Kërko

Vatican News

Thirrja e Papës për dialog në Kili, pas dhunës

Pas audiencës së përgjithshme, Françesku ftoi për gjetjen e rrugëzgjidhjes së krizës në Kili, lindur nga protestat e dhunshme për shkak të shtrenjtësisë së jetës në vend.

R. SH. - Vatikan

“E ndjek me shqetësim atë, që po ndodh në Kili. Uroj që, duke i dhënë fund  manifestimeve të dhunshme, përmes dialogut, të bëhen përpjekje për të gjetur rrugëzgjidhjen e krizës dhe për t’u bërë ballë vështirësive, që e shkaktuan, për të mirën e mbarë kombit”.

Kjo, thirrja e Papës Françesku, në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, kushtuar situatës në Kili ku, që nga 18 tetori, protestat antiqeveritare kundër mjerimit në vend, çuan në ndërhyrjen e ushtarakëve nëpër rrugë.

Dhuna  e arrestimet vijojnë

15 të vdekur, deri tani, shumica nga kryeqyteti, Santiago. Më se 2.600 vetë, të arrestuar gjatë  trazirave e plaçkitjeve, që vijuan pas miratimit  të ligjit, pastaj të anulluar,  që rriste çmimin  e biletave të metropolitanës në kryeqytet. Masë, e cila i fryu menjëherë zjarrit të protestave në vend.

Presidenti Pinera kërkon falje

Mbrëmë presidenti kilian Sebastian Pinera, gjatë një fjalimi mbajtur në Pallatin e Monedës, kërkoi falje, sepse nuk e kishte kuptuar dramaticitetin e situatës ekzistuese dhe njoftoi se do të bëjë një sërë propozimesh për një agjendë shoqërore të unitetit kombëtar. E më pas kujtoi edhe se, duke dëgjuar njerëzit, u shqetësua shumë për rivendosjen e rendit në vend. Dhjetë, masat që parashikohen. Ndërmjet tyre, rritja e pensioneve, reduktimi i çmimit të ilaçeve dhe shtimi i rrogave më të ulëta.

23 tetor 2019, 14:11