Kërko

Vatican News
Papa Françesku në Universitetin Papnor të Lateranit Papa Françesku në Universitetin Papnor të Lateranit  (ANSA)

Papa: universitetet katolike të impenjohen për promovimin njerëzor

Në audiencën me pjesëmarrësit e kuvendit të Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike, kushtuar horizonteve të reja për drejtuesit e universiteteve, Papa Françesku kërkoi një formim, që promovon të mirën e përbashkët. “Të kapërcehet trashëgimia e Iluminizmit, nënvizoi, duke bashkërenduar gjuhën “e mendjes”, “të zemrës” dhe “të duarve”.

R.SH. - Vatikan

         Formimi universitar duhet të zhvillojë jo vetëm mendjen e të rinjve, por edhe zemrën: kështu tha sot Papa Françesku, në audiencë me Federatën Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike, mbledhur në Romë për kuvendin me temë “Horizonte të reja për drejtuesit e universiteteve. E ardhmja e shëndetit dhe e ekosistemit universitar”.

         “Formimi i drejtuesve i arrin objektivat – nënvizoi Ati i Shenjtë – kur arrin të investojë kohë akademike për të zhvilluar jo vetëm mendjen, por edhe zemrën, ndërgjegjen dhe aftësitë praktike të studentit”. Për Papën, duhet të vihet në dukje “detyra e pedagogëve për t’i mësuar, për t’i nxitur të bëjnë punë kërkimore-shkencore e për t’i përgatitur brezat e rinj që të bëhen jo vetëm profesionistë të kualifikuar në disiplinat e ndryshme, por edhe protagonistë të së mirës së përbashkët, drejtues krijues e përgjegjës për jetën shoqërore e civile, me një botëkuptim të drejtë mbi njeriun e botën”.

Tri gjuhët e edukimit

         Në veçanti, shtoi Papa, “universiteti katolik duhet të jetë vendi ku të kërkohen vazhdimisht e me profesionalitet, zgjidhje të mbrujtura me solidaritet, për përparimin qytetar e kulturor të çdo njeriu e të gjithë njerëzimit”.

         “Edukimi i reduktuar thjesht në mësim teknik, ose thjesht në informacion – theksoi Papa Françesku – bëhet e kundërta e vetvetes; kur mendon se mund të transmetosh njohuri, duke abstraguar nga përmasa e tyre etike, do të thotë se ke hequr dorë nga edukimi. Duhet kapërcyer trashëgimia e Iluminizmit. Të edukosh nuk do të thotë të mbushësh kokën me koncepte. Nevojiten të tria gjuhët. Duhet të përdoren të tria: gjuha e mendjes, gjuha e zemrës dhe gjuha e duarve, në mënyrë që [studentët] të mendojnë, në harmoni me atë, që ndiejnë e që bëjnë; të ndiejnë, në harmoni me atë që mendojnë e që bëjnë; të bëjnë, në harmoni me atë që ndiejnë e që mendojnë”.

John Henry Newman

         Së fundi, Papa Françesku përmendi shenjtin e saposhpallur, kardinalin John Henry Newman, pajtor i Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike. Në librin e tij “The Idea of a University” (Ideja  për një universitet), kardinali shkruante se Kisha “nuk ka frikë nga dija”: ajo “e purifikon çdo gjë”, “nuk shuan asnjë element të natyrës njerëzore, por kultivon gjithçka”.

04 nëntor 2019, 12:22