Kërko

Papa Françesku: të lutemi për pajtim në Lindjen e Mesme

Në muajin nëntor Papa e orienton ndjetin e lutjes për dialogun në Lindjen e Mesme, duke nënvizuar se shumë bashkësi të krishtera, së bashku me ato hebreje e myslimane, punojnë për paqen

R. SH. - Vatikan

“Të lutemi, që në Lindjen e Mesme të lindë fryma e dialogut, e takimit, e pajtimit”. Kjo, ftesa e fuqishme, që Papa Fançesku u drejton të krishterëve  në videomesazhin e nëntorit, realizuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, për ndjetet e tij të lutjes muaj për muaj. “Në Lindjen e Mesme  bashkëjetesa dhe dialogu ndërmjet feve monoteiste bazohen mbi lidhje shpirtërore e historike” - kujton - duke folur për këto troje në të cilat, mbi bazën e llogarive të kohëve të fundit, myslimanët përfaqësojnë 93% të banorëve; të krishterët, 5% ndërsa bashkësia hebraike, e pranishme në të gjithë Izraelin, 2%. Janë troje, në të cilat ka arritur “lajmi i Jezusit të ngjallur për dashuri” - nënvizon, duke theksuar se “sot shumë nga bashkësitë e krishtera, njëherësh me ato hebreje e myslimane, punojnë për paqen, pajtimin e faljen”.

Kultura e dialogut

Papa prek edhe temën e kulturës së dialogut, shumë e dashur për të. E dëshmon, në mënyrë të veçantë, Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar shkurtin e kaluar, në Abu Dabi. “Dialog ndërmjet besimtarëve,  do të thotë të takohesh në hapësirën e pafundme të vlerave shpirtërore, njerëzore, shoqërore të përbashkëta e të investosh në përhapjen e virtyteve më të larta morale, të nxitura nga fetë – pati nënvizuar. Edhe gjatë vizitës së tij në Bari, në korrik 2018, Papa Françesku e pati theksuar me forcë rëndësinë e Pajtimit, kur u qe drejtuar të krishterëve të Lindjes së Mesme, duke u kujtuar se: “Nuk janë armëpushimet e garantuara nga mure, as provat e forcës, ata që e sjellin paqen. Paqen e sjell vullneti real i dëgjimit e i dialogut”.

Kisha lindi atje, në Lindjen e Mesme

“Këtë muaj Papa Françesku na fton ta hapim zemrën për lutjen në Lindjen e Mesme” - nënvizon jezuiti atë Frédéric Fornos, drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, duke kujtuar se kjo është toka, ku lindën tri fetë e mëdha monoteiste, toka e Abrahamit, e Isakut, e Jakobit, toka e profetëve, toka e Jezusit.  E edhe vetë Kisha lindi aty. E që asokohe, aty janë të pranishëm edhe të krishterët. Për ta na fton të lutemi Papa, për ta e për mbarë Lindjen e Mesme, për burrat e gratë e këtyre trojeve”.

06 nëntor 2019, 14:42