Kërko

Papa Françesku për mbrotjen e të miturve Papa Françesku për mbrotjen e të miturve 

Papa shfuqizon sekretin papnor për rastet e abuzimeve seksuale

Ati i Shenjtë, Françesku, bën të mundur konsultimin e dëshmive të proceseve kanonike, nga ana e autoriteteve civile kompetente.

R.SH. - Vatikan

Dy dokumente të destinuara të lënë shenjë: që sot, Papa Françesku shfuqizoi sekretin papnor në rastet e dhunës seksuale dhe të abuzimit me të miturit, nga ana e anëtarëve të klerit, madje, vendosi edhe të ndryshojë normën, që ka të bëjë me krimin e pedopornografisë, duke e konsideruar “delicta graviora” – krim nga më të rëndët – mbajtjen dhe përhapjen e imazheve pornografike, ku përfshihen të miturit deri në moshën 18 vjeç.

         Dokumenti i parë dhe më i rëndësishmi është një “reskript” i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili njofton se më 4 dhjetor, Papa vendosi ta heqë sekretin papnor përsa u përket denoncimeve, gjykimeve dhe vendimeve për krimet e përmendura në nenin e parë të Motu proprio-s “Vos estis lux mundi”. Konkretisht, në këto raste, përfshihen dhuna dhe aktet seksuale të kryera me kërcënim, ose me abuzim të autoritetit; abuzimi me fëmijët dhe njerëzit e pambrojtur e të brishtë; pedopornografia; mungesa e denoncimit dhe mbulimi i abuzuesve nga ipeshkvijtë dhe eprorët e përgjithshëm të instituteve fetare.

         Udhëzimi i ri nënvizon se “informacionet trajtohen në mënyrë që të garantohet siguria, integriteti dhe konfidencialiteti”, siç parashikohen nga Kodi i së Drejtës Kanonike, për të mbrojtur “reputacionin e mirë, imazhin dhe sferën private” të njerëzve të përfshirë në këto çështje. Por, ky “sekret zyrtar”, lexohet më tej në udhëzim, “nuk e pengon përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në secilin vend me ligjet e shtetit”, përfshirë detyrimin e sinjalizimit, “si edhe të plotësimit të kërkesave ekzekutive të autoriteteve gjyqësore civile”. Për më tepër, denoncuesve, viktimave dhe dëshmitarëve “nuk mund t’u imponohet asnjë detyrim për të heshtur” mbi faktet.

         Me një “reskript” të dytë, nënshkruar nga kardinali Parolin dhe nga prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Luis Ladaria Ferrer, u bënë të njohura edhe ndryshimet në tre nene të Motu Proprio-s “Sacramentorum sanctitatis tutela” (i vitit 2001, ndryshuar një herë në vitin 2010). Është vendosur që të konsiderohet krim i rëndë, për t’u gjykuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë, “blerja, ose mbajtja, ose përhapja e imazheve pornografike me të mitur nën moshën 18 vjeç, nga ana e një kleriku, për qëllime epshore, në çfarëdo mënyre dhe me çdo lloj mjeti”. Deri më sot, ky kufi ishte fiksuar në 14 vjeç.

         Së fundi, një nen tjetër lejon që në çështjet lidhur me këto krime më të rënda, mund të luajnë rolin e “avokatit e të prokurorit” edhe besimtarët laikë, që kanë mbrojtur doktoraturën në të Drejtën Kanonike e jo vetëm meshtarët.

17 dhjetor 2019, 13:40