Kërko

 Papa në takimin me Shoqatat, Kongregatat dhe Lëvizjet e Mëshirës në Francë Papa në takimin me Shoqatat, Kongregatat dhe Lëvizjet e Mëshirës në Francë 

Papa: të përhapet kultura e mëshirës në një botë, që ka shumë nevojë për të

Mëshira e Zotit është zemra e Ungjillit, e Kisha ka misionin t’ia kumtojë botës: Papa Françesku e kujtoi këtë, duke u folur shoqatave kishtare të Francës, që u kushtohen njerëzve në situata të vështira. Përfaqësuesit e tyre, të cilët i priti sot në Vatikan, i ftoi ta dëshmojnë gëzimin e mëshirës, duke e ditur se janë të thirrur për të nga vetë Zoti.

R. SH. - Vatikan

“Nuk ka asnjë varfëri njerëzore, që Zoti s’dëshiron ta takojë, ta prekë ta ndihmojë”: kështu u shpreh Papa në audiencën e sotme me përfaqësitë e shoqatave, kongregatave dhe lëvizjeve kishtare franceze kushtuar Mëshirës hyjnore, me rastin e shtegtimit të tyre në Romë.  E të dëshmosh mëshirën e Zotit, është pikërisht angazhimi i përbashkët i këtyre realiteteve, ndonëse të ndryshme, në shërbim të migrantëve, të sëmurëve, të burgosurve, të gjymtuarve, të familjeve të plagosura:

“Mëshira është akti i fundmë, më i larti, me të cilin Zoti vjen të na takojë  e të na e hapë zemrën. E na lind, kështu, shpresa se dikush na do, gjithnjë,  sido që të jetë varfëria jonë, mëkati ynë. Dashuria e Zotit për ne nuk është fjalë abstrakte. U bë e dukshme, e prekshme, në Jezu Krishtin. Prej saj duhet të orientohet edhe dashuria përdëllyese e të krishterëve”.

Kisha duhet ta dëshmiojë e para mëshirën

Papa Françesku kujtoi edhe dëshirën e shprehur në Bulën e hapjes së Jubileut të Mëshirës, që “tema e mëshirës” të ripropozohej  me entuziazëm të ri e me veprimtari të reja baritore. Pohoi se për besueshmërinë ndaj Kishës “është themelore që ajo ta dëshmojë e para mëshirën”. E më pas, shprehu kënaqësinë për veprimtarinë e Kishës në Francë, ku shumë ia vunë mirë veshin thirrjes së tij. Shprehu, më pas, edhe kënaqësinë që këto realitete kishtare punojnë së bashku, duke ndarë bashkë vështirësitë, gëzimet, përvojën e duke gjetur mënyra për ta përhapur në botë kulturën e mëshirës, për të cilën ka nevojë çdo njeri.

Të mbahen gjallë dhembshuria e mëshira

Papa kujtoi, më pas, dy aspekte të lidhura me mëshirën. Para së gjithash – vërejti -  ajo duhet mbajtur gjithnjë gjallë në zemër.

Ndërsa së dyti - kujtoi duke folur lirisht - nuk duhet harruar kurrë se tjetri mund të shikohet nga lart-poshtë vetëm në një rast “për ta ndihmuar të ngrihet përsëri në këmbë”.

Në Shpellën e Betlehemit duket  qartë se Zoti zgjodhi varfërinë

Së fundi Papa kujtoi Krishtlindjen dhe Shpellën e Betlehemit, duke i ftuar  të gjithë që, gjatë kundrimit të saj, ta ndjejnë e ta prekin varfërinë, që  Biri i Zotit e zgjodhi  për vete, duke u Mishëruar. E kështu ta ndjekin në udhën e përvujtërisë, të varfërisë, fuqimisht të inkurajuar e të përtrirë në angazhimin e tyre.

13 dhjetor 2019, 14:02