Kërko

Vatican News
Shugurimi i disa meshtarëve Shugurimi i disa meshtarëve  Editorial

Një kontribut për celibatin meshtarak, me bindje e dëgjesë ndaj Papës

Papa i nderit dhe kardinali prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor, në një libër, trajtojnë një temë mbi të cilën Papa Françesku ka folur disa herë.

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Do të dalë së shpejti një libër mbi meshtarinë, nënshkruar nga Papa i nderit Joseph Ratzinger dhe kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor, që do të botohet në Francë më 15 janar. Nga disa pjesë, botuar paraprakisht në gazetën franceze “Le Figaro”, mësohet se autorët, përmes opinioneve të tyre, hyjnë në debatin për celibatin dhe mundësinë e shugurimit të burrave të martuar. Ratzinger dhe Sarah - të cilët nënvizojnë se janë dy ipeshkvij, që “i binden Papës si bij” e që “kërkojnë të vërtetën” me “frymën e dashurisë për unitetin e Kishës” - mbrojnë disiplinën e celibatit dhe japin arsyet, që sipas mendimit të tyre, do të këshillonin të mos ndryshohet ajo. Çështja e celibatit zë 175 faqe të vëllimit, me dy tekste, njëri i Papës së nderit dhe tjetri i kardinalit, së bashku me një hyrje dhe një përfundim, nënshkruar nga të dy.

         Në tekstin e tij, kardinali Sarah kujton se “ka një lidhje ontologjiko-sakramentore ndërmjet meshatrisë dhe celibatit. Çdo dobësim i kësaj lidhjeje do të vinte në diskutim magjisterin e Koncilit dhe atë të papëve Pali VI, Gjon Pali II dhe Benedikti XVI. I përgjërohem Papës Françesku të na mbrojë një herë e mirë nga një mundësi e tillë, duke vendosur veton kundër çdo lloj dobësimi të ligjit mbi celibatin meshtarak, pavarësisht se i kufizuar në një rajon apo në tjetrin”. Më tej, Sarah arrin ta quajë “katastrofë baritore, konfuzion kishtar dhe errësim të kuptimit mbi meshtarinë”, mundësinë eventuale për të shuguruar burra të martuar. Në kontributin e tij të shkurtër, duke reflektuar mbi këtë argument, Benedikti XVI shkon deri në rrënjët hebraike të krishterimit, me pohimin se meshtaria dhe celibati janë një gjë e vetme që në fillim të “besëlidhjes së re” të Zotit me njerëzimin, vendosur nga Jezu Krishti. E kujton se që “në Kishën e lashtë”, pra, që në mijëvjeçarin e parë, “burrat e martuar mund të merrnin sakramentin e shugurimit vetëm nëse impenjoheshin për të respektuar abstinencën seksuale”, pra, pastrinë.

         Celibati meshtarak nuk është dhe nuk ka qenë kurrë dogmë. Është fjala për një disiplinë kishtare të Kishës Latine, e cila është dhuratë e çmuar, përcaktuar në këtë mënyrë nga të gjithë papët e fundit. Kisha Katolike e ritit lindor e parashikon mundësinë e shugurimit meshtarak të të martuarve e, vetë Benedikti XVI ka lejuar përjashtime edhe për Kishën Latine në Kushtetutën Apostolike “Anglicanorum coetibus” kushtuar anglikanëve, që kërkojnë bashkimin me Kishën Katolike. Në të parashikohet që, “duke gjykuar rast për rast, të pranohen në Urdhrin e Shenjtë të presbiteratit edhe burra të martuar, sipas kritereve objektive të miratuara nga Selia e Shenjtë”.

         Vlen të përmendet se mbi këtë argument është shprehur disa herë edhe Papa Françesku, i cili, kur ishte ende kardinal, në librin-bisedë me rabinin Abraham Skorka, pati shpjeguar se ishte në favor të ruajtjes së celibatit “me të gjitha të mirat e të këqijat që sjell, sepse kemi të bëjmë me dhjetë shekuj përvoje pozitive, më shumë se negative. Tradita ka peshë dhe vlerë”. Janarin e kaluar, në dialog me gazetarët, gjatë fluturimit të kthimit me avion nga Panamaja, Papa kujtoi se në Kishën Katolike Lindore është e mundur të zgjidhet celibati, ose martesa, para marrjes së diakonatit, por, përsa i përket Kishës Latine, shtoi: “Më vjen ndër mend një frazë e Shën Palit VI: ‘Preferoj të jap jetën, para së të ndryshoj ligjin mbi celibatin’. Më erdhi ndërmend e dua ta them, sepse është frazë e guximshme, në një çast më të vështirë së ky, 1968/1970… Personalisht, mendoj se celibati është dhuratë për Kishën… Nuk jam dakord të lejohet celibati opcional, jo”. Në përgjigjen e tij, Ati i Shenjtë foli për diskutimin ndërmjet teologëve rreth mundësisë për përjashtime në disa rajone të largëta, siç janë ishujt e Paqësorit, por saktësoi se “nuk ka një vendim nga ana ime. Vendimi im është: jo, celibatit opcional para diakonatit. Është diçka imja, personale, unë nuk do ta bëj, kjo le të mbetet e qartë. A jam ‘i mbyllur’? Ndoshta. Por, nuk dua ta vë veten para Zotit me këtë vendim”.

         Në tetor 2019, u mbajt Sinodi për Amazonën e kjo temë u diskutua mjaft. Siç del nga dokumenti përfundimtar, disa ipeshkvij kërkuan mundësinë për t’i shuguruar meshtarë, diakonët e përhershëm të martuar. Por, të bën përshtypje fakti se më 26 tetor, në fjalën e tij përfundimtare, pasi ndoqi në sallë të gjitha fazat e ndërhyrjeve e të diskutimeve, Papa nuk e përmendi aspak temën e shugurimit të burrave të martuar, as tërthorazi. Kujtoi katër përmasat e Sinodit: atë të inkulturimit, atë ekologjike, atë shoqërore dhe, së fundi, përmasën baritore, ku “përfshihen të gjitha”. Po në atë fjalim, Ati i Shenjtë foli për krijimtarinë e ministereve (shërbimeve kishtare) të reja dhe për rolin e gruas e, duke iu referuar mungesës së klerit në disa zona misioni, kujtoi se ka shumë meshtarë, që nga një vend i caktuar kanë shkuar në të ashtuquajturën “botë e parë” – SHBA-të dhe Evropa – “e nuk paska për t’i dërguar në zonën amazonike të po atij vendi?”.

         Kuptimplotë edhe fakti që Françesku, duke falënderuar mediat, po në atë rast, u kërkoi atyre që kur të trajtonin çështjen e dokumentit përfundimtar, të ndaleshin sidomos mbi diagnozën, “e cila është pjesa ku Sinodi, me të vërtetë, dha ç’kishte më të mirë”: diagnoza kulturore, diagnoza shoqërore, diagnoza baritore dhe diagnoza ekologjike. Papa i nxiti të mos binin në rrezikun e ndalimit vetëm në tema si: “çfarë vendosën për filan çështje disiplinore, çfarë vendosën për atë tjetrën; cila palë fitoi dhe cila humbi”.

13 janar 2020, 14:45