Kërko

Papa: në Hiroshimë, në një çast të vetëm, u hap një vrimë e zezë vdekjeje e shkatërrimi

Vizita në memorialin për paqen. Bergoglio u përkul para atyre, që mbijetuan, duke mbartur mbi vete farët e vdekjes. Ishte aty, “si shtegtar i paqes, për të kujtuar viktimat e pafajshme të gjithë kësaj dhune”.

R. SH. - Vatikan

Papa, në memorialin e paqes, në Hiroshimë, në praninë e të mbijetuarve  pas shpërthmit të bombës atomike të 6 gushtit 1945, shqiptoi fjalë sa rrënqethëse, aq edhe të fuqishme:

“Kujtoj këtu të gjitha viktimat dhe përkulem para forcës dhe dinjitetit të të gjithë atyre që, si shpëtuan gjallë në çastet e para, mbartën mbi trupat e tyre, për shumë e shumë vjet, vuajtjet më të thekshme e, në mendje, farët e vdekjes, që vijuan t’ua shterrojnë energjinë jetike”.

Këtu - vijoi thellësisht i hidhëruar Françesku - nga një mori grash e burrash, nga ëndrrat e shpresat e tyre, në mes të vetëtimave e zjarrit, nuk mbeti tjetër, veçse hije e heshtje. Në një çast të vetëm, gjithçka u përpi nga një vrimë e zezë shkatërrimi e vdekjeje! Nga ky hon heshtjeje, sot vijon të lartohet britma e fortë e atyre, që nuk janë më. Vinin nga vise të ndryshme, kishin emra të ndryshëm, disa prej tyre flisnin edhe gjuhë të ndryshme. Mbetën aty, në fund të honit të zi, të bashkuar nga i njëjti fat, në një orë të tmerrshme, që la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm mbi historinë e këtij vendi, por edhe mbi atë të të gjithë njerëzimit:

“E ndjeva për detyrë të vija në këtë vend - i shpjegoi Bergoglio arsyet, që e shtynë të vizitojë memorialin e Paqes të Hiroshimës - si shtegtar i paqes, për t’u lutur, duke kujtuar viktimat e pafajshme të dhunës së verbër, duke mbartur në zemër edhe lutjen e shpresat e burrave dhe të grave të kohës sonë, posaçërisht të të rinjve, që dëshirojnë paqen, punojnë për paqen, flijohen për paqen! Erdha në këtë vend  plot me kujtime e ardhmëri,  duke sjellë me vete britmën e të varfërve, që janë gjithnjë viktimat më të pambrojtura të urrejtjes e të konflikteve”.

Françesku shpjegoi se dëshiron përvujtërisht të jetë zë i atyre, që nuk u dëgjohet zëri e që i shikojnë me shqetësim e ankth tensionet në rritje,  të cilat i trandin kohët tona, pabarazitë e papranueshme dhe padrejtësitë, që kërcënojnë bashkëjetesën njerëzore, paaftësinë për t’u kujdesur për shtëpinë e përbashkët,  garën e ethshme të armëve, sikur të ishin pikërisht këto të afta për të garantuar ardhmërinë me paqe! Hiroshima flet! “Vrima e zezë vijon t’i tregojë botës ç’janë në gjendje të bëjnë armët bërthamore!”.

24 nëntor 2019, 16:03