Kërko

Vatican News
 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Papa: në festën e Shën Shtjefnit kujtojmë të gjithë martirët

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i nxiti bashkësitë e krishtera të bëhen gjithnjë më shumë misionare, duke mos e vënë qendër lavdinë e vetvetes, por lavdinë e Zotit e të mirën e gjithë njerëzve.

R. SH. - Vatikan

“Festa e Shtjefnit Protomartir na kujton të gjithë martirët e djeshëm e të sotëm - që janë shumë - na nxit të ndjehemi në bashkim me ta e t’u kërkojmë hirin të jetojmë e edhe të vdesim me emrin e Krishtit në zemra e në buzë”. Fjalë të forta, këto të Papës, shqiptuar në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 26 dhjetorit, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar e ngrohur nga dielli dimëror. Duke nënvizuar se sot ka shumë martirë, Papa u ndalua tek figura e Shtjefnit, i cili na mëson ta kumtojmë Krishtin me gjeste vëllazërimi e bamirësie.

Dhuna është disfata e dashurisë

Liturgjia e sotme - kujtoi Papa në vijim - na e paraqet Shtjefnin në çastet e fundit  të jetës, duke dhënë shpirt nën piramidën me gurë, që e mbulojnë trupin e tij të gjakosur. Kjo atmosferë mund të duket krejt e papërshtatshme në kohën e Krishtlindjes. Por në të vërtetë, në perspektivën e fesë, përkon plotësisht me të. Në martirizimin e Shtjefnit vërejmë sesi dhuna mposhtet nga dashuria; vdekja, nga jeta. Martiri i parë, duke derdhur gjakun për Krishtin, kundron qiellin e hapur e i fal salvuesit, si Krishti. Prej këndej, Françesku bëri një thirrje të fortë, drejtuar gjithë të krishterëve, për ta kumtuar Ungjillin:

“Dëshmia e tij, që arriti kulmin me martirizim, është burim frymëzimi për përtëritjen e bashkësive tona të krishtera. Ata janë të thirrura të bëhen gjithnjë më misionare, gjithnjë më të gatshme për ungjillëzim, të vendosura për t’i arritur burrat dhe gratë e periferive ekzistenciale e të periferive gjeografike, atje ku ka më shumë etje për shpresë e shëlbim. Bashkësi, që nuk ndjekin logjikën e botës, që nuk vënë në qendër vetveten,  figurën e tyre, por vetëm e vetëm lavdinë e Zotit e të mirën e njeriut, posaçërisht të më vegjëlve, të më të varfërve”.

Lumnia qiellore fitohet me dhurim, jo me pushtet

Papa i nxiti gjithë të krishterët të ulen në bankat e shkollës së Shën Shtjefnit, i cili u bë i ngjashëm me Mësuesin, që të munden, kështu t’ia ngulin sytë Krishtit, prej nga buron shpresa, e të mësojnë se “Lavdia e Qiellit,  që zgjat për gjithë jetën mbi këtë tokë, e edhe në jetën e pasosur, nuk bëhet nga pasuritë e nga pushteti, por nga dashuria dhe dhurimi i vetvetes”.

Të dëshmojmë me stilin e Jezusit

Për të krishterët, Qielli nuk është shumë i largët: në Jezusin, qielli zbriti mbi tokë. E falë Krishtit, mund ta orientojmë gjithçka është njerëzore drejt Qiellit. Fjalë, këto, që na kujtojnë se dëshmia e parë duhet të jetë pikërisht kjo: të jemi njerëzorë, me stilin e Jezusit, domethënë, të jemi të butë e guximtarë, të përvuajtur e  të fisëm,  të ëmbël e të butë.

Mendimin e fundit Papa ia drejtoi Marisë, duke iu lutur të na ndihmojë - përfundoi - ta jetojmë këtë kohë Krishtlindjeje me sytë e ngulur tek Jezusi, për t’u bërë çdo ditë e më shumë të ngjashëm me Të.

26 dhjetor 2019, 14:38