Kërko

1579256546552.JPG

Papa, luteranëve: kush ofron mikpritje, bëhet më i pasur

Ati i Shenjtë, Françesku, u takua me delegacionin ekumenik të Kishës Luterane të Finlandës, të cilit i theksoi se mikpritja “është pjesë e dëshmisë së përbashkët të fesë”.

R.SH. - Vatikan

Ekumenizmi shpirtëror dhe dialogu ekumenik shërbejnë për ta thelluar përvojën e “qëndrimit së bashku”. Kështu pohoi Papa Françesku, në takimin me Delegacionin ekumenik të Kishës Luterane të Finlandës, në shtegtim në Romë, me rastin e festës së Shën Henrikut, pajtor i vendit skandinav. Gjithë të krishterët, nënvizoi Ati i Shenjtë, janë “për udhë drejt bashkimit në fe”.

I afërmi nuk është kundërshtar

         Françesku kujtoi edhe se të dielën e kaluar u kremtua festa e Pagëzimit të Jezu Krishtit. Mirënjohja për Sakramentin e Pagëzimit, shpjegoi, “na bashkon në komunitetin e gjithë të pagëzuarve”. “Pagëzimi për faljen e mëkateve – nënvizoi Ati i Shenjtë – është edhe një thirrje e qartë për ta shenjtëruar jetën”:

         “Të dashur miq finlandezë, si lajmëtarë të humanitetit, si përfitues të mirësisë së Zotit të mishëruar, jemi për udhë së bashku në komunitetin e gjithë të pagëzuarve. Të krishterët janë ata, që mund të falënderojnë për pagëzimin e tyre. Kjo mirënjohje na i lidh e na i zgjeron zemrat, i hap ato për të afërmin, që nuk është kundërshtari, por vëllai ynë i dashur, motra jonë e dashur. Bashkësia e gjithë të pagëzuarve nuk është thjesht ‘qëndrim njëri afër tjetrit’ e, sigurisht, nuk është ‘qëndrim njëri kundër tjetrit’, por synon të bëhet një ‘qëndrim më i plotë së bashku’”.

Ai që jep, edhe merr

         “Edhe mikpritja – tha Papa – është pjesë e dëshmisë së përbashkët të fesë”. Java e Lutjes për Bashkimin e të krishterëve, që fillon nesër, “vë në dukje këtë virtyt ekumenik e, sidomos, na e këshillon atë”. Duke kujtuar një verset nga Veprat e Apostujve, Papa shtoi: “Na trajtuan me humanitet të rrallë (Vap 28,2), thotë shën Pali apostull, duke iu referuar banorëve të ishullit të Maltës, të cilët e pritën si mik, bashkë me qindra të mbytur të tjerë të mbijetuar”:

         “Si të krishterë të pagëzuar, besojmë se Krishti dëshiron të na takojë pikërisht në ata njerëz, të cilëve gjatë jetës u është mbytur anija, në kuptimin e drejtpërdrejtë e në kuptimin figurativ. Ata, që ofrojnë mikpritje, nuk bëhen më të varfër, por më të pasur. Kush jep, i vjen radha edhe të marrë. Në fakt, humaniteti, që tregojmë për të tjerët, na bën, në mënyrë të mistershme, pjesëmarrës në mirësinë e Zotit bërë njeri”.

Udha e ekumenizmit

         Gjatë takimit të vitit të kaluar me delegacionin ekumenik të Kishës Luterane të Finlandës, Papa Françesku pati theksuar se udhëtimi ekumenik i të gjitha Kishave të krishtera, akoma të ndara, është “ kërkesë thelbësore” e fesë. “Kërkesë”, që lind nga fakti se jemi dishepuj të Krishtit, “rrugë e pakthyeshme”, jo opsionale.

17 janar 2020, 13:10