Kërko

Vatican News

Papa në Engjëllin e Tënzot: “T’i bëjmë vend Jezusit, larg hutimeve"

Në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, Papa Françesku na nxit të mos habitemi pas gjërave të kota, por ta presim “Zotin që na thërret” e që dëshiron të na dhurojë gëzimin e Tij.

R. SH. - Vatikan

Gëzim e dyshim. Këto, përvojat që bëjnë pjesë në jetën tonë. E ndjehen edhe në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, që njihet si e Diela “e gëzimit”. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi thirrjen e fuqishme të Izaisë Profet: “Të gëzojë shkretëtira e toka e etur për një pikë ujë; të ngazëllejë e të lulëzojë stepa!”. Kësaj ftese gazmore i kundërvihet, në Ungjill, dyshimi i Gjon Pagëzuesit: “Je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”:

“Është i njëjti realitet, që e vë në provë fenë në çdo kohë. Po njeriu i Zotit shikon përtej, sepse Shpirti Shenjt e bën ta ndjejë në zemër të vet fuqinë e premtimit të Tij, e nis e kumton shëlbimin: ‘Guxim, mos kini frikë! Ja, Zoti juaj! Ai vjen t’ju shpëtojë’. Atëherë gjithçka shndërrohet: shkretëtira lulëzon, zemrat e ligështuara pushtohen nga gëzimi e ngushëllimi, i çali, i verbëri, shurdhmemeci shërohen! Kjo realizohet me Jezusin: ‘Të verbërit  rifitojnë dritën e syve, të çalët ecin, të gërbulurit pastrohen, të shurdhërit dëgjojnë, të vdekurit ringjallen, të varfërve u kumtohet Ungjilli”.

Thirrje për pendesë

Shëlbimi - shpjegoi Papa - e mbështjell gjithë njeriun dhe e rilind. Po kjo lindje e re, me gëzimin që e shoqëron, na kujton se duhet të vdesim për vetveten e për mëkatin, që është brenda nesh:

“Prej këndej buron thirrja për pendesë, në bazë të predikimit si të Gjon Pagëzuesit, ashtu edhe të vetë Jezusit; çka duhet të ndryshojmë, është ideja që kemi për Zotin. E Koha e Ardhjes na nxit për këtë kthesë, pikërisht  me pyetjen që Gjoni i bën Jezusit: ‘Je ti ai, që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?’. Të mendojmë: Gjoni e priti Mesinë gjatë gjithë jetës; stili i jetës së tij e vetë korpi i tij  morën trajtë nga kjo pritje”.

Zoti na pyet edhe ne

“Ashtu si Gjoni - nënvizoi Papa - edhe ne jemi të thirrur ta njohim fytyrën që Zoti mendoi ta marrë në Jezu Krishtin e përvuajtur e të mëshirshëm:

“Koha e Ardhjes, kohë hiri, na kujton se nuk mjafton të besojmë në Zotin;  duhet ta pastrojmë çdo ditë fenë tonë. Sepse nuk përgatitemi për të pritur një personazh përralle, por vetë Zotin, që na kërkon, na fton e para të cilit  duhet të zgjedhim një rrugë. Foshnja, që shtrihet mbi kashtë, në Shpellën e Betlehemit, ka fytyrën e vëllezërve e të motrave tona nevojtare, të të varfërve, të privilegjuarit e këtij misteri e, shpesh, të atyre, që e pranojnë më shumë Zotin mes nesh”.

Jezusi dëshiron të na dhurojë gëzimin e vet

Shikimi drejtuar Marisë shoqëroi, më në fund, lutjen e Papës:

“Virgjëra Mari na ndihmoftë që, ndërsa i afrohemi Krishtlindjes, të mos hutohemi nga gjërat e jashtme, por t’i bëjmë vend në zemër Atij, që tashmë ka ardhur e dëshiron të vijë përsëri e përsëri, për t’i shëruar sëmundjet tona e për të na dhuruar gëzimin e Tij”.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, bekimi i shtatoreve të Krishtit Fëmijë.

Në qendër të jetës së Kishës, Eukaristia

Papa kujtoi edhe se pas më pak se një vit, nga 13 deri më 20 shtator të vitit 2020, në Budapest do të kremtohet Kongresi i 52-të Eukaristik Ndërkombëtar. “Kongreset Eukaristike - nënvizoi Ati i Shenjtë - prej më se një shekulli na kujtojnë se në qendër të jetës së Kishës është Eukaristia”. Të lutemi - përfundoi Françesku - që ngjarja e madhe eukaristike e Budapestit të favorizojë në bashkësitë e krishtera procese përtëritjeje.

15 dhjetor 2019, 12:46