Kërko

Vatican News

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Zoti nuk na lidh, si idhujt tradhtarë

Ashtu siç ndodh me Mbretërit, takimi me Jezusin na nxit të ecim në rrugë të reja e të ndryshme, në kundërshtim me paranë e pushtetin që, shpjegoi Papa, nuk na bëjnë kurrë të lirë.

R. SH. - Vatikan

Nëse do ta parafrazonim Papën Françesku, do thoshim se stili i Zotit vërehet menjëherë nga hollësitë! E pikërisht rreth një hollësie e zhvilloi Papa gjithë reflektimin e lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së hëne, që në shumë vise të krishtera qe veshur me rrobat festive të një të dieleje të jashtëzakonshme. Ungjilli i sotëm është ai i Mateut e fragmenti, që po kujtojmë, i 12-ti i Kapitullit të dytë, ku Mbretërit Dijetarë paralajmërohen në ëndërr të mos rikthehen tek Herodi, por të përshkohen nëpër një rrugë tjetër, për të arritur në viset nga kishin ardhur. Pavarësisht nga lodhja dhe peripecitë që iu desh të përballonin, Dijetarët e largët - shpjegoi Papa -  vihen përsëri për udhë:

“Përkulen thellë para Foshnjës, e adhurojnë e i ofrojnë dhuratat e tyre të çmuara, E pastaj vihen përsëri për udhë, pa vonesë, për t’u rikthyer në trojet e tyre”.

Takimi me Zotin të rinis për udhë

Françesku kujtoi edhe “stilin e Zotit”, domethënë mënyrën si duket në histori:

“Përvoja e Zotit nuk na lidh këmbë e duar, por na çliron; nuk na burgos, por na vë për udhë, na ridorëzon në viset e zakonshme të jetës sonë. Viset ishin e do të jenë të njëjta, por ne, pas takimit me Krishtin, nuk  jemi më ata të mëparshmit”.

Jezusi na fton të marrim rrugë të ndryshme

Duke mbetur me sytë ngulur tek Ungjilli - Mateu vijon të shkruajë se Mbretërit Dijetarë u porositën në ëndërr të ndërronin rrugë, për të mos u takuar përsëri me Herodin. Porosi të cilën  tre të Diturit  e mirëpritën. Dredhuan rrugë e u kthyen nëpër një rrugë tjetër në viset nga ishin nisur:

“Çdo përvojë e takimit me Jezusin na nxit të marrim rrugë të ndryshme, sepse nga Ai vjen një forcë e mirë, që na e shëron zemrën e na shpëton nga çdo e keqe”.

Idhujt tradhtarë na lidhin, Zoti na çliron!

Papa Françesku shpjegoi se të kthehesh “në vendin tënd”, por “nëpër një rrugë tjetër”, do të thotë se jemi ne, që duhet të ndryshojmë; ne, që duhet ta ndryshojmë mënyrën e jetesës, ndonëse në ambientin e gjithmonshëm; ne, që duhet ‘t’i modifikojmë kriteret e gjykimit të mjedisit rrethues”. E pikërisht ky është ndryshimi ndërmjet Zotit dhe “idhujve tradhtarë”:

“Ja ndryshimi ndërmjet Zotit të vërtetë e idhujve tradhtarë, si paraja, pushteti, suksesi…; ndërmjet Zotit, e atyre që premtojnë se do të na i japin  këta idhuj, si magjstarët, fallxhinjtë, shortarët. Ndryshimi qëndron në faktin se idhujt na lidhin pas vetes, na bëjnë të varemi prej tyre.  Ndërsa Zoti i vërtetë as nuk na mban të lidhur, as nuk e mbajmë”.

T’i kërkojmë Zojës së Bekuar - uroi në përfundim Papa - të na ndihmojë të bëhemi dëshmitarë të Krishtit atje ku jemi, me një jetë të re, të shndërruar nga dashuria e Saj.

Mendimi për Kishat Lindore

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi në mënyrë të veçantë vëllezërit e Kishave Lindore, katolike e ortodokse, shumë prej të cilave  e kremtojnë nesër Lindjen e Zotit:

“Atyre dhe bashkësive të tyre u urojmë dritën dhe paqen e Krishtit Shëlbues”.

Dita Botërore e Fëmijëve Misionarë

Ditën e Dëftimit të Zotit - kujtoi më pas Papa - kremtohet edhe Dita Botërore e Fëmijëve Misionarë:

“Është festa e fëmijëve dhe e të rinjve  misionarë, që e jetojnë thirrjen universale për shenjtëri, duke ndihmuar bashkëmoshatarët më nevojtarë, përmes lutjes dhe gjesteve të ndryshme bamirëse”.

Papa përshëndet kortezhin “Rroftë Befana”, që kremton Epifaninë

Papa i drejtoi një përshëndetje edhe figurantëve të kortezhit historiko-folkloristik, të frymëzuar nga traditat e Epifanisë, organizuar sivjet nga Territori i Allumiere dhe i Valle Mignone. E më pas, një përshëndetje e përzemërt edhe kortezheve të Mbretërve Dijetarë, organizuar në shumë qytete e fshatra të Polonisë si dhe të gjitha shfaqjeve popullore lidhur me festën e sotme, duke kujtuar posaçërisht Spanjën, Amerikën Latine, Gjermaninë. “Këto tradita - theksoi Papa - duhen ruajtur, ashtu siç i trashëguam, me domethënien e tyre të vërtetë kristiane”.

06 janar 2020, 15:07