Kërko

Vatican News

Françesku në spitalin St.Louis: çdo jetë duhet mirëpritur e duhet përqafuar!

Papa vizitoi sot spitalin St. Louis të Bangkokut. Para takimit me të sëmurët e spitalit katolik tajlandez, e porositi personelin shëndetësor të punojë “me përkushtim të veçantë” e me një shikim, që e shëron tjetrin, “posaçërisht më të ligështin”.

Françesku - Papë, që nuk i harron kurrë të sëmurët, kudo shkel e shkon. E që e shoqëroi sadopak, duke e jetuar drejtpëdrejt, edhe në Tajlandë, dhimbjen e tyre e, njëkohësisht, shërbimin e çmuar të Kishës në ndihmë të popullit tajlandez, posaçërisht të më nevojtarëve. Me këtë ndjet e vizitoi Papa Spitalin Katolik të Bangkokut, ku u takua, së pari, me personelin mjekësor, sanitar e ndihmës të kësaj qendre, së bashku me atë të tre spitaleve të tjera katolike vendase. Për t’u ndaluar menjëherë pas, në formë private, edhe pranë të sëmurëve. Gjatë gjithë vizitës e shoqëruan këngët e fëmijëve të këtij spitali, që quhet “St Louis Children’s Hospital” – “Spitali pediatrik i Shën Lugjit”.

Fytyra amtare e Zotit

“Jeta duhet mirëpritur e përqafuar në çdo gjendje” - theksoi Ati i Shenjtë duke i drejtuar të pranishmëve fjalën në gjuhën spanjolle. Ata, që shërbejnë këtu - kujtoi - krijojnë mundësinë që të sëmurët të shikojnë, përmes shërbimit të tyre, “Fytyrën amtare të Zotit, që përkulet për t’ua lehtësuar dhimbjet  bijve të vet”. Pikërisht për këtë, Papa falënderoi motrat e Shën Palit të Chartres, të cilave iu besua, që më 1898, kompleksi, si dhe rregulltaret e tjera të pranishme, për “shërbimin  e heshtur e përkushtimin plot gëzim” në këtë apostullim. Një falënderim nga ana e Papës edhe për drejtorin e spitalit, Tanin Intragumtornchai i cili, në fjalimin e përshëndetjes, kujtoi 120-vjetorin e themelimit, duke theksuar se misioni i spitaleve katolike nuk ka në bazë fitimin, por dashurinë, mëshirën, respektin ndaj dinjitetit e barazisë ndërmjet njerëzve.

Dishepuj misionarë

Françesku kujtoi fragmentin nga Ungjilli sipas Mateut, në të cilin Zoti thotë: “Gjithçka bëtë vetëm për njërin nga këta vëllezër të mi më të vegjël, ma bëtë mua!”:

“Pikërisht në ushtrimin e dashurisë së krishterë ne, të krishterët, duhet të tregojmë jo vetëm se jemi dishepuj misionarë, por edhe të vërtetojmë besnikërinë ndaj Krishtit e institucioneve tona”.

Papa kujtoi, në vijim, se ky spital vë në jetë një nga veprat më të mëdha të mëshirës, sepse angazhimi shëndetësor shkon shumë përtej praktikës së thjeshtë e të lavdërueshme mjekësore:

“Ky impenjim nuk mund të reduktohet vetëm në realizimin e disa veprimeve a programeve të caktuara, por duhet të shkojë shumë më tej, plot gatishmëri për të papriturat. Duhet mirëpritur e përqafuar jeta, ashtu si arrin  në ndihmën e shpejtë të spitalit, për t’u trajtuar me një mëshirë të veçantë, që lind nga respekti e nga dashuria për dinjitetin e të gjithë njerëzve.  Edhe proceset e shërimit kërkojnë një shikim, që të jep dinjitet e të shëron plotësisht”.

Je dishepull misionar - ishte porosia e Papës - kur, duke e shikuar pacientin, mësohesh ta thërrasësh me emër, pavarësisht se kryen një shërbim  të vështirë e rraskapitës, në situata shpesh të rënda. Prej këndej, Papa foli për baritorinë e shëndetit, parë si mision me rëndësi të dorës së parë në ndihmë të gjithëve, posaçërisht të moshuarve e të njerëzve më të ligshtë.

 

21 nëntor 2019, 12:44