Kërko

Vatican News
 Papa kremton Te Deum, në Bazilikën e Shën Pjetrit Papa kremton Te Deum, në Bazilikën e Shën Pjetrit  (Vatican Media)

Papa: Zoti nuk e ndryshon historinë përmes burrave të pushtetshёm, po pёrmes grave të periferive

Papa, në homelinë mbajtur gjatë Te Deum, falënderimit të Zotit në përfundim të vitit, tha 'Zoti nuk e ndryshon historinë përmes burrave të, po duke u nisur nga gratë e periferive'. Ta falënderojmë për hirin e ndihmës, që na dha gjatë këtij viti e, plot me gëzim, t’ia lartojmë këngën e lavdërimit!

R. SH. - Vatikan

“Kur u përmbushën kohët, Zoti dërgoi Birin e vet” (Gal 4,4). Me këto fjalë, shkëputur nga Letra e Shën Palit drejtuar Galatasve, e nisi Papa homelinë e fundit të Vitit 2019, gjatë së cilës theksoi praninë e përhershme të Zotit, gjithnjë pranë njerëzve, në Romë e në botë.

Biri i dërguar nga Ati e nguli çadrën në Betlehem të Efrata, tejet i vogël për të qenë ndërmjet fshatrave të Judës” (Mi 5,1), jetoi në Nazaret, qytezë që kujtohet në Shkrimin Shenjt vetëm për të thënë “a mund të vijë gjë e mirë nga Nazareti”(Gjn 1,46), e vdiq i përjashtuar nga qyteti i madh, Jeruzalemi, i kryqëzuar jashtë mureve të tij. Vendimi i Zotit është krejt i qartë; për të dëshmuar dashurinë e vet, Ai zgjodhi qytetin e vogël e qytetin e përbuzur, e kur arriti në Jeruzalem, u bashkua me popullin e mëkatarëve e të të flakurve jashtë radhëve. Askush nga banorët e qytetit nuk u kujtua fare se Biri i Zotit, i bërë njeri, po ecte udhëve të tija; ndoshta nuk u kujtuan as dishepujt, të cilët do ta kuptonin plotësisht Misterin e pranishëm në Jezusin, vetëm me ngjalljen e Tij.

Fjalët dhe shenjat e shëlbimit, që Ai i kryen në qytet, ngjallin habi dhe entuziazëm të çastit, por nuk pranohen në  kuptimin e tyre  të plotë,  madje nuk kujtohen fare kur qeveritari romak i pyet: “A doni të lironi Jezusin, apo Barabën?”. Jezusi  kryqëzohet jashtë qytetit, mbi Golgotë, për t’u dënuar nga shikimi i mbarë banorëve e për t’u tallur nga komentet e tyre sarkastike. Por prej aty, prej kryqit, lëndë e re e jetës, pushteti i Zotit do t’i tërhiqte të gjithë pas vetes. E edhe Nëna e Zotit, që poshtë kryqit është e Dhimbshmja,  do ta shtrinte mbi gjithë njerëzit amësinë e saj. Nëna e Zotit është Nëna e Kishës, e ëmbëlsia e saj amtare u përket mbarë njerëzve.

Zoti e nguli çadrën në qytet… e nuk u largua kurrë  prej aty! Prania e tij në qytet, edhe në qytetin tonë të Romës, “nuk duhet fabrikuar, por duhet zbuluar, duhet nxjerrë në shesh “ (Nx.Apost. Evangelii gaudium, 71). Jemi ne, që duhet t’i kërkojmë Zotit sy të rinj, të aftë për shikim kundrues, sy  feje, që e zbulojnë Zotin, i cili banon në shtëpitë e qytetit, në rrugët e tij, në sheshet e tij. Profetët e Shkrimit Shenjt tërheqin vëmendjen për t’u ruajtuar nga tundimi, që të shtyn ta lidhësh praninë e Zotit vetëm me tempullin. Ai banon në mes të popullit të vet, ecën me të e jeton jetën e tij. Besnikëria e  Zotit është konkrete, është afërsi me jetën e përditshme të bijve të tij. Madje kur Zoti dëshiron  t’i bëjë të reja të gjitha sendet përmes Birit të vet, nuk ia nis nga tempulli, por nga kraharori i një gruaje të vogël e të varfër të popullit të vet. E jashtëzakonshme, kjo zgjedhje e Zotit! Nuk e ndryshon rrjedhën e historisë përmes burrave të pushtetshëm të institucioneve civile e fetare, po duke u nisur nga gratë e periferive të perandosrisë, si Maria, e nga barku i tyre shterpë, si ai i Elizabetës.

Mesazhi i Zotit

Në Psalmin 147, që e kënduam pak më parë, psalmisti e fton Jeruzalemin  ta lumnojë Zotin, që të dërgojë mbi tokë Fjalën e tij, mesazhin vrapues si era. Përmes Shpirtit të vet, që shqipton në çdo zemër njerëzore Fjalën e Tij, Zoti i bekon bijtë e vet dhe i inkurajon të punojnë për paqen në qytet. Do të dëshiroja sonte që shikimi ynë mbi qytetin e Romës t’i shohë sendet me sytë e Zotit. Zoti gëzohet, kur shikon sa vepra të mira kryhen çdo ditë, sa përpjekje e sa përkushtim ka për krijimin e frymës së vëllazërimit e të solidaritetit. Roma nuk është vetëm qytet i ndërlikuar, me një mori problemesh, me pabarazi, korrupsion dhe tensione shoqërore. Roma është qytet, ku Zoti dërgon Fjalën e tij që, përmes Shpirtit Shenjt, hyn në zemrat e banorëve dhe i shtyn të besojnë, të shpresojnë pavarësisht nga gjithçka, e të luftojnë për të mirën e të gjithëve. Kjo është zemra e Romës, që vijon të rrahë fort e ta ndryshojë historinë dhe fytyrën e qytetit, përmes popullit të të vegjëlve e të të varfërve, të cilin e nxit të ndërtojë ura, jo mure. Fjala e Zotit e fekondon Romën, duke e bërë “nënë gazmore të një mori bijsh”, për të ndërtuar një qytet më të drejtë e më vëllazëror.

Nuk duhet të kemi frikë e as të mendojmë se nuk jemi të aftë për këtë mision.

Zoti nuk na zgjedh sepse jemi të aftë, por pikërisht sepse jemi e ndjehemi krejt të vegjël. Ta falënderojmë për hirin e ndihmës, që na dha gjatë këtij viti e, plot me gëzim, t’ia lartojmë këngën e lavdërimit!

31 dhjetor 2019, 13:02