Kërko

Vatican News
 Takimi i të rinjve të Tezesë në Madrid Takimi i të rinjve të Tezesë në Madrid 

Papa Françesku, të rinjve të Tezesë: “Gjithnjë gati për nisje të reja”

“Zbulojeni së bashku rrënjosjen në fe, që ju bën thirrje e ju përgatit të shkoni drejt të tjerëve, për t’iu përgjigjur sfidave të reja të shoqërive tona, posaçërisht rreziqeve, që peshojnë rëndë mbi shtëpinë tonë të përbashkët”. Kjo, ftesa e Papës drejtuar të rinjve, mbledhur në Breslavë të Polonisë.

R. SH. - Vatikan

“Zbulojeni së bashku rrënjosjen në fe, që ju bën thirrje e ju përgatit të shkoni drejt të tjerëve, për t’iu përgjigjur sfidave të reja të shoqërive tona, posaçërisht rreziqeve, që peshojnë rëndë mbi shtëpinë tonë të përbashkët”. Kjo, ftesa e Papës drejtuar  të rinjve të Tezesë, mbledhur në Wroclav të Polonisë, për takimin e tyre të 42-të evropian  që,  ashtu si çdo vit, hapet më 28 dhjetor  e përfundon më 1 janar.

Në takimin e sivjetëm, që zgjodhi temën “Gjithnjë për udhë, kurrë pa rrënjë” -  priten 15 mijë të rinj e të reja, nga gjithë Evropa. Pas polakëve,  ukrainasit janë më të shumënumërt. Ndërmjet të ardhurve nga të gjitha Kishat e krishtera, në Poloni do të jenë edhe grupet nga Libani e Japonia. Famullitë e qytetit punuan shumë për t’i mikpritur të rinjtë, një pjesë e mirë e të cilëve janë mysafirë në familjet e pranë të moshuarve, që vendosën t’u hapin portën, në emër të mikpritjes. I pret këto ditë një program, gjatë të cilit gërshetohen çaste lutjeje, meditimi e laboratoresh tematike.

Papa: të rritemi e t’u përgjigjemi sfidave të reja

Në mesazhin, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, Papa, duke prekur temën e takimit, kujton çfarë shkruhet për të rinjtë në Nxitjen Apostolike pas sinodale“Christus vivit”: “Rrënjët nuk janë spiranca, që na lidhin me epoka të tjera e që na pengojnë  të shprehemi në botën aktuale, për të bërë që të lindë diçka e re - shkruan Papa - Përkundrazi, na ndihmojnë të rritemi e t’u përgjigjemi sfidave të reja”. “Duke kërkuar edhe shumë të tjera - vijon - do të zbuloni sa gëzim ndjen njeriu, kur vihet për udhë, si Abrahami, pa e ditur, në fillim, se për kah është nisur. Të jeni gjithnjë gati për fillime të reja, për ta dëshmuar Ungjillin e për të qenë përherë pranë atyre, që ju rrethojnë, posaçërisht pranë më të varfërve, më të pafatëve. Mos prisni të vijë e nesërmja, për të bashkëpunuar në shndërrimin e botës me energjitë tuaja, me guximin tuaj e me frymën tuaj krijuese… Ju jeni e sotmja  e Zotit, që ju do të ngarkuar me fryte”.

Kardinali Parolin siguron se Papa Françesku i shoqëron me lutjen e  tij të rinjtë, mbledhur në Wroclav  dhe i inkurajon ta thellojnë lidhjen me të krishterët e Polonisë. E shton: “Polonia është vend me rrënjë të ngulura thellë në fe. Këto rrënjë i ndihmuan njerëzit t’u bëjnë ballë provave, kur gjithçka dukej pa shpresë. Do ta zbuloni! E do të mësoni shumë nga ata, që mbetën besnikë të Krishtit, kur tundoheshin për të hequr dorë.  Këta të krishterë guxuan të besonin në një ardhmëri tjetër”.

Mesazhe nga mbarë bota

Mesazhe dërguan edhe Patriku ekumenik i Kostandinopojës; Bartolomeu I, Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill; kryeipeshkvi anglikan i York-ut e primat i Anglisë, John Sentamu; i nderuari Olav Fykse-Tveit; sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterrez e, për herë të parë, edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

27 dhjetor 2019, 14:37