Kërko

Vatican News
Cenacolo, ultima cena  Cenacolo, ultima cena  

Eukaristia na bën miq e vëllezër!

Eukaristia na bën popull i vërtetë, besimtar, i dashuruar: kështu e përkufizon Shën Pali VI Kungimin Shenjt, që na bën njerëz me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm.

R. SH. - Vatikan

Eukaristia është mbi të gjitha mister i fesë, dhurata më çmuar e Jezusit, i cili flijon vetveten për shpëtimin tonë. Duke kremtuar Eukaristinë, ngjarja shëlbuese e vdekjes dhe e ngjalljes së Jezusit, bëhet realisht e pranishme dhe vepruese: ky flijim është aq vendimtar për shëlbimin e gjinisë njerëzore, sa Jezu Krishti e kreu dhe u kthye te Ati Qiellor vetëm pasi na la mjetin për të marrë pjesë në Të e për të gëzuar frytet shëlbuese të flijimit të Tij. Eukaristia është bukë e gjallë që na jep ditë për ditë forcë e gjallëri.

Në radhë të dytë, Eukaristia themelon Kishën. Shkrirja me Krishtin, që realizohet në Pagëzim, fuqizohet më tej në Eukaristi. Mund të themi se jo vetëm secili prej nesh e merr Krishtin, por se edhe Krishti e merr secilin prej nesh. Eukaristia ka aftësi bashkuese. Duke qenë të pranishëm në Eukaristi, besimtarët bëhen një trup i vetëm, që nga çasti kur të gjithë marrin pjesë nga njëjta bukë, siç thotë edhe Shën Pali Apostull në letrën e parë drejtuar Korintianëve.

Kujtojmë këtu edhe vlerën e madhe të kultit eukaristik jashtë Meshe, me sakramentin jashtë e me ndalesat adhuruese ose vizitat e vazhdueshme tek Jezusi eukaristik. Lidhur me këtë, kujtojmë një episod nga jeta e Edith Stein. Një nga arsyet që e shtynë të rrokte fenë e krishterë, qe pikërisht përvoja e vizitave te Jezusi Eukaristik nga ana e besimtarëve të veçantë në Kishën katolike të Gjermanisë. Vërejti se katolikët shkonin të vizitonin një të Gjallë, Jezusin, mikun e tyre besnik e shëlbues.

Pika e tretë që vlen të theksohet, në se flasim me gjuhën e baritorisë, është lidhja ndërmjet eukaristisë dhe sakramentit të pendesës, rrëfimit. Pajtimi është rrugë e detyrueshme. Pa të nuk mund të merret pjesë plotësisht e me fryt në flijimin eukaristik. Eukaristisë duhet t'i afrohemi vetëm në se jemi në hir të Zotit. Ky bashkim i brendshëm hiri me Jezusin, duhet shprehur pastaj edhe në bashkimin kishtar: në bashkimin me Papën e me ipeshkvijtë si dhe me magjisterin e tyre baritor. Prandaj Eukaristia krijon bashkimin dhe edukon bashkimin!

"Ngjarja kryesore e kremtimit të Darkës së Mbrame të Jezusit me Apostujt të Enjten e Shenjtë të Pashkëve, është dhurata e madhe e Krishtit: përmes flijimit të vetvetes, themelon Eukaristinë. Duke e pasë dashur Kishën e vet, Jezusi e deshi deri në fund të fundit. Natën para se të mundohej e të vdiste mbi kryq, u dha apostujve të vet e, përmes tyre edhe mbarë Kishës, Eukaristinë shenjte. E filloi duke ua larë këmbët. Qe provë e madhe dashurie e përvujtnie. Kështu Jezusi u mësonte apostujve ta donin atë e njëri tjetrin.

Gjatë Darkës, me fjalë solemne që nënkuptonin flijimin e tij të afërt mbi Kryq, Jezusi e shndërroi bukën në korp të vetin e verën, në gjak të vetin e ua dha apostujve ta hanin e ta pinin. E shtoi: "Bëjeni këtë në kujtimin tim!". Dhuronte kështu sakramentin e urdhrit të shenjtë, të meshtarisë. Jezusi i shuguroi meshtarë apostujt e vet, sepse u dha atyre pushtetin për të shuguruar bukën e verën, duke i shndërruar në korpin e gjakun e Tij, për t'ia ofruar pastaj këtë flijim Atit të Amshuar. Prej këndej mund të themi se sonte Kisha adhuroi dhe falënderoi Jezusin për flijimin dhe për Sakramentin e Eukaristisë Shenjte!

Eukaristia, pra, është vendi i privilegjuar, në të cilin Kisha njeh e pranon Autorin e jetës. Duke kremtuar Eukaristinë, komunikojmë me Krishtin, që u flijua për shlyerjen mëkateve të botës, e Ai na dhuron faljen e jetën. Ç’do të ishte jeta jonë e krishterë pa Eukaristinë? Eukaristia është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Zoti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet, për të cilën duhet të mendojmë e të thellohemi vazhdimisht me qëllim që, siç pohon Papa Pali VI, “ta ndikojë forcën e vet të pashterrshme në të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme”.

Eukaristia është shujta, që u jepet atyre të cilët, përmes Pagëzimit, janë çliruar nga skllavëria e janë bërë bij. Eukaristia është ushqim i domosdoshëm, që i mban gjallë të gjitha breznitë e krishtera në shtegtimin e gjatë të daljes nga shkretëtira e kësaj bote, të tharë nga sisteme ideologjike dhe ekonomike, që nuk e mbrojnë jetën, por përkundrazi e poshtërojnë; e kësaj bote, në të cilën sundon logjika e pushtetit dhe e pasjes, në vend të logjikës së shërbimit e të dashurisë.

Zoti dëshiron që të gjithë të ushqehen me Eukaristinë. 

Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Jezu Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të Tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashtershme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779).

“Eukaristia u themelua që të bëhemi vëllezër; kremtohet nga Meshtari,  shërbërtor i bashkësisë së krishterë që, nga të huaj, të shkapërndarë e indiferentë njeri ndaj tjetrit, të bashkohemi, të bëhemi të barabartë, miq e shokë;  na u dhurua që, nga një masë apatike, egoiste, nga njerëz të ndarë e në kundërshtim me njëri-tjetrin, të bëhemi një popull i vetëm, popull i vërtetë, besimtar, i dashuruar, me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm!”.

28 janar 2020, 12:59