Kërko

Vatican News

Papa lutet për viktimat e sulmit në Somali

“Atentat i tmerrshëm terrorist”. Kështu e quajti Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, sulmin e djeshëm në kryeqytetin somal, Mogadisho, që shkaktoi dhjetra të vdekur e të plagosur, ndërmjet të cilëve, edhe fëmijë e studentë të rinj.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i parë i Françeskut ishte për Somalinë e plagosur në zemër nga një atentat i tmerrshëm në Mogadisho, që ua mori jetën më se 100 vetëve, e plagosi po aq, ndërsa bilanci rritet nga ora në orë. Ndërmjet viktimave, edhe  fëmijë, por kryesisht të rinj, studentë të Universitetit Benadir, policë dhe dy të huaj me kombësi turke:

“Të dashur vëllezër e motra, ta lusim Zotin për viktimat e atentatit të shëmtuar terrorist të djeshëm, në Mogadisho të Somalisë, ku gjatë shpërthimit të një autobombe u vranë më se 70 vetë. Jam pranë familjarëve dhe të gjithë atyre, që qajnë  të vdekurit e dashur. Të lutemi së bashku...”

Nënshkrimi i Al Shabaab

Afërsi, pra, por edhe dënim për një gjest kaq të çmendur e të “shëmtuar”, kryer nga Al Shabaab, organizatë terroriste somale, e kryesuar nga Al Qaida që, pak orë pas kryerjes, e pranoi autorësinë e këtij krimi të rëndë kundër njeriut. Vetëm dy javë më parë, gjithnjë në Mogadisho, 5 civilë mbetën të vrarë gjatë sulmit mbi një hotel, ndërsa atentati më i tmerrshën është ai i vitit 2017, kur një kamion-bombë vrau njëherësh 600 vetë. Ndërmjet  mesazheve të shumta nga krerët e shteteve dhe Ojq-ve, që duan t’i shtrëngojnë radhët për një luftë më të suksesshme kundër terrorizmit, arriti edhe ai i Bashkësisë së Shën Egjidit, që i kërkon Bashkësisë ndërkombëtare “të mos e braktisë Somalinë në fatin e vet të vdekjes e të shkatërrimit të plotë, por të investojë energji dhe burime të nevojshme për sigurimin e paqes, në një vend ku jeta vritet, në vend që të jetohet”.

29 dhjetor 2019, 13:32