Kërko

Vatican News
Papa me ukrainasit, në audiencën e përgjithshme Papa me ukrainasit, në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes 2020, që kremtohet më 1 janar; audienca e përgjithshme e së mërkurës, gjatë së cilës Ati i Shenjtë e ngriti zërin për të krishterët e persekutuar; tweet-et e tij për Ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe për solemnitetin e Zojës së Loretos: një javë me Papën dhe me Kishën Katolike.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku: çdo luftë është vëllavrasëse

         Të enjten e kaluar u paraqit në Vatikan, Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes 2020, që kremtohet më 1 janar. Tema e tij është: “Paqja si udhë shprese: dialog, pajtim e kthesë ekologjike”. Në Mesazh, Ati i Shenjtë nënvizon se çdo luftë është vëllavrasëse dhe shkatërron në thelb çdo plan për vëllazërim, që bën pjesë në thirrjen hyjnore të familjes njerëzore.

“Është e nevojshme ta braktisim dëshirën për t’i dominuar të tjerët e të mësohemi ta shohim njëri-tjetrin si njerëz, si bij të Zotit e si vëllezër – shkruan Françesku. - Tjetri nuk duhet përmbyllur në atë, që mund të thotë, ose të bëjë, por duhet shikuar duke marrë parasysh premtimin, që mban në vetvete. Vetëm duke zgjedhur rrugën e respektit, mund ta këpusim spiralen e hakmarrjes e të ndërmarrim udhën e shpresës”.

         “Kjo udhë pajtimi – thekson Papa në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes – na kërkon të gjejmë në thellësitë e zemrës, forcën për të falur dhe aftësinë për t’u konsideruar vëllezër e motra. Kur mësojmë të jetojmë me falje e shtojmë aftësinë për t’u bërë gra e burra të paqes”.

Papa: “shumë të persekutuar në Evropë e në botë”

         Britmë dhimbjeje, audienca e përgjithshme e së mërkurës, gjatë së cilës Ati i Shenjtë e ngriti zërin për të krishterët, që vuajnë, pa hequr dorë nga feja. Sa të persekutuar sot, denoncoi Papa Françesku, “edhe me doreza të bardha, në Evropë e në botë”. Duke folur pa letër, Bergoglio kujtoi se para se të shkonte në Sallën Pali VI, ku u mbajt audienca, u takua me një grup ukrainasish. “Sa shumë janë persekutuar – tregoi Papa – sa shumë kanë vuajtur për Ungjillin, por nuk e kanë shitur fenë”.

         E pastaj, vazhdoi: “Sot në botë, në Evropë, shumë të krishterë martirizohen e japin edhe jetën për fenë, ose persekutohen me doreza të bardha, domethënë, lihen mënjanë, shpërfillen. Por, martirizimi është ajri i jetës së bashkësisë së krishterë. Ka pasur e do të ketë gjithnjë martirë ndërmjet nesh; e ky është sinjal, që tregon se po ecim në rrugën e Krishtit. Është bekim, kur në radhët e popullit të Zotit ndonjëri a ndonjëra e jep këtë dëshmi martirizmi”.   

Papa: njeriu është gjithnjë i shenjtë e i padhunueshëm

         Në tweet-in e tij për Ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, që u kremtua më 10 dhjetor, Papa Françesku nënvizoi se “Njeriu është gjithnjë i shenjtë e i padhunueshëm, në çdo situatë e në çdo fazë të zhvillimit të tij. Nëse bie kjo bindje, nuk mbeten më baza të qëndrueshme e të përhershme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Papa priti në audiencë kreun e Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së

         Përfaqësuesi i Lartë i Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së, Miguel Angel Moratinos, u prit në audiencë nga Ati i Shenjtë të hënën, më 9 dhjetor. Nga Pallati i Qelqit në Nju Jork njoftuan se Moratinos e informoi Papën për planin e punës së organizmit dhe për veprimtarinë e OKB-së në përgjithësi në mbrojtjen e vendeve fetare. Kujtojmë se ky plan veprimi u shpall shtatorin e kaluar nga Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili ngarkoi Aleancën e Qytetërimeve ta zhvillojë dhe ta zbatojë në praktikë.

         Më pas, Moratinos iu referua Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, për paqen dhe bashkëjetesën në botë, nënshkruar nga Bergoglio dhe Imami i Madh i Al-Azharit në Abu Dabi, shkurtin e kaluar. Dokumenti dhe vlerat universale, që mishëron ai, vërejti Moratinos, përmbahen edhe në planin e OKB-së, në kuadrin e të cilit krerët e të gjitha feve do të luajnë rol thelbësor, sidomos në fazën e zbatimit, duke bashkëpunuar me të gjitha palët e interesuara.

Papa: Zoja e Loretos dhuroftë paqe, vëllazërim, mikpritje e falje

         “Virgjëra Shenjte e Loretos na ndihmoftë të përshkojmë udhën e paqes e të vëllazërimit, bazuar mbi mikpritjen e faljen, mbi respektin për tjetrin dhe mbi dashurinë; u dhuroftë familjeve bekimin e jetës; e u dhashtë ndihmë e ngushëllim të sprovuarve”. Ky ishte tweet-i i Papës Françesku të martën, më 10 dhjetor, në solemnitetin e Zojës së Loretos, dy ditë pas fillimit të Jubileut Lauretan. 

Papa viziton pa lajmëruar, ekspozitën “100 Betleheme në Vatikan”

         Vizitë e palajmëruar të hënën në ekspozitën “100 Betleheme në Vatikan”. Miku i ardhur papritmas s’ishte tjetër, veçse Papa Françesku, i cili përshëndeti një e nga një artizanët e shpellave të Betlehemit dhe familjet e tyre, u lut dhe bekoi veprat e artit, që paraqesin çastin e lindjes së Krishtit. E gjithë vizita u shoqërua nga këngët e korit hungarez të Shkollës “Kodaly” të Budapestit, ardhur në Vatikan me një delegacion nga Hungaria. Kujtojmë se më 11 dhjetor, Ati i Shenjtë shkoi për vizitë në Greccio të Italisë, ku shën Françesku realizoi Betlehemin e parë e pikërisht aty, nënshkroi Letrën e tij Apostolike “Admirabile Signum”, që i kushtohet ndërtimit të betlehemeve, kësaj tradite të bukur të fesë së krishterë.

Vatikan: kard. Parolin, dëshira e Papës është forcimi i pranisë së grave

         Të mërkurën e kaluar, më 11 dhjetor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, përuroi sallat e reja të spitalit “Bambino Gesù” në Romë. Janë dy qendra, që i kushtohen autizmit dhe anoresisë.

         “Presim që spitali ta vazhdojë udhën e nisur – tha kardinali Parolin për gazetarët – udhë drejt përsosjes, si për punën kërkimore-shkencore, ashtu edhe për terapitë. Është rrugë e humanizimit të mjekimeve”. Kardinali vuri në dukje kujdesin e spitalit për pacientët e vegjël dhe për familjet e tyre deri në detajet më të vogla, duke u bërë kështu shembull për të gjitha spitalet katolike.

Gratë në Kishë

         I pyetur nga gazetarët për përgjegjësitë e grave në Kishë, kardinali Parolin dha shembullin e drejtoreshës së spitalit “Bambino Gesù”, Mariella Enoc e, edhe shembullin e drejtoreshës së Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, të dyja me pozita të rëndësishme në Selinë e Shenjtë. “Pak nga pak – theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – do të ketë hapa të tjera përpara në këtë drejtim. Më duket se Ati i Shenjtë është më se i vendosur për t’u dhënë grave gjithnjë e më shumë përgjegjësi”.

15 dhjetor 2019, 10:18