Kërko

Vatican News

Papa: mikpritja i përket traditës së krishterë. T’ua hapim krahët të gjithëve!

Nuk duhet të ndjekim logjikat e botës, por t’ua vëmë mirë veshin të vegjëlve e të varfërve, sepse Zotit i pëlqen t’i dërgojë mesazhet e veta përmes tyre e dëshiron të shëlbohen të gjithë. Këtë kërkoi Papa, duke kryesuar, dje pasdite, Mbrëmësoret e Solemnitetit të Kthimit të Shën Palit

R. SH. - Vatikan

Të shikojmë përtej interesave personale e zakoneve të së kaluarës, me dëshirën për të shkuar drejt “një caku të përbashkët”. Është ky horizonti,  që përvijoi Papa në përfundim të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Pasuar nga nxitja për të vijuar, pa u lodhur kurrë, lutjen, duke i kërkuar Zotit dhuratën e bashkimit të plotë! Drejt këtij porti drejtohet shtegtimi ynë ekumenik - pohoi Papa - duke kujtuar, në vijim, lundrimin  e Shën Palit drejt Romës dhe mbytjen e  anijes në brigjet e Maltës. E fortë edhe ftesa e Atit të Shenjtë për mikpritje: “Në sofrën e shtëpisë së krishterë - nënvizoi - nuk mungon kurrë një pjatë me gjellë për mikun në kalim, a  nevojtarin, që troket në portë”.

Gjesti i parë i këtij kremtimi ishte lutja e Papës para Varrit të Apostullit e më pas, edhe para relikeve të dishepullit të tij, Shën Timoteut, ardhur nga Termoli, së bashku me përfaqësuesin e Patriarkanës Ekumenike, Hirësinë e Tij, Metropolitin Gennadios; përfaqësuesin personal të kryeipeshkvit të  Canterbury në Romë, Hirësinë e Tij, Ian Ernest; kardinalin Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve dhe sekretarin e të njëjtit dikaster, imzot Brian Farrel. Nga Bazilika jashtë Mureve të Romës u lartuan qindra zëra të krishterësh, ardhur nga kisha e bashkësi të ndryshme kishtare. Zëra, që i kërkonin Zotit një gjë të vetme: bashkimin e plotë rreth një altari. Ndërmjet tyre, edhe studentët e Ecumenical Institute of Bossey,  si dhe të rinjtë ortodoksë e ortodoksë lindorë, që studiojnë në Romë.

Më shumë mikpritje edhe ndërmjet vëllezërve të konfesioneve të ndryshme

Gjatë homelisë, Françesku theksoi posaçërisht nevojën e mikpritjes, duke u nisur nga tema e kësaj Jave të Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, shkëputur nga Veprat e Apostujve: “Na pritën me njerëzi të jashtëzakonshme”(Vap 28,2) - që na kujton mikpritjen bujare të detarëve, ushtarëve dhe të burgosurve, ndërmjet të cilëve, edhe Pali, nga ana  e banorëve të Maltës:

“Nga kjo Javë e Lutjes duam të mësojmë të jemi më mikpritës. Para së gjithash, ndërmjet nesh, të krishterëve, e edhe ndërmjet vëllezërve të konfesioneve të ndryshme. Mikpritja u përket traditave të bashkësive dhe të familjeve të krishtera. Në sofrën e shtëpisë së krishterë nuk mungon kurrë një pjatë me gjellë për mikun në kalim, a nevojtarin, që troket në portë. E ndër manastire miku trajtohet me shumë dashamirësi, si të ishte vetë Krishti. Të mos i humbasim, madje t’i ruajmë edhe më shumë këto doke, që burojnë nga Ungjilli”.

Zotit i pëlqen t’i nisë lajmet e veta përmes të vegjëlve e të varfërve

Papa kujtoi se barka në të cilën ishte Pali, para se të ankorohej në brigjet e Maltës, kishte qenë në mëshirën e stuhisë e, kur të gjithë e patën humbur shpresën e shpëtimit, Apostulli, që ishte i burgosur, pra më i ligshti, i pati mbushur me besimin se së shpejti do të preknin bregun e dëshiruar.  Prej këndej vuri në dukje se pikërisht ata që janë më të ligshtë, që kanë pak e aspak për të dhënë, gjithë pasuria e të cilëve është Zoti, mund të na japin mesazhe të çmuara, ashtu si bashkësitë e krishtera, ata më të parëndësishmet para syve të botës, nëse e jetojnë dashurinë e Zotit e të të afërmit, ose  bashkësitë më të persekutuara e më të flakura jashtë radhëve:

“Ashtu si në rrëfimin e mbytjes së anijes së Palit, janë shpesh të ligshtit,  që i sjellin mesazhet më të rëndësishme të shëlbimit. Sepse kështu i pëlqeu Zotit, që nuk deshi ta shpëtojë botën me forcë, po me ligështinë e Kryqit (krh 1 Kor 1,20-25). Si dishepuj të Krishtit, duhet të mos ua vëmë veshin logjikave njerëzore, por të dëgjojmë të vegjlit e të varfërit, sepse Zotit i pëlqen t’i dërgojë mesazhet përmes atyre, që i ngjasin më shumë Birit të Tij të mishëruar”.

Ndarjet kapëcehen duke i parë me sytë e Zotit

Rrëfimi i Veprave të Apostujve nënvizon se “Zoti dëshiron në radhë të parë shëlbimin e të gjithëve”:

“Edhe ne kemi nevojë ta përsërisim: është detyra jonë të vëmë në jetë dëshirën parësore të Zotit i cili, siç shkuan Shën Pali ‘dëshiron  t’i shpëtojë gjithë njerëzit’. Është ftesë, që na kujton se nuk duhet t’u kushtohemi  vetëm bashkësive tona, por të përpiqemi për të mirën e gjithë botës, duke e parë me syrin universal të Zotit, që u mishërua për të përqafuar mbarë gjininë njerëzore e vdiq e u ngjall për shëlbimin e të gjithëve. Nëse, me hirin e Zotit, bëjmë tonin vizionin e Tij, mund t’i kapërcejmë edhe përçarjet tona”.

E ashtu si Pali gjatë përmbytjes, mund të japim ndihmesën tonë për shpëtimin e të gjithëve, Sepse çdo bashkësi e krishterë e ka një dhuratë për t’ua ofruar të tjerëve:

“Sa më shumë të shikojmë përtej interesave personale e zakoneve të së kaluarës, me dëshirën për të shkuar drejt ‘një caku të përbashkët’ – theksoi në përfundim Papa - aq më shumë na lind dëshira për t’i njohur, për t’i mirëpritur e për t’i ndarë së bashku këto dhurata”.

E ky është edhe horizonti, që përvijoi Françeku në përfundim të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve.

26 janar 2020, 11:37