Kërko

Papa të rinjve të Scholas Occurrentes: kush e harron vdekjen, ka nisur tashmë të vdesë!

Videomesazh i Papës Françesku për Takimin IV ndërkombëtar të të rinjve, organizuar në Meksikë nga Scholas Occurrentes dhe nga World Ort.

R. SH. - Vatikan

“Një kulturë, që e harron vdekjen, nis të vdesë brenda vetes. Kush e harron vdekjen, është gjysëm i vdekur” - Këtë nënvizon Papa Françesku në videomesazhin me rastin e Takimit IV ndërkombëtar të të rinjve, që përfundon sot në Qytetin e Meksikos. Duke iu drejtuar të rinjve të Scholas Occurrentes, Papa ndalohet kryesisht tek kuptimi i vdekjes: “Ashtu si  fjalët lindin nga heshtja e në heshtje përfundojnë, duke na lënë pas domethënien e tyre, ashtu lind e hesht edhe jeta”. Ndoshta - shpjegon Papa  kjo mund të tingëllojë pak si paradoksale, por është vdekja ajo, që e lë jetën të mbetet çdo çast e gjallë.

Është finalja - pohon Françesku - që të  frymëzon të shkruash një tregim, një poezi, të pikturosh një portret. Por, kujdes - shton - përfundimi nuk është fund. Ndoshta do të duhej t’i kushtonim vëmendje finales së çdo dite që jetojmë. Vetëm një jetë e ndërgjegjësuar për këtë fund, mund të përsoset e ta bëjë këtë çast të amshuar.

Vdekja na mëson të lidhemi me misterin. E ka tri lloj vdekjesh - vëren Papa - vdekja e çdo çasti, e egos e vdekja e një bote, që i hap udhën një bote të re. “Po vdekja nuk e ka fjalën e fundit - kujton në përfundim Françesku - e kjo ndodh sepse, nësa ishim  në jetë, mësuam  të vdesim për tjetrin”.

Papa dhe Scholas Occurrentes: mbi bullizmin fitohet me dialog

“Takimi, i hapur më 28 tetorin e kaluar, në Qytetin e Meksikos, organizohej nga Scholas Occurrentes dhe nga World Ort. Në të morën pjesë më se 250 përfaqësues të 60 qyteteve, nga mbarë bota. Scholas Occurrentes është një organizatë ndërkombëtare e së drejtës papnore, e themeluar nga Françesku, e pranishme në 190 vende, me një rrjet, që përfshin 500.000 shkolla e qendra edukative, si publike, ashtu edhe private, për të  gjitha konfesionet fetare. Synimi është të promovojë kulturën e takimit për paqen, përmes edukimit.

01 nëntor 2019, 11:55