Kërko

Vatican News
Papa nella Sistina battezza i bambini Papa nella Sistina battezza i bambini  (ANSA)

Papa Françesku, Pagëzimi na bën të Krishtit

Pagëzimi, tha Papa, është dhuratë falas për të gjithë, por si çdo farë “mbin e sjell fryte në një terren të ushqyer nga feja”, një fe, e cila duhet ushqyer çdo ditë. Kështu, Pagëzimi e “krishtëzon” atë që e ka marrë – përdor Ati i Shenjtë njërën prej neologjizmave e tij – duke e bërë vërtet një Krisht tjetër.

R.SH. - Vatikan

“Jemi të krishterë në masën me të cilën e lemë të jetojë Jezu Krishtin brenda nesh”, kështu pohoi Papa Françesku, gjatë të katekizmit të tij, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së 11 prillit 2018, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa i pyeti të gjithë cili është themeli i jetës së krishterë, zanafilla e saj. Është Pagëzimi, u përgjigj Ati i Shenjtë Bergolgio, duke ia kushtuar katekizmin e audiencës së përgjithshme të 11 prillit 2018 këtij Sakramenti themelor të fesë së krishterë.  “Pagëzimi është i pari ndër Sakramentet – shpjegoi – sepse është porta, që i lejon Krishtit Zot të banojë brenda nesh”, si edhe neve, të zhytemi “në vdekjen e ngjalljen e Zotit, duke e mbytur në ujin e Pagëzimit njeriun e vjetër e duke bërë të lindë njeriun e ri, të rikrijuar nga Jezusi”.

Pagëzimi e ndan kohën më dysh

Pagëzimi është rilindje, rigjenerim përmes Shpirtit Shenjt. Ngjarje qendrore në jetën e çdo të krishteri, prandaj Papa Françesku i nxiti besimtarët me këto fjalë: “Jam i sigurt, shumë i sigurt, se të gjithë ne e kujtojmë datën e lindjes. Por, po e pyes veten e po ju pyes edhe juve: a e kujton secili prej jush datën e pagëzimit? Disa thonë ‘po’ – shumë mirë. Por është një ‘po’ pak si e dobët, sepse, ndoshta, janë shumë, që nuk e kujtojnë këtë datë. Po, nëse festojmë ditën e lindjes, si të mos e festojmë – ose së paku, ta kujtojmë – ditën e rilindjes? Po ju jap një detyrë shtëpie, që duhet ta bëni sot në shtëpi. Ata, që nuk e kujtojnë datën e pagëzimit, ta pyesin nënën, t’i pyesin dajat, nipat, ama të pyesin: ‘A e di cila është data e pagëzimit?’ e të mos e harrojnë më kurrë. E atë ditë, të falënderojmë Hyjin, sepse është pikërisht data, në të cilën Jezu Krishti hyri të banojë në mua, Shpirti Shenjt zuri vend brenda meje… Është ditëlindje e re: ditëlindja e rikrijimit. Mos harroni ta bëni këtë, ju lutem”.

Ne të krishterët nuk jemi të izoluar

Pagëzimi, vijoi Papa, “duke na kredhur në Krishtin, na bën edhe gjymtyrë të Korpit të Tij, që është Kisha, e na bën edhe pjesëmarrës në misionin e Tij në botë”. Ati i Shenjtë Bergoglio nënvizo: “Pagëzimi i jep mundësinë Krishtit të jetojë brenda nesh dhe neve të jetojmë të bashkuar me Të, për të bashkëpunuar në Kishë për shndërrimin e botës, secili, sipas gjendjes së vet”.

Pse duhen pagëzuar fëmijët?

Në Sakramentin e Pagëzimit, njeriu mbërrin përmes udhës së fesë, katekumenatit, i cili, vërejti Papa Françesku, është i qartë kur bëhet fjalë për një të rritur, por kur kemi të bëjmë me fëmijë, “ata pagëzohen në fenë e prindërve”.

Duke iu larguar tekstit të përgatitur, Ati i Shenjtë e shpjegoi më mirë këtë, duke iu përgjigjur edhe pyetjes së shumë vetëve se pse duhen pagëzuar fëmijët: “Disa mendojnë e thonë: po pse duhet pagëzuar fëmija, që nuk kupton? Le ta lemë të rritet, të kuptojë e ta kërkojë ai vetë Pagëzimin. Por, kjo do të thotë të mos kesh besim në Shpirtin Shenjt, sepse kur pagëzojmë një fëmijë, në të hyn Shpirti i Zotit e Ai bën të rriten në atë fëmijë, që prej së vogli, virtytet e krishtera, të cilat do të lulëzojnë më pas. Gjithnjë u duhet dhënë kjo mundësi të gjithëve, të gjithë fëmijëve, për ta pasur brenda vetes Shpirtin Shenjt, që t’i udhëheqë gjatë jetës. Mos harroni t’i pagëzoni fëmijët”.

Pagëzimi sjell fryte, nëse ushqehet nga feja

Pagëzimi, përfundoi Papa, është dhuratë falas për të gjithë, por si çdo farë “mbin e sjell fryte në një terren të ushqyer nga feja”, një fe, e cila duhet ushqyer çdo ditë. Kështu, Pagëzimi e “krishtëzon” atë që e ka marrë – përdor Ati i Shenjtë njërën prej neologjizmave të tij – duke e bërë vërtet një Krisht tjetër.

 

11 janar 2020, 15:57