Kërko

Vatican News
Gjen. Brian Peddle, eprori i Ushtrisë së Shpëtimit, në audiencë tek Papa Françesku Gjen. Brian Peddle, eprori i Ushtrisë së Shpëtimit, në audiencë tek Papa Françesku  (Vatican Media)

Papa: dashuria është ilaç kundër egoizmit dhe përçarjes

Papa Françesku priti sot në audiencë “Ushtrinë e Shpëtimit”. “Faleminderit për impenjimin tuaj në favor të Romës”, i tha delegacionit.

R.SH. - Vatikan

“Në një botë ku egoizmi dhe përçarjet janë të shumta, nevojitet ilaçi i dashurisë fisnike e të pakushtëzuar, që hap rrugën drejt kuptimit trashendental të jetës”. Këto ishin fjalët e Papës Françesku, në përfundim të audiencës me një delegacion të “Ushtrisë së Shpëtimit”, kryesuar nga gjenerali Brian Peddle. “Ushtria e Shpëtimit” është lëvizje ndërkombëtare ungjillore, themeluar në Londër në vitin 1865 nga William Booth, për të përhapur krishterimin dhe për të ndihmuar të varfërit. Papa e quajti punën e saj “shenjë të dukshme dhe të besueshme dashurie”.

“Dashuria falas, që frymëzon gjeste shërbimi ndaj nevojtarëve, nuk është vetëm tharmi, por edhe aroma e mirë e bukës së sapopjekur. Tërheq dhe bind. Të rinjtë në veçanti duhet ta ndiejnë këtë aromë, sepse, në shumë raste, ajo mungon në përvojën e tyre të përditshme”.

Gjyshja e Papës dhe leksioni i ekumenizmit

Gjatë takimit me anëtarët e “Ushtrisë së Shpëtimit”, Papa kujtoi se mësimin e tij të parë për ekumenizmin e pati marrë nga gjyshja, kur ishte 4 vjeç, në një takim pikërisht me disa bamirës të kësaj Ushtrie. Françesku përmendi edhe eprorin e mëparshëm, që thoshte se “shenjtëria i kapërcen kufijtë konfesionalë”. Shenjtëria tregohet me gjeste konkrete solidariteti, “flet me zemër” e është dëshmi për ata të krishterë, që e ndjekin me të vërtetë Krishtin.

Së fundi, Ati i Shenjtë i falenderoi nga zemra anëtarët e “Ushtrisë së Shpëtimit” për impenjimin e tyre në favor të të pastrehëve dhe të të mënjanuarve të Romës, që fatkeqësisht, nuk janë pak. Gjithashtu, i lavdëroi edhe për luftën e tyre kundër trafikut njerëzor dhe kundër formave të ndryshme të skllavërimit të njerëzve, në botën e sotme.

08 nëntor 2019, 12:44