Kërko

1576495755668.JPG

Papa: e ardhmja e një populli varet nga dialogu të rinj – të moshuar

Për të kundërshtuar stereotipin tradicional, që e sheh të moshuarin si të sëmurë, të paaftë e të izoluar, duhet konsideruar pleqëria si një fazë e re produktive dhe si kohë hiri hyjnor. Kështu u tha Papa anëtarëve të Shoqatës Italiane të Punonjësve të moshuar, në 70-vjetorin e themelimit.

R.SH. - Vatikan

Shoqëria dhe bota kanë nevojë për urtinë dhe përvojën e të moshuarve, si edhe për takimin ndërmjet të moshuarve e të rinjve, në mënyrë që kështu, të bëhen më mikpritëse, më njerëzore, më të krishtera dhe të tregojnë më tepër respekt për të drejtat e çdo njeriu. Por, ka ende shumë stereotipe rreth moshës së pleqërisë, e cila shihet si problematike e jo si fazë e re e jetës, gjatë së cilës njeriu mund të japë akoma shumë. Këto ishin argumentet e fjalës së Papës për Shoqatën Italiane të Punonjësve të moshuar, të cilën e priti sot paradite në Vatikan, me rastin e 70-vjetorit të themelimit. Ati i Shenjtë përvijoi mendimin e tij për moshën e vjetër, duke e paraqitur si “sezon të dhurimit” dhe si “kohë të dialogut”.

Sezoni i dialogut

Duke folur për pleqërinë si “moshë e dialogut”, Papa Françesku nënvizoi se “e ardhmja e një populli presupozon domosdoshmërisht dialogun dhe takimin ndërmjet të moshuarve e të rinjve për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të bukur, më solidare e më të krishterë”. “Të rinjtë janë forca e udhës së një populli – nënvizoi Ati i Shenjtë – e të moshuarit e gjallërojnë këtë forcë me kujtesën dhe urtinë e tyre”.

Pleqëria është kohë hiri

Sipas Françeskut, “pleqëria është kohë hiri, në të cilën Zoti na përtërin thirrjen e tij: na fton ta ruajmë e ta transmetojmë fenë, na kërkon të lutemi, sidomos të ndërmjetësojmë; na bën thirrje t’u qëndrojmë pranë gjithë nevojtarëve”. “Të moshuarit, gjyshërit kanë një aftësi të veçantë e unike për t’i kuptuar gjendjet më problematike – theksoi Papa. – E kur luten për këto gjendje, lutja e tyre është e fortë, e fuqishme!”. Së fundi, gjyshërve, të cilët Zoti i ka bekuar me nipër e mbesa, Papa Françesku u tha se kanë një detyrë shumë të madhe: “të transmetojnë përvojën e jetës, historinë e familjes, së bashkësisë, të gjithë popullit”.

16 dhjetor 2019, 13:48