Kërko

Vatican News
 Papa me gazetarët në avion Papa me gazetarët në avion  (ANSA)

Papa kërkon që mospërdorimi i armëve atomike të hyjë në Katekizëm

Gjatë fluturimit Tokio-Romë, Françesku theksoi fort mesazhin e Hiroshimës, duke shprehur dyshimin e tij edhe lidhur me centralet bërthamore, derisa të mos kenë siguri të plotë. Lidhur me hetimet mbi financën, pohoi: “Jam i kënaqur, sepse është hera e parë që në Vatikan tenxherja zbulohet nga brenda, e jo nga jashtë.

R. SH. - Vatikan

“Përdorimi i armëve bërthamore është imoral, prej këndej, ndalimi i tyre duhet të përfshihet në Katekizimin e Kishës Katolike, e jo vetëm përdorimi, por edhe mbajtja, sepse një aksident apo një marrëzi e ndonjë qeveritari, mund të shkatërrojë mbarë njerëzimin. Marrëzia e njërit, fund i të gjithëve. Gjatë dialogut në avionin, që e sillte nga Tokio, në Romë, Papa Françesku iu përgjigj një mori pyetjesh bërë nga gazetarët që e shoqëronin, duke rikujtuar dënimin e tij të fortë kundër armëve bërthamore gjatë fjalimit në Hiroshimë, për t’i bërë të kuptojnë vlerën e tij magjisteriale.

Një gjë është Tajlanda - vijoi - e gjë tjetër Japonia. Nuk mund t’i vlerësojmë  gjërat me të njëtat kategori. Japonia e Tajlanda janë dy realitete krejtësisht të ndryshme. Prandaj duhet punë e dyfishtë, e unë gjatë gjithë udhës e ndjeva veten pranë jush në këtë punë”.

Pyetjes së parë që iu drejtua nga një prift i Nagasakit “A kanë shoqëria dhe Kisha perëndimore ndonjë gjë, që mund ta mësojë edhe Kisha lindore? Papa iu përgjigj:

“Po nis nga e fundmja. Mua më ndriçoi shumë shprehja “Lux ex Oriente, ex Occidente luxus”. Drita vjen nga Lindja, luksi, konsumizmi, vjen nga Perëndimi. Është pikërisht kjo urtia lindore, që nuk është vetëm pasojë e dijes, por sidomos, e kohës, e kundrimit. Shoqërinë tonë perëndimore – që ngutet vazhdimisht - e ndihmon të mësojë kundrimin, të ndalet e t’i shikojë edhe poetikisht sendet. Ky është mendimi im. E mua më duket se në Perëndim mungon poezia. Ka mrekulli poetike, po Perëndimi i shkon pranë, pa i shijuar. Ndërsa lindja i shikon me sy, që shkojnë shumë përtej, deri lart. Shumë lart! Besoj se ne perëndimorëve do të na bënte mirë të ndaloheshim paksa për t’i kushtuar kohë edhe kundrimit e urtisë”.

Një pyetjeje e tjetër: “Si mund të kontribuojë Japonia për paqen në botë, kur gëzon mbrojtjen bërthamore nga SHBA-të dhe është edhe prodhuese e armëve bërthamore, Papa iu përgjigj:

“Po rikthehem tek industritë bërthamore. Aksidenti mund të ndodhë gjithnjë, siç ka ndodhur edhe në Fukushima. Ti mund të më thuash se edhe elektriciteti mund të bëjë hatanë, po do të ishte hata shumë më e parëndësishme, se ajo bërthamore. Ky, që po të shpreh, është opinion personal, po unë nuk do ta përdorja energjinë bërthamore, derisa të mos ketë siguri të plotë lidhur me përdorimin e  saj.  Arma bërthamore mund të jetë shkatrrimtare sa për njerëzimin, aq edhe për mbarë krijimin. Ndërsa krijimi kërkon ndërtim, siguri, roje”.

Tema e dënimit me vdekje  diskutohet shumë në Japoni, mendimi juaj?- ishte një pyetje tjetër. Papa u përgjigj:

“Dënimi me vdekje duhet ndaluar. Është imoral”.

Paqja-pësëri në pyetjet e gazetarëve. Këtë herë, pyetja lidhur me qëndrimin që duhet të mbajë një vend i sulmuar nga një tjetër, domethënë për mbrojtjen e ligjshme. A ekziston akoma ndonjë luftë e drejtë?

“Përgjigja e Papës ishte një shprehje romake: “Si vis pacem para bellum”. Në ekuilibrin botëror – pohoi - janë disa argumente, që nuk jam në gjendje t’i gjykoj. Por gjithçka mund të bëhet për ndalimin e prodhimit të armëve, për ndalimin e luftërave, për favorizimin e bisedimeve. Kjo duhet bërë. Jep rezultate, gjithnjë. Hipokrizia e armatosjes është gjë e shëmtuar.Vendet kristiane, vendet evropiane, që flasin për paqen, jetojnë nga armët, e   është një fjalë profetike, kjo, që Jezusi e thotë në Kapitullin e 23-të të Mateut. Duhet t’i jepet fund kësaj hipokrizie. Duhet guximi për të thënë: “Nuk mund të flas për paqen, sepse ekonomia ime fiton shumë nga armët”. Por nuk duhet harruar as se njerëzimi shkon përpara edhe me të mirën, jo vetëm me të keqen”.

E çështjen e Hong Kongut, me ç’sy e shikoni - ishte pyetja tjetër - gjatë fluturimit i dërguat një telegram Carrie Lam të Hong Kongut? E më pas, edhe pyetja: “Kur do t’ju shikojmë në Pekin?”.

“Telegrame u dërgohen të gjithë kryetarëve të shteteve, është thjesht gjest mirësjelljeje - gjegji Papa - Ky nuk ka kuptimin as të dënimit, as të mbështetjes. Selia e Shenjtë flet gjithnjë për dialog. Për paqe. E jo vetëm në Hong Kong. Unë e respektoj paqen dhe kërkoj paqe për të gjitha vendet, që kanë probleme, edhe për Spanjën. E përsa i përket Kinës, më pëlqen të shkoj në Pekin, e dua Kinën”.

Papa Françesku, Amerika Latine është në flakë. Shikojmë shumë dhunë në Venezuela, Kili, Bolivia, Nikaragua e vende të tjera… ç’mendim keni për atë, që po ndodh në vendet latinoamerikane. Ju, si Papë latinoamerikan, jeni duke bërë ndonjë gjë për to?

“Edhe dikush tjetër ma tha këtë: duhet bërë një analizë. Situata e sotme në Amerikën Latine i ngjet asaj të 1974-1980-tës në Kili, Argjentinë, Paraguaj, Brazil e besoj, edhe në Bolivi. Është në flakë. Po unë, në këtë çast nuk jam në gjendje t’i bëj ndonjë analizë kësaj situate. Eshtë e vërtetë se ka deklarata, që veç paqësore nuk janë. Ajo që po ndodh në Kili, më tremb, sepse Kili është duke dalë nga një problem shpërdorimesh, që i  bëri të vuajnë shumë kilianë, e tani lind një problem tjetër, të cilin nuk e kuptoj mirë. Por është në flakë, e duhet të kërkojë dialogun e edhe analizën e gjendjes. Deri më sot nuk kam gjetur ndonjë analizë të bërë mirë mbi situatën në Amerikën Latine, por dihet se atje sundojnë qeveri të ligshta, tepër të ligshta, që nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë rendin e paqen, e prandaj edhe u arrit në këtë situatë.

Në vijim u bisedua edhe për problemin ekologjik, problemin e rrënimit të Tokës nënë, të ambientit, për shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Madje ishin gratë, që i ngritën këto probleme, për të marrë nga Papa lavdatën: “Shihet se gratë punojnë më shumë se burrat e janë më të afta”.

Së fundi, ftesa e zakonshme, që Françesku nuk e harron kurrë, sepse me vlerë jetike për barrën tepër të rëndë të botës, që mban mbi supe, magjisterin e tij: “Lutuni për mua!”.

27 nëntor 2019, 17:02