Kërko

Vatican News
 Papa takohet me pjesëmarrësit e Kursit organizuar nga Gjykata e Rota Romana Papa takohet me pjesëmarrësit e Kursit organizuar nga Gjykata e Rota Romana   (Vatican Media)

Françesku: Kisha vuan me familjet e plagosura, bashkëshortët të jenë misionarë

Një ftesë të fortë për ta rinuar Kishën, që të jetë rrjet kapilar i familjeve, të cilat kumtojnë Ungjillin - u drejtoi sot Papa 400 pjesëmarrësve në kursin e organizuar nga Gjykata Rota Romana. Françesku nënvizoi se Kisha është gjithnjë pranë bashkëshortëve në krizë, situatë që nuk duhet trajtuar me frymë burokratike.

R. SH. - Vatikan

Përballë familjeve me “plagë, që kullojë gjak”, nësa kalojnë çaste të dhimbshme, Kisha nuk do ta kthejë kurrë kokën mënjanë, pa u ndaluar të japë ndihmesën e vet. Në fjalimin e gjatë, drejtuar rreth 400 pjesëmarrësve të kursit, organizuar nga Gjykata e Rota Romana, Papa u pëqendrua mbi dy çështje themelore: nga njëra anë siguroi se Kisha kujdeset gjithnjë, me dashuri amtare, për t’i shëruar plagët e të martuarve në çaste krize, e nga ana tjetër kujtoi se martesa e krishterë lidhet ngushtë me misionin për ta kumtuar Krishtin e, prej këndej, formimi i saj duhet të kultivojë pikërisht këtë thirrje. Prej këndej, Papa i nxiti barinjtë ta mbështesin këtë proces, që Kisha të rinohet, duke u bërë bashkësi familjesh misionare. Pa harruar se për këtë, ashtu si edhe për shqyrtimin e çështjeve kishtare, themelore është vepra e Shpirtit Shenjt:

“Prandaj Kisha, kur takohet me çiftet e plagosura, para së gjithash qanë e vuan me ta; u afrohet me vajin e ngushëllimit, për t’i lehtësuar e për t’i mjekuar; ajo dëshiron ta marrë mbi vete dhimbjen, që takon. E nëse, pastaj, përpiqet të jetë e paanshme dhe objektive në kërkimin e së vërtetës, Kisha nuk është kurrë e huaj, as në aspektin njerëzor, e as në atë shpirtëror  me të gjithë ata, që vuajnë. Nuk është kurrë impersonale, as e ftohtë, përballë këtyre historive  të trishta e të dhimbshme të jetës”

Procesin duhet ta udhëheqë Shpirti Shenjt

Prej këndej, edhe në procedurat kanonike e jurisprudenciale, Kisha “kërkon gjithnjë vetëm të mirën e njerëzve të plagosur, kërkon të vërtetën e dashurisë së tyre, pa pasur tjetër mendim, veç sigurimit  të lumturisë  së drejtë e të dëshiruar”.

"Për këtë shqyrtim, është themelore prania e Shpirtit Shenjt. Prandaj, në  përpjekjen për zgjidhjen e proceseve të kësaj natyre, gjykatësit dhe dëshmitarët duhet t’ia besojnë çështjen Shpirtit Shenjt, që të mund të shqyrtojnë, të shoshisin e të gjykojnë të udhëhequr prej Tij. E kjo është shumë e rëndësishme. Procesi nuk është çështje matematike, që zgjidhet  duke parë cila arsye peshon më shumë se tjetra. Jo! Është Shpirti Shenjt ai, që duhet t’i prijë procesit, gjithnjë. Nëse nuk është Shpirti Shenjt, atëherë ajo që bëjmë nuk është kishtare”.

Të kultivohet thirrja e bashkëshortëve, për të qenë dëshmitarë të Ungjillit

Papa kujtoi se Shën Pali e krahason martesën e krishterë me bashkimin e Krishtit me Kishën, korpin e Tij, që ai e do deri në flijimin në kryq. Prej këndej, bashkëshortët e krishterë janë të thirrur të “ecin me Kishën e në Kishë, të ecin në udhën e shenjtërisë, duke e jetuar martesën e krishterë, si udhë feje, si bashkim intim bashkëshortësh, që janë kolonat e Kishës shtëpiake - pohoi Papa - duke kujtuar Koncilin II të Vatikanit si dhe Amoris laetitia e Familiaris consortio të Gjon Palit II.

Kisha të jetë rrjet familjesh misionare

Shembull për këtë janë Akuila e Prishila, miq e bashkëpunëtorë të Shën Palit, të  cilëve Papa ua kushtoi audiencën e përgjithshme të 13 nëntorit. Prej këndej, kush merret me përgatitjen e çifteve, duket t’i ndihmojë të bëhen celula apostolike të bashkësive famullitare, dëshmitare e misionare të Ungjillit.

30 nëntor 2019, 13:25