Kërko

Vatican News
 Papa gjatë homelisë, në Meshën e kremtuar në Shën Martë Papa gjatë homelisë, në Meshën e kremtuar në Shën Martë  

Papa në Shën Martë: zilia sjell luftën, po është gjithnjë flluskë sapuni

Në homelinë e Meshës së mëngjesit, Papa Françesku tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga “krimbi i zilisë”, që na shtyn ta gjykojmë keq tjetrin, të hyjmë në konkurrencë me të e ta marrim nëpër gojë, gjë që e vret tjetrin, ndonëse nuk ka kurrfarë baze.

R. SH. - Vatikan

“Të ruhemi nga tenja e zilisë dhe e xhelozisë, që na shtyn t’i gjykojmë keq të tjerët e të hyjmë në konkurrencë në familje, në lagje, në punë. Eshtë farë e luftës, shpërrallimi me vetveten, që e vret tjetrin. Ndonëse, po ta mendojmë punën hollë, nuk zgjat, sepse është krejt pa baza. Thjesht, një flluskë sapuni!”. Papa Françesku, në homelinë e Meshës së mëngjesit, mbajtur në Shtëpinë e Shën Martës,  e nxori këtë mësim të çmuar jete nga Leximi I i propozuar prej liturgjisë, që përshkruan si fryhet xhelozia e Saulit, kundër Davidit.

Papa kujtoi se xhelozia e mbretit, përshkruar në Librin e Samuelit, lind kur dëgjon këngën e fitores, kënduar nga të rinjtë, që lëvdojnë Saulin, sepse vrau një mijë armiq, ndërsa Davidi, dhjetëmijë. Një t’i dëgjuar fjalët e këngës, shpirti i Saulit nis të brehet nga krimbi i zilisë, që e nxit  të niset për ta vrarë Davidin. Zilitë janë kriminale - komentoi Françesku. - Kërkojnë gjithnjë gjak. E atij që thotë: “Po, jam xheloz, po jo vrasës”, Papa i kujton: “Tani je ashtu! Po nëse vijon të brehesh nga tenja e zilisë, mund të përfundosh keq. Sepse tjetri mund të vritet më lehtë me gjuhë, me shpifje, sesa me armë”.

Gjuha - na kujtojnë të parët tanë - kocka s’ka, po kocka thyen!

E xhelozia rritet e rritet, duke folur me vete. Ziliqari është i paaftë  për ta parë realitetin e vetëm ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme mund t’ia hapë sytë. Kështu punon edhe fantazia e Saulit, që arrin deri atje, sa ta shikojë Davidin si vrasës, si armik i rrezikshëm:

“Edhe ne, kur na pushton zilia, xhelozia, bëjmë pikërisht kështu, apo jo? Secili prej nesh nis e mendon: ‘Pse nuk mund ta duroj dot këtë soj njeriu? Pse nuk mund ta shoh me sy këtë tjetrën? Shpesh kërkojmë psenë e përgjigjet janë pothuajse gjithnjë krijesa të fantazisë sonë. Fantazi vërtet, por që rriten e rriten e bëhen lëmsh inatesh, që ta zë grykën. E në fund, është hiri i Zotit, kur  xhelozi takon një realitet, si ai i Saulit: atëhere xhelozia shpërthiqet si flluskë sapuni, sepse zilia e xhelozia nuk kanë jetë të gjatë”.

Saulin e shpëton dashuria e Zotit - pohoi Papa - që i pati kujtuar se po të mos i bindej, do t’ia hiqte mbretërinë. E Françesku tregon episodin biblik me Saulin, që hyn në të njëjtën shpellë, ku kanë hyrë Davidi me të tijtë për nevojat e tyre. Miqtë e nxisin Davidin të përfitojë nga rasti e ta vrasë mbretin, po ai nuk pranon e thotë: “Nuk do të vë kurrë dorë mbi të vajosurin e Zotit”. Shikojmë, kështu, fisnikërinë e shpirtit të Davidit, përballë xhelozisë së Saulit. Ai pret, në heshtje, vetëm një copëz stof nga cepi i mantelit të  mbretit dhe e merr me vete. Kështu – vijoi tregimin Papa -  Davidi del nga shpella dhe thërret Saulin plot respekt: “O Mbret, Zotëria im!”. Edhe pse e di mirëfilli se tjetri  kërkon ta vrasë. E më pas, shton: “Pse ua vë veshin atyre, që të thonë: ‘Davidi mendon vetëm të keqen tënde?’. E i tregon copën e prerë nga manteli e i thotë “Unë kisha mundësi të të vrisja. Po nuk e bëra këtë!”.

Pikërisht kjo - kujtoi Papa - do të thotë" ta shpërthiqësh flluskën e sapunit të zilisë së Saulit”,  që e pranon Davidin si bir dhe nis ta shikojë me sy tjetër realitetin, duke pohuar: “Ti je më i drejtë se unë, sepse ma ktheve të keqen me të mirë”:

“Është hir - vijoi Françesku - kur ziliqari, xhelozi, ndodhet përballë një realiteti, që e shpërthiq flluskën e sapunit - domethënë, vesin e zilisë, të xhelozisë”.

E  na fton të shikojmë në thellësitë e vetvetes, kur tjetri na duket antipatik e nuk duam t’ia shikojmë ‘surratin’. Ta pyesim veten: “Çfarë tenje po ma bren shpirtin tim? Tenjë që rritet e rritet, sepse ai tjetri ka diçka, që unë nuk e kam e prej këndej më grin e më bren zilia”. Ta mbrojmë zemrën tonë nga kjo sëmundje - porosit Papa - që na shkatërron korp e shpirt:

“Duhet të jemi të vëmendshëm, sepse kjo tenjë mund të hyjë në zemrën e  ne të gjithëve, e mund të na shtyjë t’i gjykojmë keq njerëzit, sepse kemi në shpirt farën e konkurrencës. Ai ka e unë jo! Pse? E kështu nis konkurrenca. Nis e na çon drejt luftës në shtëpi, luftës në lagje, në vendpunim. E  pikërisht zilia e xhelozia janë zanafilla e luftës!”.

Duhet të kemi shumë kujdes - përfundoi Papa - kur nisim ta ndjejmë këtë antipati për ndokënd e ta pyesim veten “Pse e ndjej këtë?”. E të mos  lejojmë të na hyjë në shpirt kjo tenjë, që mund të fryhet tepër shpejt, si flluskë sapuni:

“T’i kërkojmë Zotit hirin e një zemre transparente, si ajo e Davidit. Zemër transparente, që ka etje për drejtësi, që kërkon paqe. Zemër mike, që nuk di të vrasë, sepse xhelozia e zilia vrasin!”.

24 janar 2020, 13:16