhimbje, vërejmë se si Deti Mesdhe shndërrohet në një varrezë e madhe”. Prandaj, është gjithnjë e më “urgjente që të gjitha shtetet të marrin përsipër përgjegjësinë për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme”.

Përshëndetja e ambasadorëve me Papën
Përshëndetja e ambasadorëve me Papën

Ballkani Perëndimor e krizat e tjera

Duke reflektuar mbi kuadrin evropian, Papa kujtoi “rëndësinë e mbështetjes së dialogut dhe atë të respektimit të ligjshmërisë ndërkombëtare për të zgjidhur ‘konfliktet e vjetra’, që mbijetojnë në kontinent, disa prej të cilave që prej dekadash, por që kërkojnë zgjidhje, duke filluar nga situatat lidhur me Ballkanin Perëndimor dhe me Kaukazin jugor, përfshirë Gjeorgjinë”. Françesku shprehu “inkurajimin e Selisë së Shenjtë në favor të bisedimeve për ribashkimin e Qipros, që do të shtonin bashkëpunimin rajonal, duke favorizuar qëndrueshmërinë e gjithë zonës mesdhetare, si edhe vlerësimin për përpjekjet, që synojnë zgjidhjen e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës dhe fundin e vuajtjeve të popullatës”.

Solidariteti evropian

Ati i Shenjtë  Bergoglio e nxiti Evropën  të mos e humbasë “ndjenjën e solidaritetit, që e ka dalluar për shekuj me radhë, edhe në çastet më të vështira të historisë. Të mos e humbasë atë frymë që i ka rrënjët, ndër të tjera, në ‘pietas’ romake dhe në ‘caritas’ kristiane, të cilat e përshkruajnë mirë shpirtin e popujve evropianë”. Djegia e katedrales Notre Dame në Paris “tregoi sa e brishtë dhe e lehtë është ta shkatërrosh edhe atë që duket e qëndrueshme. Dëmi i pësuar nga një ndërtesë, e dashur, jo vetëm për katolikët, por e rëndësishme për gjithë Francën dhe për mbarë njerëzimin, tërhoqi sërish vëmendjen ndaj temës së vlerave historike dhe kulturore të Evropës dhe ndaj rrënjëve mbi të cilat ngrihet”. Në një kuadër, në të cilin “mungojnë vlerat”, bëhet më e lehtë të gjesh elemente të ndarjes sesa të bashkimit.

30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, vijoi Papa, “u solli të gjithëve para syve një nga simbolet më përçarëse të historisë së fundit të kontinentit, duke na kujtuar sa e lehtë është të ndërtohen barriera”. Muri i Berlinit, theksoi Françesku, “mbetet emblematik për një kulturë përçarjeje, që i largon njerëzit nga njëri-tjetri dhe i hap rrugën ekstremizmit dhe dhunës. Ne e shohim atë gjithnjë e më shumë në gjuhën e urrejtjes, që përdoret gjerësisht në internet dhe në mediat shoqërore - denoncoi Papa. – Në vend të barrierave të urrejtjes, të preferojmë urat e pajtimit dhe të solidaritetit, në vend të gjithçkaje që na largon, të parapëlqejmë atë që na bashkon”.

Përshëndetja e ambasadorëve me Papën
Përshëndetja e ambasadorëve me Papën

Italia e Rilindja

Pastaj, Italia. Papa përmendi 500-vjetorin e vdekjes së Raffaello Sanzio-s, “artistit të madh nga Urbino, i cili ndërroi jetë në Romë, më 6 prill 1520. Rafaelos, i kemi borxh një trashëgimi të madhe bukurie të paçmuar”. Rafaelo, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ishte “bir i rëndësishëm i një epoke, asaj të Rilindjes, që pasuroi tërë njerëzimin. Një epokë jo pa vështirësi, por e frymëzuar nga besimi dhe shpresa”. Përmes këtij “artisti të shquar, - tha Françesku - dëshiroj t’i dërgoj urimet e mia më të mira popullit italian, të cilit i uroj ta rizbulojë frymën e hapjes ndaj së ardhmes, që karakterizoi Rilindjen dhe, që e bëri këtë gadishull kaq të bukur dhe kaq të pasur me art, histori dhe kulturë”.

Françesku iu referua edhe Sudanit të Jugut, “të cilin shpresoj ta vizitoj gjatë këtij viti – u shpreh Papa. Besoj se, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, ata që kanë përgjegjësi politike do ta vazhdojnë dialogun për të zbatuar marrëveshjet e arritura”. E, së fundi, “një mendim i veçantë për një vend që nuk e kam vizituar, për Australinë, e prekur fort gjatë muajve të fundit nga zjarret e vazhdueshme, pasojat e të cilave kanë arritur edhe në rajone të tjera të Oqeanisë”.

09 janar 2020, 12:54