Kërko

Vatican News

Papa: megjithëse e persekutuar dhe e keqkuptuar, Kisha nuk lodhet së mirëprituri

Faza e fundit e udhëtimit të Shën Palit, që mbërrin në Romë, ishte sot paradite, në qendër të audiencës së përgjithshme të Papës Françesku. Cikli i katekezës mbi Veprat e Apostujve, i cili filloi më 29 maj të vitit të kaluar, përfundoi kështu me imazhin e Kishës si “shtëpi e hapur” për të gjitha zemrat në kërkim të Zotit.

R.SH. - Vatikan

Fjala e Zotit është “e pandalshme”, “dëshiron të vrapojë kudo e t’u kumtojë shpëtimin të gjithëve”. Katekeza e Papës Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI në Vatikan, u shtjellua rreth lajmit të mirë se Zoti e do njeriun, por edhe rreth thirrjes së Kishës. 7 mijë besimtarët e pranishëm, Ati i Shenjtë i inkurajoi t’i kthejnë shtëpitë në “çenakull vëllazërimi”.

Kisha nuk lodhet së kumtuari dashurinë e Zotit

         Në pjesën nga Veprat e Apostujve, në qendër të reflektimit të sotëm, Shën Pali arrin në Romë, në zemër të Perandorisë, dhe i lejohet të jetojë vetëm në shtëpi, me një ushtar që e ruante: “ishte në arrest shtëpiak”, komentoi Papa. Edhe pse i burgosur, i priste të gjithë ata, që shkonin tek ai e dëshironin të njihnin Krishtin. “Pali nuk ka liri për të lëvizur, por është i lirë të flasë, sepse Fjala nuk është e lidhur me zinxhirë”, nënvizoi Françesku: është “Fjalë e gatshme të mbillet plotësisht nga Apostulli”, si fara e mirë:

         “Kjo shtëpi e hapur për të gjitha zemrat në kërkim është imazhi i Kishës, e cila, edhe pse e përndjekur, e keqkuptuar dhe e lidhur me zinxhirë, kurrë nuk lodhet duke mirëpritur, me zemër amnore, çdo burrë dhe çdo grua, për t’u kumtuar atyre dashurinë e Atit Qiellor, që u bë i dukshëm në Jezusin”.

T’i mbrujmë shtëpitë tona me Ungjillin

         Me ardhjen e shën Palit në Romë, përfundon historia e Veprave të Apostujve, që nuk mbaron me martirizimin e Apostullit, por me mbjelljen e farës së Fjalës së Zotit. Kështu, “fundi i tregimit të Lukës, përqendruar në udhën e Ungjillit në botë”, përmbledh “dinamizmin e Fjalës së Zotit”, theksoi Papa në katekizmin e audiencës së sotme, që mbylli ciklin e reflektimeve mbi Veprat e Apostujve. Në Romë, Shën Pali mundi të takojë fisnikët judeas, u përpoq t’i bindë ata për Jezusin, duke e komentuar Ungjillin si “përmbushjen e premtimeve, që Zoti i bëri popullit të zgjedhur”. Pastaj, pas këtij takimi joformal, vijon një tjetër më zyrtar, gjatë të cilit shën Pali kumtoi Mbretërinë e Zotit, por “meqë jo të gjithë binden, ai denoncon ngurtësimin e zemrës së popullit të Zotit” dhe shpall shpëtimin e kombeve të ndjeshme ndaj Hyjit dhe të aftë për ta dëgjuar fjalën e Ungjillit:

         “Të dashur vëllezër dhe motra, në fund të këtij udhëtimi, përjetuar së bashku, duke ndjekur përhapjen e Ungjillit në botë, Shpirti Shenjt ringjalltë në secilin prej nesh thirrjen për të qenë ungjillëzues të guximshëm e të gëzuar. Na bëftë, si shën Pali, të aftë për t’i mbrujtur shtëpitë tona me Ungjillin dhe për t’i kthyer ato në çenakuj vëllazërimi, ku mund të mirëpresim Krishtin e gjallë, i cili ‘vjen të na takojë në çdo njeri dhe në çdo epokë’”.

15 janar 2020, 11:53