Kërko

Vatican News
 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa: Lumnitë janë mesazh për mbarë njerëzimin

Duke nisur një cikël të ri katekizmi kushtuar Lumnive, frymëzuar nga Ungjilli sipas Mateut, Françesku shpjegoi se Jezusi i mëson njeriut “një ligj të ri”, domethënë e mëson të jetë i varfër, i butë, i mëshirshëm. Papa na nxit ta provojmë pushtetin e Zotit edhe në vuajtjet tona të përditshme, për të arritur lumturinë e premtuar prej Tij.

R. SH. - Vatikan

Zoti, për të na u dhuruar ne, zgjedh shpesh udhë  “të papërfytyrueshme”, edhe ato të kufizimeve tona, të lotëve tanë, të disfatave tona”: gëzimi i Pashkëve, për të cilin flasin vëllezërit lindorë, kalon përmes vdekjes, përmes përvojës së “pushtetit të Zotit”, ka plagë, por gjithsesi, është i gjallë! Këtë theksoi sot Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, duke nisur një cikël të ri katekizmi kushtuar Lumnive. I frymëzuar nga Ungjilli sipas Mateut, Françesku reflektoi mbi Predikimin e Jezusit në mal, që e ndriçoi jetën e besimtarëve, madje edhe të shumë njerëzve, të cilët nuk besonin. Vështirë të mos prekesh nga këto fjalë - pohoi Papa - sepse janë karta e identitetit e të krishterit, karta jonë e identitetit. E na skicojnë “fytyrën e Jezusit dhe stilin e Tij të jetës”.

Kumtimi i Lumnive   

Në vijim Papa përshkroi kushtet, në të cilat u shpall mesazhi i ri. Jezusi, duke parë turmat, u ngjit mbi shpatin e ëmbël, që rrethonte liqenin e Galilesë, u ul e, duke iu drejtuar dishepujve, shpalli Lumnitë. Mesazhi u drejtohej dishepujve, por në horizont ishin turmat, domethënë mbarë njerëzimi. Sepse ishte për gjithë njerëzimin!

Ligji i ri

Mali - pohoi Papa - na kujton Sinain, ku Zoti i dorëzoi Moisiut  Urdhërimet. Po këtë herë nuk është i kapërthyer nga stuhia e tmerrshme. Këtë herë rrethohet nga puhia e ëmbël “e Lajmit të Mirë”.

Jezusi nis të mësojë një ligj të ri. Nis ta mësojë njeriun të jetë i varfër, të jetë i butë, të jetë i mëshirshëm… Këto “Urdhërime të reja”, janë shumë më tepër sesa ligjet. Sepse Jezusi, pa imponuar, i zbulon njeriut rrugën për arritjen e lumturisë - rrugën e Tij - duke përsëritur tetë herë fjalën “lum”.

Dhurata e Zotit

Çdo Lumni - shtoi Papa - përbëhet nga tri pjesë;  e para është fjala “lum”; pastaj situata në të cilën gjendet njeriu: skami i shpirtit, loti, uria, etja për drejtësi; së fundi vjen “shkaku” i lumnive, paraprirë nga lidhëza “sepse”, “Lum këta sepse, lum ata, sepse”…. Kështu vijnë njëra pas tjetrës, tetë Lumnitë, e do të ishte gjë e mirë t’i mësonim përmendësh, për t’i përsëritur, domethënë, për ta pasur në mendje e në zemër  këtë ligj, që na dha Jezusi. Lumnitë nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën aktuale, por sidomos, me gjendjen e re, që të lumturit e marrin si dhuratë nga Zoti; “sepse e tyrja do të jetë mbretëria e qiellit, e sepse do të ngushëllohen e do të trashëgojnë tokën e do të quhen Bijtë e Hyjit…”.

Gjendje hiri

Përsa i përket “arsyes” së lumturisë, Jezusi - kujtoi Papa - përdor shpesh të ardhmen pasive “pse do të ngushëllohen; do të trashëgojnë tokën, do të ngihen, do të falen, do të quhen bijtë e Zotit”. Më tej Papa ndalohet posaçërisht tek fjala “lum”:

“Termi i zanafillës nuk na flet për njeriun, që e ka barkun plot, që e kalon mirë jetën, por për njeriun, që jeton në kushte hiri, që përparon në hirin e Zotit, që ecën në rrugën e Zotit: durimi, varfëria, shërbimi ndaj të tjerëve, ngushëllimi… ata që përparojnë në këto sende, janë të kënaqur e do të jenë të lum”.

T’i lexojmë Lumnitë

Lumnitë - kujtoi Papa - na mbushin pëherë me gëzim. Janë udha, që të çon tek gëzimi.

“Gjë e mirë ta marrim Ungjillin e Mateut sot, ta hapim tek Kapitulli i pestë e t’i lexojmë Lumnitë, duke nisur nga verseti i parë, deri tek i njëmbëdhjeti. E ta marrim edhe gjatë javës, për ta lexuar jo një, por disa herë, për ta kuptuar, kështu, këtë udhë kaq të bukur, kaq të sigurt lumturie, që na e propozon Zoti”.

Përshëndetjet drejtuar shtegtarëve

Në përfundim të audiencës, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Françesku u kujtoi shtegtarëve polakë se të diel, në solemnitetin e Paraqitjes së Zotit në Tempull, do të kremtohet Dita e Jetës së Kushtuar. E i ftoi të luten për rregulltaret e rregulltarët, që ia kushtojnë gjithë jetën Zotit e vëllezërve, sipas karizmës së tyre, që të jenë gjithnjë dëshmitarë të dashurisë shëlbuese të Krishtit. Të luten edhe për thirrjet e reja të jetës rregulltare.

Ndërsa besimtarëve italianë, u kujtoi shembullin e Shën Gjon Boskos,  që do ta kremtojmë të premten e ardhshme si Atë e Mësues i rinisë, duke uruar t’i ndihmojë posaçërisht të rinjtë për të realizuar planet e së ardhmes, “pa e harruar Planin që ka Zoti për secilin prej tyre”.

“T’i lutemi, prandaj, Shën Gjon Boskos, që secili të gjejë udhën e vet në jetë, atë udhë, që Zoti dëshiron për secilin prej nesh”.

29 janar 2020, 13:14