Kërko

Thirrje e Papës për Burkina Fason: dialog ndërfetar, në vend të dhunës

Në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa bëri një thirrje të zjarrtë për Burkina Fason, që javën e kaluar, u godit nga një tjetër akt dhune.

R.SH. - Vatikan

“I drejtoj një mendim të veçantë Burkina Fasos, që prej kohësh sprovohet nga dhuna e vazhdueshme e ku, kohët e fundit, një atentat u kushtoi jetën gati njëqind njerëzve". Në këtë thirrje, pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa i referohet sulmit të javës së kaluar kundër një karvani autobusësh me minatorë të një kompanie franceze. Ati i Shenjtë deshi ta përmendë këtë vend afrikan, një nga më të varfërit në botë, ku kanë filluar të depërtojnë grupet islamike ekstremiste.

Të shumëfishohen përpjekjet për dialog e pajtim

         Duke ia besuar Zotit viktimat, të plagosurit, të zhvendosurit dhe ata, që vuajnë nga kjo dramë, Papa Françesku nxiti fuqimisht të inkurajohet udha e dialogut:

“Bëj thirrje që të mos mungojë mbrojtja për më të brishtët; inkurajoj autoritetet civile dhe fetare dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë që, në frymën e Dokumentit të Abu Dabit për Vëllazërimin Njerëzor, të shumëfishojnë përpjekjet për të promovuar dialogun dhe harmoninë ndërfetare”.

E përbërë nga 26 grupe etnike dhe 65 gjuhë lokale, Burkina Faso është kryesisht myslimane. Më parë, konsiderohej një vend relativisht i qëndrueshëm. Vitet e fundit, ka depërtuar grupi Ansar al Islam, aktiv edhe në Mali, si edhe Grupi mbështetës i Islamit dhe i myslimanëve, GSIM, i lidhur me Al Kaedën dhe i konsideruar krahu i saj i armatosur në gjithë Sahelin. Paralelisht, janë shtuar atentatet. Një situatë paqëndrueshmërie, që ka shkaktuar zhvendosjen e gati gjysëm milioni njerëzish brenda vendit.

13 nëntor 2019, 13:37