Kërko

1577225989987.JPG

Papa Natën e Krishtlindjes: bota ndjek logjikën e interesit, Zoti vjen pse na do

Në Meshën tradicionale kremtuar në Bazilikën e Vatikanit Natën e Krishtlindjes, Papa Françesku kujton se dashuria e Zotit nuk është e negociueshme. Njerëzimi, vazhdon, nuk është më vetëm sepse Zoti u bë njeri. Përballë dashurisë "së çmendur" të Jezusit, nuk ka justifikime: ne nuk presim - pohoi - që i afërmi jonё "të bëhet i mirë" për t’i bërë mirë ose për Kisha të jetë e përsosur për ta dashur atë. Tё bёhemi dhuratё, kështu që, nxiti, do të ndryshojmë ne dhe Kisha.

R.SH. - Vatikan

Hiri i Zotit "u shfaq "në natën e Krishtlindjes dhe "krejtësisht falas", pavarësisht se nuk e meritojmë, shndrit në jetët e secilit prej nesh, edhe nëse duart tona "duken bosh" ose nëse shohim zemrën tonë "të varfër në dashuri". Ky urimi i Papës gjatë kremtimit tё Meshën sё Shenjtë Natën e Krishtlindjes në Vatikan, nё njё Bazilikë tё mbushur përplot me besimtarë nga e gjithë bota, shoqëruar me këngët tradicionale që ndërthuren me lutje edhe në gjuhën arabe, franceze, kineze, portugeze, swahili.

Pra, Mesha e Natës së Krishtlindjes kremtohet gjithnjë në një atmosferë të veçantë, në pritje të agimit, simbol i lindjes së Foshnjës Hyjnore, që sjell dritë mbi gjithë botën. Papa Françesku e kremtoi Meshën e natës së Krishtlindjes, duke nisur nga ora 21.30 e 24 dhjetorit e, duke vënë në dukje, si lajtmotiv të homelisë, pikërisht këtë fakt, kalimin nga errësira në dritë, sepse me Krishtin, “u duk hiri i Tënzot” e siç thotë profecia e Isaisë, “populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe” (Is 9,1). Hiri i Tënzot, që “sjell shëlbimin për gjithë njerëzit” (Tt 2,11), mbështjell botën.

Megjithëse nuk e meritonim, Zoti u bë i vogël për ne

 Është shën Pali apostull, i cili e quan ardhjen e Jezu Krishtit në këtë botë, “hir të Zotit”, që na dhurohet falas, pavarësisht se nuk e meritojmë. E duke e kthyer në temë kryesore të homelisë, Papa përvijoi kuptimin e Krishtlindjes.

“Sonte – nënvizoi Ati i Shenjtë - e kuptojmë se, megjithëse nuk e meritonim, Ai [Zoti] u bë i vogël për ne... Krishtlindja na kujton se Zoti vazhdon ta dojë çdo njeri, madje edhe më të keqin… Dashuria e tij nuk ka kushte, nuk varet nga ti. Mund të kesh ide të gabuara, mund të kesh bërë lloj-lloj gjërash, por Zoti nuk heq dorë nga dashuria për ty... Edhe në mëkate, vazhdon të na dojë. Dashuria e tij nuk ndryshon…; është besnike, e durueshme. Kjo është dhurata e Krishtlindjes: zbulojmë me habi se Zoti jep gjithçka falas, me gjithë butësinë e mundshme. Lavdia e tij nuk na verbon, prania e tij nuk na frikëson. Lindi krejt i varfër, për të na e fituar zemrën me pasurinë e dashurisë së tij”.

Zoti na do, pavarësisht nga gjendja në të cilën ndodhemi

Këtë natë, vijoi komentin Papa Françesku, duke zbuluar hirin e Tënzot, zbulojmë edhe bukurinë tonë para syve të Hyjit, pikërisht sepse duhemi prej Tij. Në të mirë e në të keq, të shëndetshëm a të sëmurë, të lumtur a të trishtuar, ne dukemi të bukur para syve të Zotit. E Natën e lindjes së Krishtit, Zoti na e kujton këtë duke e bërë të vetin humanitetin tonë, përmes Birit të tij, lindur nga Maria. E ashtu si barinjve, të hutuar e të mahnitur njëkohësisht, na thotë edhe ne: “guxim, mos e humbisni shpresën, mos mendoni se humbni kohë kot, nëse doni me gjithë zemër!” Sepse në këtë Natë shenjte, dashuria fiton mbi frikën, shpresa e drita e ëmbël e Hyjit fiton mbi errësirën e arrogancës njerëzore. E Papa s’mundi ta mbajë britmën e gëzimit: “Njerëzim, Zoti të do e për ty u bë njeri, nuk je më vetëm!”

Ta pranojmë dhuratën, që na bën Zoti në Krishtin

 Ç’duhet bërë para këtij hiri, pyeti Françesku. “Duhet ta pranojmë këtë dhuratë”, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili i ftoi gjithë të krishterët ta lejojnë Hyjin t’i kërkojë, para se të shkojnë udhëve për ta gjetur; ta ndalin vështrimin tek Foshnja Hyjnore e ta lejojnë atë t’i dojë. Kështu, gjithçka tjetër kalon në plan të dytë: jeta, që duket pa shpresë; Kisha, që nuk funksionon; bota, që nuk ecën në rrugën e duhur. Është dashuria e Zotit, që vjen për të na shpëtuar nga të gjitha mjerimet tona.

Të jemi mirënjohës e ta falenderojmë Hyjin

Pikërisht për këtë, duhet të jemi mirënjohës e ta falenderojmë Hyjin. “Sot – theksoi Papa – është pikërisht dita për t’iu afruar tabernakullit, Betlehemit, grazhdit e për të thënë ‘faleminderit’. Ta pranojmë dhuratën, që është Jezusi, për t’u bërë edhe ne dhuratë si Krishti. Të bëhesh dhuratë do të thotë t’i japësh kuptim jetës. E është mënyra më e mirë për ta ndryshuar botën: ne ndryshojmë, Kisha ndryshon, historia ndryshon, kur nuk duam të ndryshojmë të tjerët, por vetveten, duke e kthyer jetën në dhuratë”.

Edhe Krishti, vijoi Ati i Shenjtë, nuk e ndryshoi historinë as me forcë, as me fjalë, por duke dhuruar jetën. Nuk priti që njerëzit të bëheshin të mirë për t’i dashur, prandaj, edhe ne nuk duhet të pretendojmë që i afërmi të përmirësohet, që Kisha të jetë e përsosur, që të tjerët të na japin rëndësi, për t’i dashur të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë, pohoi Françesku, e pranojmë me të vërtetë hirin e Tënzot e hyjmë në udhën e shenjtërimit të jetës.

Të bëhemi dhuratë për të tjerët e t’u kumtojmë Krishtin

Papa tregoi legjendën e bariut, i cili, ndërsa të tjerët i çonin Krishtit Fëmijë në grazhd lloj-lloj dhuratash, shihte duart e veta bosh, sepse s’kishte asgjë pas shpirtit. E rrinte veç, sepse i vinte turp. Por, në çastin kur Jozefi e Maria nuk dinin ku ta vinin Jezusin, për të marrë dhuratat, panë atë bari me duar bosh e i lanë në prehër Foshnjën Hyjnore. Ato duar u bënë kështu, djepi i Zotit, pavarësisht se bariu i shkretë s’kishte bërë asgjë për ta merituar një mrekulli të tillë. E ndjeu dashurinë, që vinte nga ai Fëmijë e, shend e verë, filloi t’ua tregonte të tjerëve Jezusin, sepse, nënvizoi Papa, “nuk mund ta mbante për vete dhuratën e të gjitha dhuratave”.

E Ati i Shenjtë e përfundoi homelinë, duke iu drejtuar secilit, një e nga një: “Nëse duart të duken bosh, nëse e ndjen zemrën të varfër me dashuri, kjo natë është për ty. Duket hiri i Tënzot për ta shndritur jetën. Pranoje e për ty do të shkëlqejë drita e Krishtlindjes”.

25 dhjetor 2019, 06:38