Kërko

Vatican News

Papa kundër kulturës “përdor e hidh”; ekonomia t’i kthehet etikës

Në audiencën me Këshillin për një Kapitalizëm Gjithëpërfshirës, Papa Françesku bëri thirrje të rinovohen thellësisht zemrat dhe mendjet, për ta vendosur njeriun në qendër të jetës ekonomike, sepse nuk është fjala, thjesht, “të kesh më shumë” por “të jesh më shumë”.

R.SH. - Vatikan

Në një botë ku rritet vazhdimisht niveli i varfërisë në shkallë globale dhe mbizotëron pabarazia, është e ngutshme të bëhet ç’është e mundur për një sistem të drejtë ekonomik, në gjendje t’u përgjigjet sfidave më të mëdha, me të cilat përballet njerëzimi dhe planeti. Kështu foli Papa Françesku në audiencën me anëtarët e Këshillit për një Kapitalizëm Gjithëpërfshirës, të cilët i priti sot paradite, në Vatikan. Ky Këshill është rezultat i Fortune-Time Global Forum 2016, në përgjigje të sfidës për të zvogëluar hendekun, që ndan shumicën e njerëzve nga begatia, që e gëzojnë pak vetë. 3 vite më parë, Ati i Shenjtë pati takuar pjesëmarrësit e Forumit, siç e kujtoi vetë duke falenderuar prefektin e Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinalin Peter Turkson dhe katër personat, që folën para tij.

Ekonomia të mos përjashtojë askënd

         Veprimtaria ekonomike – ajo që zakonisht e quajmë biznes - është pjesë e pandashme nga shërbimi për të mirën e përbashkët, veçanërisht kur përfshin krijimin e vendeve të punës, por, siç thoshte shën Pali VI, nuk mund të kufizohet vetëm në zhvillimin ekonomik: duhet të favorizojë edhe promovimin e “çdo njeriu, katërcipërisht”. Kjo do të thotë, nënvizoi Papa Françesku, shumë më tepër sesa “respektimi i bilanceve, përmirësimi i infrastrukturës, ose oferta e një game më të larmishme mallrash konsumi”: do të thotë edhe të bëjmë gjithçka për të forcuar modelet ekonomike, të bazuara në bujarinë ndaj nevojtarëve.

         “Një sistem ekonomik, që nuk shqetësohet për etikën, nuk çon në një rend shoqëror më të drejtë, por çon në një kulturë ‘përdor e hidh’, kulturë konsumiste hedhurinash. Përkundrazi, kur e pranojmë përmasën morale të jetës ekonomike, e cila është një nga aspektet e shumta të doktrinës shoqërore të Kishës, që duhet respektuar plotësisht, jemi në gjendje të veprojmë me bamirësi vëllazërore, duke dëshiruar, duke kërkuar dhe duke mbrojtur të mirën e të tjerëve dhe zhvillimin e tyre të gjithanshëm”.

Pasuritë e botës, të arritshme për të gjithë

         Papa Françesku e inkurajoi Këshillin të vijojë “rrugën e solidaritetit bujar dhe të punojë për kthesën etike të ekonomisë dhe të financave, kthesë që favorizon njeriun”. Ati i Shenjtë kujtoi se pikërisht kriza financiare, që goditi botën në vitin 2008, dëshmoi qartë se “një sistem i shëndetshëm ekonomik nuk mund të bazohet në fitime afatshkurtra”, në kurriz të investimeve afatgjata më prodhuese, më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme nga pikpamja shoqërore. Përpjekjet e Këshillit për një kapitalizëm gjithëpërfshirës kujtojnë thirrjen për t’i shërbyer së mirës së përbashkët, duke u munduar për shtimin e pasurive të kësaj bote e duke i bërë ato më të arritshme për të gjithë.

“Si përfundim, nuk është fjala, thjesht, ‘të kesh më shumë’, por ‘të jesh më shumë’. Na duhet përtëritja e thellë e zemrave dhe e mendjeve, në mënyrë që njeriu të vendoset gjithmonë në qendër të jetës shoqërore, kulturore dhe ekonomike”.

“Prania juaj këtu – i dha fund fjalës së tij, Papa Françesku - është shenjë shprese”. Ati i Shenjtë shprehu mirënjohje për impenjimin e Këshillit për një Kapitalizëm Gjithëpërfshirës në promovimin e një ekonomie më të drejtë dhe më humane, për të ndërtuar një botë më të mirë, duke marrë parasysh njeriun në tërësi dhe brezat e ardhshëm, sepse një kapitalizëm gjithëpërfshirës, që nuk mënjanon askënd, është një aspiratë fisnike, e denjë për përpjekjet më të mëdha, përfundoi Papa Françesku.

11 nëntor 2019, 12:51